Altin Basha vë në skenën e Prishtinës “Të ligun për mend”

Altin Basha vë në skenën e Prishtinës “Të ligun për mend”

Pak kush e dinte për këtë. Ky tekst e befasoi edhe regjisorin shqiptar Altin Basha, i cili u ftua nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Një tekst i shkruar në një shqipe, siç e quante vetë regjisori, arkaike.

Një përshtatje aq e mirë me kohën në të cilën është shkruar e po ashtu që përshtatet edhe në kohën në të cilën po jetojmë, dhe vetë ky zbulim i këtij teksti për Altin Bashën, janë surpriza të cilat po i përjeton siç është më së miri në sallën e leximit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, bashkë me dhjetë aktorët të cilët edhe do ta jetësojnë “I ligu për mend”, të Fishtës.

Ka vetëm një javë, që regjisori Altin Basha ka nisur provat e leximit të tekstit me aktorët kosovarë. Basha pranoi që sot KultPlus, të jetë pjesë e këtyre provave, duke na njoftuar fillimisht me këtë tekst kaq të veçantë, me personazhet e tij, aktorët në rolet kryesore, e gjithashtu edhe me planifikimin e tij se kur do ta shfaqë premierën.

“Një nga surprizat ka qenë edhe zbulimi i këtij teksti. Teksti është shkruar krejtësisht në një shqipe arkaike dhe kështu për mua ishin dy zbulime në të njëjtën kohë, stili dhe gjuha e përdorur nga Gjergj Fishta për shkrimin e dialogut arkaik, i cili është krejtësisht i pazakontë, dhe ripërpunimi i veprës së Molierit që gjithashtu është një surprizë”, thotë regjisori Basha, sipas të cilit marrja në dorë e këtij teksti përbënë një interes të veçantë për të, e gjithashtu mendon se edhe për audiencën kosovare do të ketë një interes të veçantë, për vetë faktin që kemi të bëjmë me një shqipe arkaike në gegërisht.

“Fishta si një mjeshtër i përdorimit të shqipes ka ditur që jo vetëm të përshtatë tekstin në mentalitetin e Shkodrës së atyre viteve, por edhe ta ruaj atë barokun e veçantë të Molierit, ngjyrat e veçanta tekstuale, por sigurisht që ka bërë ndryshime në personazhe, sepse ky është një tekst i cili ka vetëm personazhe meshkujsh, por në një kuptim ia ka ruajtur vlerat e ndoshta në disa raste i ka quar edhe më tej”, tha Altin Basha, në lidhje me tekstin.

“I ligu për mend”, paraqet Shqipërinë me problemet e veta të viteve të 30-ta, por në fakt ato probleme janë edhe sot. Teksti sjellë diskutimet intelektuale apo diskutimet e mëdha sociale të asaj kohe mbi vlerat e shqipes, mbi atë se a duhet ndenjur në Shqipëri apo duhet ikur në perëndim, dhe sigurisht e gjitha kjo e veshur nën paranojën e personazhit kryesor që është Tukja, e që është personazhi i cili bartë dramën “I ligu për mend”.

Tashmë regjisori bashkë me aktorët janë në javën e dytë të provave dhe padyshim që vështirësi shumë të madhe ka paraqitë puna me tekstin, dhe sipas regjisorit, kjo ende mbetet një sfidë për të. “Është një gjuhë jashtëzakonisht interesante, por nga ana tjetër ka vështirësi në interpretimin e saj. Këtë e kemi konsideruar si vlerë dhe po e trajtojmë si vlerë, e për të vazhduar kështu na duhet një punë e madhe”, theksoi Basha.

Gjithsej dhjetë personazhet me aktorë të brezit të ri e të mesëm në shfaqjen “I ligu për mend”, janë: Luan Jaha, Armend Baloku, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Ard Islami, Ismet Azemi dhe Bastri Lushtaku. Ky është një ritakim i regjisorit me këta aktorë, pasi që, ky është projekti i tretë që Altin Basha, e realizon me Teatrin Kombëtar të Kosovës.
“Ka qenë një takim pas shumë vitesh që të punoj me kolegët këtu. Në vitin 2001 kemi pas një eksperiencë shumë të mirë në TKK, ku kam inskenuar një tekst të Ismail Kadaresë, e që kam punuar me një pjesë të kolegëve që janë në këtë kastë. Në vitin 2009 kam punuar një tekst të një autori polak, ndërsa ky është projekti i tretë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por padyshim një pjesë e madhe e shfaqjeve të mija nga Tirana kanë ardhur në Prishtinë. Secila ka qenë eksperiencë më e mirë se tjetra, por ky është një moment specifik, zbulimi i këtij teksti të Fishtës”, pohoi regjisori Basha.

Për regjisorin Altin Basha, drama shqipe mbetet një diskutim i madh në komunitet por edhe në opinion, për faktin se a kemi ne dramë shqipe dha a duhet në të investojmë në kultivimin e saj. Sipas tij, pikërisht ky tekst e ridëshmon këtë që si shqiptarë kemi shumë akoma vlera të pazbuluara dhe ende mbetet shumë punë për të bërë për ti zbuluar ato.

“Ky ka qenë një tekst i propozuar nga drejtori artistik i TKK-së, ne kemi mundur të zgjedhim cilindo tekst botëror, por në asnjë moment nuk do të kish marrë vlerën që merr ky tekst për ne”, u shpreh Basha, i cili vazhdoj të thotë se tashmë po bëhet gati kënaqësi në vete puna me këtë tekst, sepse, sipas tij, tani kemi një rast që nuk shkojmë në teatër vetëm për të parë shfaqje, por shkojmë në teatër për të parë një promovim të gjuhës shqipe.

“Shpresoj që do ta qojmë deri në fund këtë e ta dërgojmë tek publiku ashtu siç është më së miri. Në fillim të muajit shkurt mendojmë të dalim me premierë, kemi ende shumë punë për të bërë, por mendoj që ne kemi synimin që të biem Shkodrën e Marubit në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe besoj që ajo frymë do të përcillet në shfaqje”, tha regjisori i tekstit “I ligu për mend”, Altin Basha.

Sot gjatë kësaj prove, patëm rastin të takohemi me personazhin kryesor që është Tukja në rolin e të cilit vjen aktori Luan Jaha. Jaha për KultPlus tregoi se e ka pas ëndërr që të punoj një tekst të Molierit, pasi që, ai tha se e donë komedinë, dhe mendon që i përket pak a shumë komedisë.

“Altini e njeh mirë aktorin, e ka metodën shumë të mirë, shumë të lehtë, pasi që, edhe vetë është pedagog, kjo e bënë të na e jep një komoditet, një kënaqësi dhe është një regjisor që e ka të qartë që nga fillimi se çfarë do. Kjo na bënë neve më të sigurt dhe më përgjegjës në punën tonë. Unë e kam pas ëndërr të punoj një tekst të Molierit, sepse e dua komedinë dhe i përkas pak a shumë komedisë, por e morëm një tekst të shqipëruar nga Gjergj Fishta, me një gjuhë të vjetër shqipe, shkodrane e pak po e kemi vështirë”, u shpreh aktori Luan Jaha.

Ndër rolet kryesore janë edhe aktorët Ernest Malazogu dhe Armend Baloku. Për të dy këta aktorë është hera e parë që bashkëpunojnë me regjisorin Altin Basha, dhe siç thanë ata për KultPlus, është një nder e kënaqësi shumë e madhe.

“Edhe pse jemi në fillim, po shihet që procesi, atmosfera dhe energjia është shumë e mirë, përkundër tekstit që është pak problematik. Mirëpo po besoj që kemi nis ti marrim këmbët dhe ta përvetësojmë tekstin sikur të ishte pjesë e jona dhe gjithçka po shkon siç duhet”, theksoi aktori Ernest Malazogu. Ndërsa aktori Armend Baloku, tha se beson shumë që do të dalë një shfaqje mjaft interesante. Ai vlerësoi shumë lartë punën me kolegët dhe regjisorin.

“Po presim të na dalë një shfaqje interesante me një dialekt gegë, më konkretisht të rajonit të Shkodrës, dhe kam përshtypjen që është nga herët e rralla që është punuar një tekst gegërisht në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Është mundësi e mirë të njihesh me një dramaturgji të Homerit shqiptar, ku nuk e kemi ditur që ka një produkt të tillë dhe në këtë rast është mundësi e mirë të shohësh se si i ka krijuar disa rrethana ku njerëzve do tu lë përshtypje”, tha Armend Baloku.

“I ligu për mend”, padyshim që mbrapa vetës ka edhe një staf realizues të cilët janë: Iliriana Loxha-skenografe dhe kostumografe, Gjergj Prevazi-koreograf dhe Endri Sina-kompozitor. Krejt për fund, regjisori Altin Basha tha se me dashurinë e duhur beson që do ta nxjerrin një vepër interesante. “I ligu për mend”, ishte propozim i drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës Agon Myftarit. Rikujtojmë se kjo shfaqje premierën pritet ta ketë në fillim të muajit shkurt, ndërkaq pas saj, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, brenda vitit do të ngjiten edhe pesë shfaqje premierë.

Shpërndaje në: