Albulena Haxhiu intervistohet nga Prokuroria Speciale

Albulena Haxhiu intervistohet nga Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale njoftoi se është intervistuar të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me deklarimet e saj për arratisjet e ndodhura së fundmi nga burgjet e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Speciale përmes një njoftimi për media.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Intervistimi i saj ka ndodh me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 korrik 2024, lidhur me arratisjet që kanë ndodh nga burgjet e Kosovës.

Intervistimi i Haxhiut për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdoj edhe nesër”, thuhet në njoftim.

Ditë më parë, ministrja Haxhiu ka deklaruar se sipas informacioneve, arratisjet nga burgjet janë organizuar dhe nxitur nga grupe kriminale “të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.

Shpërndaje në: