Ambasada afgane në Londër do të mbyllet pas shkarkimit të diplomatëve

Ambasada afgane në Londër do të mbyllet pas shkarkimit të diplomatëve

Ambasada afgane në Londër do të mbyllet pasi diplomatët e saj u shkarkuan nga talibanët, që udhëheqin me Afganistanin, bëri të ditur Zyra e Jashtme e Britanisë më 9 shtator.

Përmes një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë, kjo zyrë tha se ambasada “po mbyllet pas shkarkimit të stafit të saj nga talibanët”. Britania nuk e njeh qeverinë e udhëhequr nga talibanët.

Por, ambasadori afgan tha se vendimi është marrë “bazuar në kërkesat e autoritetit të shtetit mikpritës”. Zalmai Rassoul shkroi në X se Ambasada do të mbyllë dyert e saj më 27 shtator “në bazë të kërkesës zyrtare të shtetit mikpritës”.

As Qeveria britanike, e as ambasadori nuk thanë se çfarë do të ndodhë me stafin e Ambasadës, por një burim në Ambasadën afgane, i cili foli në kushte anonimiteti me REL-in, tha se Qeveria britanike i ka dhënë stafit të Ambasadës 90 ditë kohë që të largohet nga shteti apo të aplikojë për azil politik.

Ky burim tha se Zyra e Jashtme britanike po ashtu ka deklaruar se ndërtesa e Ambasadës nuk do t’i jepet talibanëve dhe se Qeveria britanike nuk do të lejojë asnjë përfaqësim politik të talibanëve apo operimin e ndonjë konsullate pa e njohur Qeverinë e themeluar në Afganistan.

Qeveria që udhëhiqet nga talibanët kishte kërkuar që stafi i Ambasadës të komunikonte me Zyrën e Jashtme, por stafi kishte refuzuar dhe si rezultat, shërbimet e Ambasadës u shpallën të pavlefshme nga talibanët.

Lajmi ka shqetësuar afganët që jetojnë në Britani, të cilët kanë frikë se mund të përballen me probleme nëse nuk kanë shërbime diplomatike.

Diplomatët që shërbenin në ish-qeverinë afgane që mbështetej nga Perëndimi kishin mbetur të bllokuar që kur talibanët u rikthyen në pushtet në Afganistan në gusht të vitit 2021. Shumë ambasada në Evropë dhe në vende të tjera vazhduan punën e tyre.

Administrata talibane njoftoi në korrik se më nuk njeh misionet diplomatike të ngritura nga ish-qeveria e mbështetur nga Perëndimi dhe dokumentet e lëshuara nga ambasada në Britani dhe në 13 shtete të tjera, kryesisht evropiane, ishin të pavlefshme.

Shumica e liderëve talibanë janë nën sanksione dhe asnjë shtet zyrtarisht nuk i njeh si sundimtarët legjitimë të Afganistanit edhe pse disa shtete kanë misione aktive diplomatike në Afganistan, përfshirë Pakistani, Turqia, Katari dhe Kina.

Afganistani ka dërguar disa diplomatë, që janë miratuar nga talibanët, në disa nga këto shtete, përfshirë në Pakistan dhe Kinë.

Britania dhe shtetet e tjera perëndimore po tentojnë të gjejnë mënyra se si t’iu ofrojnë ndihma humanitare afganëve pa e njohur qeverinë e udhëhequr nga talibanët. Qeveria e talibanëve ka kufizuar në mënyrë të ashpër të drejtat e grave dhe vajzave në edukim, punësim dhe liri personale./rel

Shpërndaje në: