Aleksandër Isajeviç Sollzhencin: Harrimi fatal
Fjala e mbajtur me rastin e marrjes së Çmimit Templeton, në Pallatin Buckingam, më 10 maj 1983. Ky Çmim, i krijuar më 1972 nga John Templeton dhe që i jepet përvit një personaliteti, i cili shquhet në përhapjen më tej të besimit të krishterë, për herë të parë iu akordua një ortodoksi, pra A. I. Sollzhenicinit.
Këtu e gjysmëshekulli më parë, kur isha ende fëmijë, dëgjova nga shumë të moshuar që shpjegonin tërmetet e mëdha që tronditën Rusinë, se: “Njerëzit E harruan Perëndinë, që këtu vijnë të gjitha!”
Qysh atëhere jam marrë gati gjysmëshekull me studimin e revolucionit tonë, kam lexuar qindra libra, kam mbledhur qindra dëshmi vetjake, kam shkruar tetë vëllime për ta pastruar vendin nga gërmadhat; dhe, po të më kërkohej tani të formuloj sa më shkurt shkakun madhor të këtij revolucioni shkretues që na ka ngrënë afro 60 milionë njerëz, nuk do të mund të bëja diçka më të mirë, sesa të përsëris: Njerëzit E harruan Perëndinë, që këtu vijnë të gjitha!
Por ka edhe diçka: ndodhitë e revolucionit rus nuk mund të kuptohen në ditët tona në këtë fundshekull, përveçse në sfondin e atyre që kanë ngjarë në vendet e tjera. Por atëhere përvijohet një proces universal. Po të më kërkohej të përshkruaj shkurtimisht dallojën kryesore të këtij shekulli, edhe një herë nuk do të mundja të gjeja përgjigje më të saktë e më thelbësore se sa: “Njerëzit E harruan Perëndinë!”
Duke i munguar maja hyjnore, ndërgjegja njerëzore zhbëhet dhe ky perversion përcaktoi krimet e mëdha të këtij shekulli, duke filluar me të parin e tyre: Luftën e Parë Botërore, ku e ka burimin pjesa dërrmuese e rrjedhojave të sotme. Kjo luftë që i panë sytë një Evrope plot energji, të begatë e të lulëzuar e që u gremis në çmendurinë e vetëshqyerjes duke shkallmuar kësisoj të ardhmen e saj për më se një shekull, madje përgjithmonë, kjo luftë, pra, është duke u harruar. Por kjo luftë nuk mund të shpjegohet përveçse nëpërmjet një errësimi të përgjithshëm të arsyes të udhëheqësve të atëhershëm, të cilët e humbën nocionin e një Fuqie Supreme, sipër tyre. Vetëm ky tërbim i çmendur që harroi Zotin, mundi t’i bëjë shtete në dukje të krishterë të përdorin gaze kimike në një mënyrë aq barbare. Një pervertim identik i vetëdijes njerëzore, pa majën e vet hyjnore, mundësoi pas Luftës së Dytë Botërore rënien në grackën djallëzore të “ombrellës bërthamore”. Thënë ndryshe: të heqim dorë nga çdo gjë, ta zhveshim rininë nga çdo detyrë e përgjegjësi, të mos bëjmë asnjë përpjekje për të mbrojtur të tjerët, të dyllosim veshët që të mos dëgjojmë rënkimet që vijnë nga Lindja, të përfshihemi në garën e çmendur të mirëqënies dhe, në rast se kërcënimi do të qëndrojë mbi kokat tona, atëhere do të na mbrojë bomba atomike – në se jo, gjithë bota në djall të vejë! Dobësia mjerane në të cilën e ka poshtëruar veten Perëndimit i sotëm, vjen në radhë të parë nga ky gabim fatal: nga besimi se mbrojtja e botës nuk varet prej forcës së zemrave dhe as prej guximit të njerëzve, por vetëm e vetëm prej armëve bërthamore.
U desh që Perëndimi të humbë në fillim kuptimin sipëror të Hyjnores që të mund të ndihmonte pa iu dridhur dora pas Luftës së Parë Botërore në agoninë e ngadaltë të Rusisë së bërë copa-copa nga një bandë kanibalësh, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore – në shkatërrimin e Evropës Lindore. E megjithatë, këtu zuri fill procesi i gjatë i rrënimit të botës mbarë: Perëndimi nuk e kuptoi këtë, madje ndihmoi edhe vetë. Vetëm një herë gjatë këtij shekulli Perëndimi i bashkoi forcat e veta: për t’iu kundërvënë Hitlerit. Por frytet e kësaj fitoreje janë shterur prej shumë kohësh.Në luftën me antropofagët, ky shekull pa shpirt fetar sajoi një metodë anestezike: tregtinë! Ja deri në ç’lartësi ngrihet sot mënçuria jonë!
Po qe se do të mund t’u tregonim shekujve pararendës pragun që ka për të prekur bota në ditët tona, do të jehonte një klithmë e njëzëshme: “Ky është Apokalipsi!” Por ne jemi mësuar me të, madje kemi rënë në ujdi me të.
Dostojevski pat paralajmëruar: “Mund të vijnë ngjarje të rëndësishme, të cilat do t’i gjejnë të papërgatitura forcat tona intelektuale”. Kjo edhe ndodhi. Dhe po ai pat parashikuar: “Bota do të shpëtohet vetëm pasi të jetë vizituar nga shpirti i keq“. Që do të shpëtohet, kjo duhet parë. Shpëtimi do të varet nga ndërgjegja jonë, nga përparimi ynë në maturi, nga përpjekjet individuale e të përbashkëta përballë një gjendjeje katastrofike.
Një ka ndodhur tanimë: shpirti i së keqes lëviz ngadhnjyes duke ligjëruar gjerë e gjatë në të pesë kontinentet tanë.
Jemi dëshmitarë të rrënimit të botës: disa vende këtë rrënim e kanë pësuar, në të tjera shihet qartë. Krejt shekulli XX po gremiset në grykën e vorbullës së ateizmit e të vetëshkatërrimit. Kjo rënie në humnerë vesh veçori globale që nuk varen as nga sistemet politike e as nga niveli i ekonomisë, as nga veçantitë kombëtare. Aq pak e ngjashme në dukje me Rusinë e vitit 1913, Evropa ndodhet buzë së njëjtës greminë, por ajo ka mbërritur këtu përmes një udhe tjetër. Pjesë të ndryshme të botës kanë ndjekur rrugë të ndryshme, por të gjitha po mbërrijnë në pragun e një shkattërrimi të përbashkët.
Dikur edhe Rusia pat njohur kohëra historike në të cilat shoqëria nuk kishte si ideal as pasurinë e as arritjet materiale, por shenjtërimin e jetës. Rusia e atëhershme ushqehej nga Ortodoksia që i kishte mbetur besnike Kishës primare të shekujve të parë. Kjo Ortodosi e nderuar diti ta mbronte popullin pavarësisht nga dy apo tre shekuj zgjedhe të huaj dhe, në të njëjtën kohë, të hidhte poshtë sulmet e ulta të kryetarëve shpatëmbajtës të Perëndimit. Në ato kohëra besimi ortodoks brumte mendësinë, karakterin dhe sjelljen e njerëzve, strukturat familjare, jetën e përditshme, kalendarin, njëpasnjëshmërinë e punëve në shkallë jave e viti. Besimi bashkonte kombin dhe cimentonte fuqitë e tij.
Por në shekullin XVII Ortodoksia jonë fatkeqësisht u bre nga një përçarje e brendshme. Ndërsa në shekullin XVIII Rusia mbarë u trondit nga reformat tiranike të Pjetrit të Madh, që mbytën shpirtin fetar dhe jetën kombëtare, në dobi të ekonomisë, të shtetit e të luftës. Me arsimimin në një drejtim të vetëm, të imponuar nga Pjetri i Madh, edhe ne u prekëm nga flladi dinakërisht i helmët i laicizmit, i cili në shekullin XIX depërtoi në shtresat e arsimuara dhe i hapi rrugë të gjerë kalimit në marksizëm. Në vigjilje të revolucionit, besimi ishte zhdukur në mjediset e shkolluara. Ndërsa tek më pak të shkolluarit u cënua dhe u cungua.
Po Dostojevski, që gjykonte sipas mllefit të revolucionit frëng ndaj Kishës, nxirrte përfundimin: “Revolucioni duhet të fillojë domosdoshmërisht me ateizmin”. Dhe gjërat qëndrojnë pikërisht kështu. Por një ateizëm të organizuar, agresiv, si ai i marksizmit, bota nuk kishte njohur kurrë ndonjëherë. Në sistemin filozofik dhe në thelb të psikologjisë së Marksit e të Leninit, urrejtja kundër Zotit përbën shtysën fillore që u paraprin të gjitha projekteve të tyre politike dhe ekonomike. Ateizmi militant nuk është një hollësi, as element anësor, as pasojë shtojcë e politikës komuniste, por boshti i saj qëndror. Për të përmbushur pikësynimet djallëzore, komunizmi duhet të ketë një popullsi pa fe dhe pa atdhe, të shkallmojë si fenë, ashtu edhe kombin. Përndryshe këtë politikë të dyfishtë komunistët e shpallin dhe e praktikojnë gjithkund. Pëlhura e merimangës së atentateve e thurrur tani së fundi rreth Papës, tregon se deri në ç’pikë bota ateiste ndjen nevojën t’i verë dinamitin fesë, deri në ç’pikë feja i ngec asaj efektivisht në fyt.
Vitet 1920 në Rusi janë një varg i gjatë martirësh: thuajse krejt kleri ortodoks. Dy mitropolitë të pushkatuar; ai i Petrogradit, Veniamini, pat qënë zgjedhur nga gjithë populli. Vetë patriarku Tihon, pasi kaloi nëpër duart e Çeka-s e të GPU-së, vdiq në rrethana misterioze. Dhjetra kryepeshkopë dhe peshkopë të vrarë. Dhjetramijra priftërinj dhe fretër, të cilët çekistët donin t’i bënin të hiqnin dorë nga feja, u torturuan, vdiqën nën shkopinj, u dërguan në kampe përqëndrimi, u internuan në tundrën e shkretë të Detit të Veriut, ku, të plakur, të uritur dhe të pastrehë, u lanë në mëshirë të fatit. Të gjithë këta martirë të krishterë përballuan me guxim vdekjen për hir të besimit, vetëm disa fare të paktë dredhuan dhe u kthyen në renegatë. Dhjetra milionë njerëzve iu ndalua të hynin në kishë dhe t’i edukonin fëmijët me ndjenja fetare; u burgosën prindërit që t’i shkëputnin më lehtë fëmijët nga krahët e besimit përmes kërcënimeve dhe mashtrimeve. Rrënimi absurd i bujqësisë ruse rreth viteve 1930 që u quajt çkulakëzim dhe kolektivizim dhe që u mori jetën 15 milionë fshatarëve, u drejtua me pamëshirë dhe sot mund të thuhet se pati si qëllim të vetëm shkallmimin e mënyrës e jetesës tradicionale dhe kombëtare, sidhe për të çrrënjosur fenë në fshat. Tjetërsimi i shpirtrave u shtri edhe në Arqipelagun mizor, në të cilin njerëzit dërgoheshin për të mbijetuar për llogari të të tjerëve. Dhe vetëm disa ateistë gjysmë të marrë mundën të vendosin ta venë emrin bri projektit më të fundit që synon masakrimin e vetë natyrës ruse: përmbytjen e Veriut, ndryshimin e rrjedhës së lumenjve, turbullimin e jetës të Oqeanit Arktik, devijimin e ujrave drejt trevave jugore, të cilat kantiere të tjera të mëdha të komunizmit, jo më pak absurde, i kanë hedhur tanimë në greminë. I shtrënguar nga nevoja për të bashkuar të gjitha forcat kundër Hitlerit, Stalini i hyri një loje cinike me Kishën dhe këtë lojë mashtruese, e zgjatur nga inskenimet dhe propaganda e zhurmshme e paguar mirë, Perëndimi e mori për monedhë të mirë. Por se deri në ç’pikë e urren fenë komunizmi, mund të gjykoni pas shëmbullit të më liberalit ndër udhëheqësit e tij, Hrushov, i cili, teksa vendosi të ndërmarrë disa hapa substancialë drejt liberalizimit, rigjeti tërë zellin e çmendur të Leninit në asgjësimin e fesë.
Por, ndryshe nga ç’pritej – në atë vend me kisha të rrafshuara, ku ateizmi ngadhnjen dhe është i pafre prej treçerek shekulli, ku peshkopët poshtërohen aq sa të mos kenë më vullnet, ku simbolet e dukshme të Kishës nuk tolerohen përveçse për qëllime propagandistike në Perëndim, ku edhe sot e kësaj dite besimi fetar përbën krim dhe të çon në kamp përqëndrimi, ku madje edhe në kampe hidhen në burg ata që mblidhen për t’u lutur në ditën e Pashkëve… – tradita e krishterë i ka bërë ballë nivelimit të tornos komuniste.
Megjithse, i imponuar nga pushteti, ateizmi ka bërë tek ne kërdinë duke tjetërsuar miliona shpirtra, kemi gjithashtu edhe miliona besimtarë të tjerë ende të detyruar të heshtin dhe, ashtu siç ndodh shpesh në raste përndjekjesh dhe vuajtjesh, ndjesia e Zotit ka shënuar në vendin tim një thellësi tejçuese.
Në këtë fakt shohim shkëndijat e para të shpresës: Më kot fryhet komunizmi me raketa e tanke, më kot arrin ende suksese në pushtimin e planetit; ai është i dënuar të mos e mposhtë kurrë krishterimin. Perëndimi nuk e ka njohur ende dyndjen komuniste, feja këtu është e lirë.
Por itinerari i tij historik po arrin sot në tharjen e ndjenjës fetare. Edhe ai ka njohur tronditje të njëpasnjëshme, luftra fetare të përgjakshme, sfida. Dhe duke filluar me Mesjetën e vonë, ai, shkallë-shkallë – fakt i pakundërshtueshëm – është gëlltitur nga shekullarizmi. Por, për besimin, jo kërcënimi i një shfarosjeje nga jashtë, por i një anemie të brendshme mund të ishte edhe më i rëndë.
E pabesueshme: në Perëndim nocioni i kuptimit të jetës është brejtur gjatë dekadave për t’u katandisur në vetëm “fitoren” e lumturisë, të cilën shtetet janë ngutur ta përfshijnë në kushtetutat e tyre. Jo vetëm duke filluar me këtë shekull nocionet Mirë dhe Keq janë vënë në lojë duke u mënjanur me shkathtësi nga përdorimi i përditshëm në dobi të dënglave pa të ardhme mbi klasat apo partitë. Kësisoj na vjen turp tani t’u kthehemi sërish koncepteve të përhershme, na vjen turp të pranojmë që e keqja është ngulitur në zemrat e njeriut përpara se të depërtojë në sistemet politike, por askujt nuk i vjen turp t’i bëjë lëshime të plota çdo ditë së keqes dhe në pjerrinën e këtyre lëshimeve, gjatë një breznie, Perëndimi është duke rrëshqitur në mënyrë të pakthyeshme në humnerë. Shoqëritë perëndimore po e humbin gjithnjë e më shumë substancën e tyre fetare dhe po e hedhin me shpejtësi rininë në prehrin e ateizmit. Mos duhen, vallë, shembuj të tjerë mizorë? Shikoni Shtetet e Bashkuara, që gjithsesi mbahen si një nga vendet më fetare të botës, por ku shfaqet një film që fyen Krishtin apo ku një gazetë me jehonë në shkallë kombëtare boton një karikaturë të pacipë të Shën Mërisë! Kur të gjitha të drejtat formale i ke të gjera, ç’ke që bën pafytyrësira? Në rrethana të tilla, përse u dashka të pakësohet zjarri i urrejtjes, qoftë ajo raciale, klasore apo,më e pamëshirshmja, ajo ideologjike? Ajo bren kësisoj shumë shpirtra. Mësuesit ateistë e edukojnë sot rininë me urrejtjen ndaj shoqërisë së tyre. Por në këtë kritikë anashkalohet fakti që veset e kapitalizmit janë vese me karakter njerëzor, por që kanë marrë revan bashkë me të drejtat e tjera të njeriut; se nën komunizëm (që përgjon nga afër të gjitha trajtat e moderuara të socializmit që nuk janë aspak të qëndrueshme), të njëjtat vese nuk njohin as fre e as kontroll në të gjithë ata që kanë një fije pushtet (përsa i përket pjesës tjetër të popullsisë, ajo ka mbërritur me të vërtetë në barazi, por barazi në skllavëri e varfëri). E nxitur paprerë, kjo urrejtje po ngadhnjen sot në atmosferën e botës së lirë; zgjerimi i lirive individuale, rritja e fitimeve në nivel social, madje edhe ajo e konfortit, nuk bëjnë gjë tjetër përveçse në mënyrë paradoksale e shtojnë këtë urrejtje të verbër. Shoqëritë e zhvilluara të Perëndimit dëshmojnë sot se shpëtimi i njeriut nuk varet nga begatia materiale dhe as nga suksesi i bizneseve.
Kjo urrejtje e nxitur parreshtur shtrihet mbi çdo gjë të gjallë, madje mbi vetë jetën, mbi ngjyrat dhe tingujt e saj, mbi trajtat e saj, e trupit njerëzor, ndërsa arti i vërtetë i shekullit XX humbet nga kjo urrejtje e përbindshme, sepse pa dashuri, arti është shterp. Në Lindje arti ka rënë ngaqë është përmbysur e shkelur me këmbë; në Perëndim ai ka rënë vetiu meqënëse është vërsulur drejt kërkimesh cerebrale dhe pretencioze, ku njeriu synon jo të pasqyrojë Zotin, por t’ia zerë vendin Atij. Edhe një herë konstatojmë me këtë rast rezultatin e rëndomtë të një procesi universal, përkimin e rezultateve të shënuara si në Perëndim, ashtu edhe në Lindje. Dhe sërish një arsye e vetme për të gjitha këto: “Njerëzit e kanë harruar Zotin”.
Përballë trysnisë së ateizmit universal, besimtarët janë të përçarë, shumë syresh janë të çorientuar. Por bota e krishterë apo ajo që ka qënë bota e krishterë do të bënte mirë të mos e harrojë shembullin e Lindjes së Largme. Pata rastin tani së fundi të konstatoj se në Japoni apo në Kinën e lirë, megjithse konceptet fetare janë më të larme, shoqëria dhe rinia, me lirinë e zgjedhjes të barabartë me atë të Perëndimit, janë më pak të prekura nga fryma shkatërruese e laicizmit.
Ç’të flasim për ndarjen midis feve të ndryshme kur vetë krishterimi është kaq i copëzuar! Vitet e fundit Kishat kryesore të krishtera kanë bërë disa hapa drejt pajtimit. Por këto hapa janë tepër të ngadaltë, bota vrapon drejt greminës me një shpejtësi njëqind herë më të madhe. Edhe nëse nuk pritet që këtu një shkrirje e Kishave, as ndonjë modifikim i dogmës, por një rezistencë e përbashkët ndaj ateizmit, progreset janë ende tepër tepër të pakta.
Sigurisht që ekziston një lëvizje e organizuar për ribashkimin e Kishave, por e çuditshme. Në dukje më i shqetësuar për suksesin e lëvizjeve revolucionare në vendet e Botës së Tretë, Këshilli Ekumenik i Kishave bën veshin të shurdhër ndaj përndjekjeve fetare atje ku ato janë më sistematike: në BRSS. Është e pamundur të mos i shohë; por, për shkaqe politike, ai parapëlqen të bëjë një sy qorr e të mos ndërhyjë. Atëhere ç’mbetet nga krishterimi?
Me hidhërim të thellë duhet të them këtu (nuk mund të hesht) se paraardhësi im, titullari i vitit të kaluar i këtij Çmimi (predikuesi baptist Billy Graham, sh. ynë) iu bë krah publikisht gënjeshtrës komuniste në muajt e marrjes së Çmimit, duke deklaruar, megjithse duket sheshit, se nuk paska vënë re përndjekje fetare në BRSS. Qielli e gjykoftë para të gjitha viktimave të vrara apo të shtypura!
Në një shkallë më të gjerë shohim sot se, pavarësisht nga manevrat politike nga më dinaket, litari po shtrëngohet rreth fytit të njerëzimit, çdo dekadë përherë e më pamëshirshëm, dhe nuk ka rrugëdalje për kërkënd, kurrkund, as atomike, as politike, as ekonomike, as ekologjike. Kështu të paktën duket se qëndrojnë punët.
Përballë maleve dhe greminave të ngjarjeve botërore, mund të duket qesharake dhe e tejkaluar të rikujtojmë faktin që gjithsesi çelësi themelor i ekzistencës ose i asgjësimit tonë ndodhet në zemrën e secilit prej nesh, në parapëlqimin që ka çdonjëri veçmas për Të Mirën apo Të Keqen konkrete. Por, sot, njëlloj si edhe dje, ky çelës mbetet më i sigurti. Teoritë sociale premtuese kanë dështuar dhe na kanë lënë në udhëkryq. Natyrisht njerëzit e lirë të Perëndimit duhet të kuptojnë se rreth tyre janë grumbulluar shumë gënjeshtra që livadhisin lirshëm dhe të mos pranojnë të qëndrojnë kaq pasivë ndaj tyre. Është e kotë të kërkojmë një rrugëdalje për gjendjen e botës pa e kthyer ndërgjegjen në pendesë drejt Krijuesit të gjithçkaje; asnjë rrugëdalje tjetër nuk kemi për të pasur dhe nuk kemi për të gjetur. Por tepër të pafat janë mjetet që kemi rezervuar për këtë. Para së gjithash duhet parë e keqja e tmerrshme – jo ajo që do të kishin bërë armiqtë e vendit – sidomos në gji të shoqërive më të lira e më të zhvilluara, sepse atje e kemi bërë vetë ne, me dëshirë. Po qe se litari shtrëngohet përditë e më shumë, kjo u detyrohet egoizmit dhe moskokëçarjes sonë.
Le të vetëpyetemi: a nuk janë, vallë, mashtruese idealet e epokës sonë? Apo terminologjia në modë dhe e mbushur me kaq siguri? Nga kjo burojnë këto zgjidhje të sipërfaqshme për ndreqjen e situatës. Para se të jetë tepër vonë, ato duhen rishqyrtuar, veç e veç, me një këqyrje të pastër. Zgjidhja e krizës nuk gjendet në rrugët e rrahura të koncepteve për të cilat flitet përditë.
Jeta jonë konsiston jo në kërkimin e suksesit material, por të progresit shpirtëror të denjë për këtë emër. Krejt ekzistenca jonë nuk është gjë tjetër përveçse një etapë e ndërmjetme drejt një jete më të lartë: bëhet fjalë për të mos u gremisur nga ky stad dhe për të mos mbetur të shterpë në të. Ligjet fizike dhe fiziologjike nuk do të na i zbulojnë asnjëherë të vërtetën e padyshueshme që në mënyrë konstante dhe përditë Krijuesi merr pjesë në jetën e secilit prej nesh, se Ai na jep me besueshmëri energjinë për të ekzistuar. Atëhere kur kjo ndihmë nuk na jepet më, vdesim. Pjesëmarrja e Tij në jetën e krejt planetit është më e madhe dhe lipset që ne të ngjizemi me të në këtë epokë të zymtë dhe kërcënuese.
Shpresat e pathemelta të dy shekujve të fundit na çuan në kurrgjë. Vdekjes atomike apo ndonjë tjetre, mund t’i kundërvemë vetëm kërkimin këmbëngulës të dorës së ngrohtë të Perëndisë, të cilën, me mospërfilljen tonë, e kemi larguar nga vetvetja. Vetëm atëhere sytë tanë do të hapen mbi këtë shekull fatkeq XX dhe duart tona do të zgjaten për t’ia ndrequr gabimet. Asgjë tjetër nuk do të mund të na nbajë për të mos u vithisur poshtë e më poshtë: nuk na ka mbetur më shumë nga të gjithë mendimtarët e Dritave.
Të pesë kontinentet tanë janë kapur në këtë vorbull. Por orvatje të tilla nxjerrin në pah edhe virtytet më të larta të shpirtit njerëzor. Po të shuhemi, po të bëjmë të shuhet kjo botë, faji ka për të qënë vetëm yni.
Marrë nga: http://h-texte.blogspot.ro/2014/11/aleksander-isajevic-sollzhenicin.html#more