Albini si ka bërë asgjë Edi Ramës, çfarë i ka bërë Glaukut
Shkruan: Mero Baze
Ka shumë rëndësi të kuptohet gjesti i Glauk Konjufcës, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, i cili pasi doli nga takimi me kryeministrin e Shqipërisë, tha para shtypit një gënjeshtër e cila synonte të helmonte dhe më tej atmosferën dhe ashtu armiqësore që Albin Kurti kishte përgatitur gajtë vizitës së tij në Kosovë.
Ai u tha gazetarëve se “drafti i Edi Ramës u jep autonomi serbëve dhe se ishte i papranueshëm për qeverinë e Kosovës”. Ndërkohë takimi është me më shumë se një dëshmitarë dhe ashtu siç tha kryeministri i Shqipërisë, nuk është diskutuar për këtë çështje me Glaukun.
Shpikja e një bisede të pazhvilluar në një takim të rëndësishëm mes presidentes së Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë, në prani edhe të ambasadorit amerikan, nga një i tretë që ishte aty si një gjymtyrë e aparatit përgjues të Albin Kurtit, tregon problemin real që ka qeverisja e Albin Kurtit.
Problemi i parë është besueshmëria e zyrtarëve të tij. Ata nuk shkojnë në takim me mendtë e tyre, dhe akoma më keq, nuk dalin nga takimet as me ato që kanë dëgjuar, por me dëshirat e liderit të tyre.
E zëmë për një moment se nuk ishte kryeministri Rama në takim, por ai i Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut. Çfarë do të ndodhte nëse Konjufca do shpikte diçka që i pëlqen Albinit dhe jo diçka që është folur aty? Natyrisht do fuste në sherr dy vende.
Tjetër punë se me Shqipërinë nuk hyn dot në sherr, për shkak të raporteve specifike, por gjesti i tij tregon se zyrtarët e Albin Kurtit në fakt janë jo vetëm të pabesueshëm, por dhe pa personalitet në çdo takim që marrin pjesë. Janë thjeshtë zgjatim i gjymtyrëve të tij fizike aty.
Problemi i dytë është predispozicioni për të rritur klimën armiqësore ndaj kryeministrit të Shqipërisë. Me refuzimin për t’u takuar me Edi Ramën, Albin Kurti donte t’u thoshte mbështetësve të tij se ai është një armik. Madje nxorri dhe një “guerrilas” aty afër makinës t’i bërtiste “tradhtar”. Shyqyr nuk e qëlloi me vezë siç e ka zakon.
Por me helmin e derdhur përmes gojës së Konjufcës, ai donte dhe ta justifikonte armiqësinë që po mbjell në Kosovë ndaj Shqipërisë dhe Edi Ramës. Dhe kjo tregon shumë për ligësinë dhe skuthllëkun e një lideri që nuk ka guxim të përballet dhe përpiqet të përdorë qenie të gjalla si kamikazë kundër Ramës.
Problemi i tretë dhe më i rëndë, ka të bëjë me denigrimin e personalitetit të njerëzve që ai ka në pushtet, për t’i pasur vetëm si ushtarë. Glauk Konjufca, është formalisht kryetar i Kuvendit të Kosovës. E dimë që është besnik i Albin Kurtit, e dimë që është aty se është në një llogore politike me të, por megjithatë ai formalisht përfaqëson një institucion të lartë zyrtar të Kosovës.
Kur Albin Kurti denigron dhe poshtëron deri në këtë pikë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, duke e përdorur si shpifës publik për qëllimet e tij, merret me mend ç’mund t’iu bëjë atyre që ka emëruar ministra, drejtorë apo kryetarë komunash.
Ai gjest është skaneri real që tregon çfarë pushteti do të ndërtojë në Kosovë Albin Kurti, me njerëz pa personalitet, të keqpërdorshëm për gjëra dhe të rrezikshme, siç janë marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe mbi të gjitha, të gatshëm për të mos pasur turp pas kësaj.
Mbaj mend Veton Surroin në një nga takimet ndërkombëtare shqipatro-serbe për Kosovën, në përpjekje për të krijuar klimë bisedimesh në fund të viteve ‘90, kur e pyetën se çfarë mendonte i dërguari serb në konferencë për Kosovën dhe ai tha pak a shumë se “ai që mendon është vetëm një njëri, por ai nuk është këtu, është në Beograd.” E kishte fjalën për Milosheviçin.
Njësoj dhe Glaukut nuk mund t’i vësh faj. Ai nuk ka të drejtë të mendojë. Vetëm të flasë. Ai tjetri që mendon ishte fshehur në zyrën e tij. Albini nuk i ka bërë asgjë Edi Ramës kur shikon çfarë i ka bërë Glaukut dhe të vetëve.