Aleanca Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Vengu: Kosova së fundmi ka qenë e ekspozuar ndaj aktiviteteve terroriste

Të martën, në Tiranë u nënshkrua një aleancë ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Ky veprim, në shtetin fqinj, Serbi, u interpretua si kërcënim për ta.
E nikoqiri i takimit të djeshëm, ku edhe u finalizua marrëveshja, ka thënë se kjo aleancë nuk ka lidhje me pretendimet e pabaza të Serbisë.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se kjo marrëveshje ka tre komponentë, dhe i fundit ka të bëjë me mbështetjen e Kosovës.
“Komponenti i tretë ka të bëjë me mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë dhe Kroacisë për Kosovën në anëtarësim në BE dhe në NATO. Ishte një element shumë i rëndësishëm që ne e kërkuam me ngulm, dhe kolegët kroatë e përqafuan si qasje dhe kjo marrëveshje u konkludua me sukses”, tha Vengu.
Ai tha se një element thelbësor i kësaj marrëveshjeje është vëmendja që Shqipëria dhe Kroacia të kenë në raport me sigurinë e Kosovës dhe në tërë rajonin.
“Shqipëria dhe Kosova i shohin kërcënimet dhe rreziqet në rajon në mënyrë të njëmendtë. E kemi të njëjtin lexim për kërcënimet që na vinë nga palët e treta, jashtë NATO-s dhe BE-së. Marrëveshja është një aleancë e natyrshme mes shqiptarëve dhe kroatëve”, u shpreh ministri shqiptar.
I pyetur nëse Kosova kërcënohet ushtarakisht nga Serbia, a do të çojnë Shqipëria dhe Kroacia trupa shtesë, Vengu tha se KFOR-i është forca kryesore e sigurisë në Kosovë.
“Shqipëria e Kroacia kanë qenë vendet që kanë mbështetur rritjen e trupave të KFOR-it në Kosovë, sikundër që kemi bërë me rritjen e kontingjenteve tona në Bosnje. Garancia e dytë e sigurisë së Kosovës vjen përmes zhbllokimit të dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimit të Kosovës në të gjitha platformat rajonale të sigurisë, siç janë Karta e Adriatikut e të tjera që çojnë drejt anëtarësimit në NATO sikundër edhe procesi i negociatave që vlen për pjesën e anëtarësimit në BE”.
“Nuk është kjo një marrëveshje që parashikon një qasje agresive ndaj dikujt në rajon. I kam dëgjuar reagimet, shpeshherë edhe reagimet e mediave të rajonit që e perceptojnë si një kërcënim ndaj Serbisë apo kujtdo tjetër në rajon. Edhe homologu im, ministri Maqedonci, e ka specifikuar dje se nuk jemi një aleancë që ndërtohet kundër dikujt, por aleancë për mbrojtje dhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes në mënyrë që këto vende të rrisin kapacitetet e tyre të mbrojtjes duke përfituar nga ekspertiza kroate në disa raste e nga ajo shqiptare në raste tjera, dhe t’i jepen Kosovës të gjitha shanset që të integrohet politikisht dhe ushtarakisht në të gjitha mekanizmat rajonale”, potencoi ministri shqiptar i Mbrojtjes.
.
Vengu foli edhe për kërcënimet e sigurisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Ai tha se vlerësimet e Shqipërisë nga pikëpamja e kërcënimeve të sigurisë së Kosovës, janë të dukshme “sidomos viteve të fundit”.
Kosova në këtë periudhë, ai tha se “ka qenë e ekspozuar ndaj aktiviteteve terroriste, destabilizuese dhe aktiviteteve që synojnë përmes ndërprerjes së infrastrukturës së saj kritike të krijojnë situata destabilizimi”.
“I kemi evidentuar këto kërcënime, i kemi dënuar këto fakte edhe në tryezat e NATO-s, dhe gjithmonë duhet të kuptojmë se si vend anëtar i NATO-s kur vjen puna për Kosovën, i kemi dy kapela: e kemi kapelën e vendit anëtar që ka çuar trupa në KFOR, dhe kemi një qasje kolektive për Kosovën ku garancia e parë është NATO dhe KFOR-i, dhe kemi kapelën e vendit amë. Në fund të fundit, Shqipëria dhe Tirana në sensin zyrtar dhe diplomatik e shikon Kosovën edhe në këndvështrimin atdhetar. Sikundër ne i shohim në të njëjtën mënyrë edhe shqiptarët e Malit të Zi, të Luginës e Maqedonisë së Veriut, dhe nganjëherë keqkuptohet ndonjë divergjencë sado e vogël që mund të kenë Tirana dhe Prishtina kur vjen puna se si e shohim të ardhmen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Shqipëria ka një përgjegjësi edhe kushtetuese më të gjerë. Ne sigurohemi që të mbrojmë interesat e të gjithë shqiptarëve në rajon, jo vetëm të Kosovës”.
“Vlerësimi ynë dhe i të gjitha strukturave aleate, është që në zonën kufitare janë bërë disa përpjekje për të krijuar situata destabilizimi dhe situata që cenojnë rendin dhe sigurinë. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe vigjilentë që të parandalojmë këto situata, ndaj kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur që NATO të kërkojë një vigjilencë më të madhe që KFOR-i të ketë instrumente më të mëdha edhe operacionale edhe mjetesh e sistemesh në dispozicion në terren, sepse kërcënimet mund të jenë edhe të natyrave hibride e sabotazhe”.
“Sikundër kemi kërkuar gjithmonë që qeveria e Kosovës të rakordojë të gjitha veprimet e saja me KFOR-in, sidomos për veprimtaritë në zonat kufitare. Gjykojmë se nuk ka zgjidhje më të mirë sesa një bashkërendim i forcave të KFOR-it dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës për çdo veprimtari që ndodh në zonat kufitare. Kjo është edhe në të mirën e legjitimimit të FSK-së në gjithë territorin, është në të mirën edhe çfarë kërkon KFOR-i që të ketë bashkërendim e jo veprime unilaterale”, deklaroi ministri Vengu./Periskopi/