Ambasada britanike e shqetësuar me veprimet e Qeverisë: Asociacioni, mënyra më e mirë për t’i trajtuar këto çështje
Mbretëria e Bashkuar ka shprehur shqetësim serioz për veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës ndaj strukturave paralele të drejtuara nga serbët në Kosovë.
Në një reagim të saj përmes ambasadës në Prishtinë, përmend thirrjet e vazhdueshme të saj drejt qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, për angazhim konstruktiv përmes dialogut.
Tutje përmendet që mënyra më e mirë për të trajtuar këto çështje është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
”Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar për veprimet e sotme ndaj strukturave paralele të drejtuara nga serbët në Kosovë. Ne kemi bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të sigurojë që këto veprime të kryhen në përputhje me kornizën e saj ligjore, por gjithashtu të marrin parasysh faktin se shumë serbë të zakonshëm të Kosovës, përfshirë edhe më të cenueshmit, vazhdojnë të mbështeten në këto institucione për shërbime. Angazhimi konstruktiv, nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës, përmes Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke përfshirë zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Brukselit dhe krijimin e AKS, është mënyra më e mirë për të trajtuar këto çështje”.