Altini kujton babain e tij që padrejtësisht po mbahet në Hagë: Zëri yt, liria jonë

Altini kujton babain e tij që padrejtësisht po mbahet në Hagë: Zëri yt, liria jonë

Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, në përvjetorin e 17-të të Pavarësisë e ka kujtuar babain e tij që po mbahet në paraburgim Hagë.

Ai përmendi sakrificat që kishte kaluar babai i tij, në rrugëtimin për të ardhur deri tek shpallja e Pavarësisë.

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së tha se prindi i tij padrejtësisht nuk është i lirë.

“Në vitet ’70 nise rrugëtimin në ilegalitet me parulla për pavarësinë e Kosovës. Në vitet ’80, kur okupimi rëndonte mbi supet e shqiptarëve, u dënove me 14 vite burg vetëm pse kërkove liri. Para gjykatës jugosllave, me guxim the: “Unë njoh gjyqin e popullit shqiptar, unë jam shqiptar, nuk jam jugosllav!” – një betim për liri që nuk u thye kurrë”, tha Krasniqi.

“Pas burgut, nuk u ndale asnjë ditë. Prapë në shërbim të atdheut, duke i qëndruar besnik rrugës për çlirim. Më 31 dhjetor 1991, nise rrugëtimin për luftë bashkë me Adem Jasharin dhe shokët. E kur erdhi lufta, ti ishe zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk fole me nofkë, por me fytyrën, emrin dhe mbiemrin tënd, duke shpallur botërisht se ky popull do të luftojë deri në fitore. Dhe ashtu ndodhi. Lufta jonë u drejtua nga njerëz si ti, që nuk i trembi plumbi, burgjet apo torturat”, theksoi ai.

“Pas luftës, nuk kërkove lavdi për vete, por i dhe shtetit gjithçka, deri në majat e institucioneve. E sot, babë, Kosova është e lirë, por ti jo. Padrejtësisht. Por dije, e vërteta nuk mund të mbyllet në burg! Zëri yt do të dëgjohet gjithmonë, emri yt do të mbetet simbol i guximit dhe lirisë”.

Shpërndaje në: