Ambasada e SHBA-së mirëpret certifikimin e partive politike: Procesi zgjedhor të jetë transparent dhe pa ndërhyrje politike
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka mirëpritur certifikimin e partive politike dhe kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Ambasada amerikane vlerëson se “institucionet kosovare i kanë përmbushur rolet e tyre” të cilat i ka konsideruar thelbësore për një demokraci gjithpërfshirëse.
“Procesi zgjedhor duhet të mbetet transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike. Votuesit duhet të vendosin se kush zgjidhet sipas sistemit demokratik të Kosovës dhe të gjitha partitë dhe kandidatët duhet të refuzojnë çdo përpjekje për ta politizuar procesin zgjedhor”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha sot se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për certifikimin Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës duhet të zbatohet.