Amatorizmi me Suedinë: I zbulohen katër huqjet spektakolare Challandesit

Amatorizmi me Suedinë: I zbulohen katër huqjet spektakolare Challandesit

Kombëtarja e Kosovës humbi mbrëmë 3-0 kundër Suedisë. Por, çka na thotë kjo për të ardhmen e saj? Periskopi iu rrëfen katër pikat më amatoreske të organizimit të lojës që u vërejtën dje. 

Kosova luajti mbrëmë me mungesën e kapitenit Amir Rrahmani duke e lënë të ekspozuar mbrojtjen tonë në qendër ndaj repartit më të mirë të Suedisë, sulmit.

Suedia kualitetin më të madh e kishte në fazën ofenzive, me dyshen sulmuese në formë Zlatan Ibrahimovic dhe Alexander Isak respektivisht.

Në anën tjetër, punët ishin përkeqësuar edhe më shumë për mbrojtjen kosovare me suspendimin e Ibrahim Dresheviqit.

Mbrojtja e Kosovës përbëhej nga Fidan Aliti dhe Mërgim Vojvoda në qendër, të cilëve iu bashkohej edhe mesfushori Hekuran Kryeziu kur ekipi mbante topin dhe sulmonte.

Kryeziu sa herë që ekipi humbte topin, lëshonte pozicionin e mbrojtjes dhe kthehej në mes të fushës – me Besar Halimin që mbeste i vetëm në atë pozicion, e që ndonjëherë edhe humbte në fushë pikërisht duke u munduar të rikuperonte zbrazëtirat e mëdha të lëna nga Kryeziu.

Në fotografinë e mëposhtme keni renditjen e lojtarëve në fushë, dhe zbraztirën e jashtëzakonshme që linin në hapësirat e mesit të fushës.

Pra, Kosova luajti me formacionin 3-4-3 kur sulmonte dhe me formacionin 4-2-3-1 kur mbrohej.

Hadërgjonaj dhe Kololli nuk prodhuan gati asnjë rrezik për kundërshtarin derisa ekipi sulmonte.

Amatorizmi 1: Kosova me 0 mesfushorë në qendër të mesfushës

Problemi me 3-4-3shin e parrezikshëm, ishte se faza e mesfushës së qendrës që duhej të përbëhej nga dy qendër-mesfushorë përbëhej në fakt nga dy mesfushorë të fazës ofenzive [Halimi dhe Celina].

Asnjëri prej të dyve nuk ia dilte të bashkëvepronte si duhet me krahët tanë, Hadërgjonajn dhe Kolollin, të cilët për më keq në shumë raste bllokonin hapësirat ku duhej të manovronin Rashica dhe Zeneli respektivisht.

Halimi dhe Celina nuk dinin të organizonin hapësirat e mesfushës, prandaj Kosova mbeste e detyruar që ta gjuante topin te krahët ose në qendër të sulmit te Muriqi ku humbja e topave ishte gjë e sigurt.

Në shumicën e kohës, Kosova nuk pati një mesfushor të vetëm në qendër që do të diktonte tempon e lojës dhe njëkohshëm hapësirat e skuadrës edhe pse përballej me dy mesfushorë të patalentuar për këtë pozitë.

Amatorizmi 2: Kaosi me Hekuran Kryeziun

Për ta bërë edhe më kaotike gjithë situatën, Hekuran Kryeziu lëshonte pozicionin e tij me raste edhe kur ekipi po bënte përpjekje të organizonte sulmet, dhe në vend të 3-4-3 taktika bëhet 2-1-4-3 duke e lënë sidomos anën e majtë të qendrës së mbrojtjes krejtësisht pa mbulim.

Kjo u ekspozua sidomos kur Alexander Isak në pjesë të parë mori një top fare të lehtë dhe u nis i vetëm drejt portës së Kosovës por që për fat të mirë dështoi të shënonte me portën të zbrazët.

Kryeziu – që njihet si një mesfushor i mirë organizativ – u provua që të vihej në shërbim si mesfushor organizativ [4-2-3-1] mu në kohën kur sulmet i organizonte Suedia ndërsa zhvendosej në pozicionin e shkatërruesit mu në kohën kur Kosova organizonte sulmet.

Duke parë kaosin që po ndodhte në mesfushën kosovare, Bernard Challandes qysh në zëvendësimin e parë vendosi që ta fuste në lojë Idriz Vocën në vend të Besar Halimit por duket se nuk i dha kurrfarë udhëzimi se çka të bënte.

Ai thjesht u spostua në qendër të fushës dhe Kosova vazhdoi të luante në pjesë të dytë si të ishte duke fituar një ndeshje që në fakt po e humbte bindshëm.

Amatorizmi 3: Sakeq Ujkani

Ditët e Samir Ujkanit si portier i Kombëtares kanë përfunduar. Kjo u dëshmua edhe në ndeshjen kundër Suedisë, në të cilën ai bëri një varg gabimesh që i kushtuan me rezultat por edhe me panik ekipit tonë.

Ujkani nuk është portier që shquhet me lojën me këmbë, duke i lënë mbrojtësit e kombëtares, pra qendërmbrojtësit [asnjëri prej të cilëve nuk është qendërmbrojtës natyral] të kishin një hapësirë të sigurt për ta pasuar topin.

Ujkani u tregua amator jo vetëm në reflekset e ngadalta, por madje edhe në grushtimet e topit në zonë – çka e bënte edhe më komplekse situatën duke qenë se Vojvoda e Aliti nuk shquheshin si mbrojtës që fitonin duele në ajër.

Amatorizmi 4: Rashica herë sulmues i dytë, herë anësor sulmues

Milot Rashica ndoshta ka qenë futbollisti më i mirë i Kosovës në ndeshjen e mbrëmshme.

Ai bëri në pjesë të parë një pasim të mirë te Muriqi, i cili humbi një rast shumë të mirë për të shënuar. Ndërsa në pjesë të dytë e kalon si asgjë Augustinssonin [mbrojtësin e majtë suedez] për ta bërë njërin prej rasteve më të rrezikshme për Kosovën.

Sidoqoftë, pozicioni i tij po ashtu ishte i improvizuar.

Ani pse, Rashica luajti për pjesën më të madhe në anën a djathtë të sulmit [duke u ruajtur përveç nga Augustinsson edhe nga Hadërgjonaj] ai pati shumë momente kur u spostua si sulmues i dytë duke ndihmuar Muriqin.

Kjo linte hapësirë në mënyrë zinxhir. Derisa Hadërgjonaj i zinte vendin e tij në anën e sulmit derisa ekipi organizonte sulm, askush nuk zinte vendin e tij meqë Vojvodës i ishte ngarkuar detyra e ruajtjes së Ibrahimoviqit. /Periskopi

Shpërndaje në: