Alternativa elektrike VW Tiguan arrin në shkurt
Volkswagen përdori Panairin e veturave në Frankfurt për premierën e ID.3 – automjeti i parë i tij modular me bazë platforme, i dizajnuar ekskluzivisht për veturat elektrike dhe pionier i gjithë vijës së ardhshme të automjeteve elektrike.
Modeli i dytë në këtë linjë do të jetë ID.4 dhe mund të presim prezantimin e tij në shkurt, transmeton KosovaPress.
Sipas informacioneve të fundit, VW do të nisë një version prodhimi të konceptit ID Crozz që nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Me gjithë dimensionet e saj më të mëdha, kjo makinë do të përdorë gjithashtu të njëjtën platformë modulare mekanike MEB.
Spekulohet se do të jetë i disponueshëm me një sistem lëvizjeje pak më të ndryshëm krahasuar me ID.3. Konkretisht, supozohet se do të përdorë një sistem elektrik 4Motion me dy motorë elektrikë dhe katër boshte.
Kujtojmë, në konceptin ID Crozz motori i përparmë zhvilloi 102 kuaj fuqi dhe i pasmi me 204 kuaj fuqi. ID Crozz gjithashtu kishte një bateri prej 83 kWh, e cila është dukshëm më e madhe sesa opsionet 45, 58 dhe 77 kWh në VW ID.3.
Meqenëse masa më e madhe dhe pesha më e lartë e karrocerisë do të ketë një ndikim negativ në ekonomi, ky minus do të kompensohet nga kapaciteti më i madh i baterisë.
Aktualisht nuk dihet se ku do të prezantojë VW modelin e ri elektrik. Pretenduesit kryesorë raportohet se janë për panairin e veturave në Çikago, si dhe në një ceremoni speciale të ngjashme me atë të planifikuar për Golfin e ri.
Volkswagen e sheh ID.4 si versionin elektrik të Tiguan dhe planifikon të ofrojë një model të ri në disa tregje, siç është SHBA, me një çmim të ngjashëm me Tiguan.