“Albin, the Napoleon”
Vërejtje për lexuesit: Kjo nuk është analizë politike dhe as partiake, por një interpretim stilistik i pavarur.
Ndonëse anija s’ka zbarkuar ende por valët po e sjellin tashmë në breg, tehu i ecjes së Albin Kurtit drejt restaurimit është mikroskopik. Një rrëshqitje jashtë normalitetit që na duhet, do të mund ta shndërronte Albinin që i ngjason Napoleonit të Francës, në Albinin që i ngjason Napoleonit të Orvellit. Të parin, shoqëria ka gjasë ta tolerojë deri në disa kufij të caktuar. Të dytin, shoqërisë nuk i leverdisë ta tolerojë asnjë çast. Zgjedhja është e shoqërisë, ndërsa zgjidhja është e Albinit.
Ambicia e një djaloshi Korsikas, i papërfillur në rrethet e aristokracisë ushtarake franceze, nuk do të ishte realizuar kurrë brenda kuadrit të asaj aristokracie, nëse ai nuk do ta kishte marrë fatin në duart e tij. Kurdo që trajtojmë historinë e perandorive moderne, artin e luftës dhe luftërave revolucionare apo Kodin Civil, nuk mund ta shmangim një emër kapital që i lidhë këto procese. Emrin e Napoleon Bonapartit.
Ka shumë çfarë të flitet për Napoleonin por meqë nuk jemi në orë historie, do të shkëpus disa sekuenca që kanë relevancë, për të na futur në profilin tjetër që është subjekt i kësaj eseje, atë të Albin Kurtit. Kjo për faktin se edhe pse në shikim të parë i pa vërejtur, ekziston një nuancë ngjasimi interesant në mes këtyre dyve.
Fillimisht dua të sqaroj se për mua, Napoleoni nuk është burrështetas për t’u admiruar. Nëse për asgjë tjetër, ai me luftërat dhe pushtimet e tij ka grabitur pasuritë e shumë kombeve, ka shkatërruar ekonominë evropiane, si dhe ka shkaktuar afër 6 milion viktima ushtarake e civile. Ai madje ka ditur të bëjë masakra me bajoneta, në mënyrë që t’i kursejë plumbat. Për ironi, një të tillë e ka bërë mbi ushtarët që ishin dorëzuar në “besë” gjatë rrethimit të Jaffas, asokohe pjesë e Perandorisë Osmane, ku sipas kronikave, pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptarë. (Shih: Memoarin e Luis Antoine de Bourrienne)
Megjithatë, meqë nuk është e rëndësishme se si e shoh unë, duhet thënë pa dyshim se Napoleoni ishte një burrështetas i përmasave botërore, e veçmas një epokë e lavdishme në vetvete për historinë e Francës. Dhe për të qenë i tillë, ai nuk ishte absolutisht një rastësi. Ai ishte prodhim i stilit politik të ambicies, kombinuar me rrethanat që kërkojnë rend dhe me hapësirën që iu lihet me plebishit, atyre që duan ta vendosin këtë rend në emër të shoqërisë.
Për ta përmbushur ambicien e vet, Napoleoni u desh të mbështillej në mes të tri rrymave: nacionalistëve korsikas që donin pavarësinë nga Franca, lojalistëve të monarkisë, si dhe revolucionarëve që prodhuan terrorin e Republikës Franceze. Ngritja e tij si ushtarak e më vonë si burrështetas, nuk erdhi si rezultat i një përcaktimi për njërën nga këto tre rryma, por si një aftësi për të operuar me to, e përfundimisht mbi to. Mjafton ta konsiderojmë faktin se Napoleonin e prodhoi Republika që kishte shembur monarkinë, të cilën republikë ky e riktheu në monarki, veçse tashme me vetën e tij në krye të saj.
Napoleoni e nisi pushtetin e tij me grusht shtet por e konsolidoi me votë popullore e plebishitare. Ai i përdori dhe ua shiti popullit francez fitoret e tij ushtarake, si një premtim i autoritetit që atyre iu duhej aq shumë për t’i nxjerrë nga anarkia. Ai këtë edhe e arriti, veçse me kosto të lartë. E kishte futur Francën në një seri fushatash ushtarake e pushtimesh rraskapitëse. Natyrisht se kjo aventurë do ta sillte një ditë me shpatulla për muri. Ndodhi kjo pikërisht në Betejën e Leipzigut, më e madhja në histori para Luftës së Parë Botërore.
Pas detyrimit për abstenim nga titulli perandorak dhe internimit në Elbë, Napoleoni me pak mbështetës do të zbarkonte sërish në tokën franceze. Aty e priste një Regjiment i tërë që kishte urdhër për ta ndalur marshimin e tij. I gjendur ballë për ballë me ta, na kumtohet se në atë moment u shkëmbyen dy fjali të vetme: “Doni ta vrisni Perandorin tuaj? Ja ku e keni” iu kishte thënë Napoleoni. Ndërsa përgjigjja e ushtarëve që kishin urdhër ta ndalonin, ishte zhurmuese: “Rroftë Perandori”. Kështu, ai u rikthye si Perandor. Por pas 100 ditë qeverisje, u gjend serish në luftë. Me humbjen e Betejës së Vaterlosë, ai do s’postohej përfundimisht nga perandoria, e pastaj nga vetë historia, duke vdekur i vetmuar në Santa Helena, një ishull në Atlantik që s‘figuronte as në hartë.
Momenti i rikthimit të tij si perandor, u bë ashtu siç edhe erdhi herën e parë në krye të vendit. Me turma e me brohoritje. Ndonëse populli francez e kishte përjetuar nën lëkurë peshën e fushatave të tij, Napoleoni iu kishte dhënë aq krenari francezëve saqë sërish shihej si simbol i një magjepsje që francezët e toleruan si dehje kolektive. Shansi i tij i dytë pas restaurimit, pritej të ishte momenti që populli francez e priste për t’u këndellur. Por kjo këndellje nuk erdhi siç pritej. Ajo nuk erdhi nga një perandor që kishte reflektuar. Ajo erdhi si fatkeqësi për vendin, pas humbjes në Vaterlo. Thuhet se kur ushtritë e Britanisë, Austrisë dhe Prusisë rrethuan Parisin, ishin vetë francezët që shpallën se këto ushtri nuk po luftonin kundër Francës por kundër Napoleonit. Ky ishte momenti i vërtetë i këndelljes së francezëve dhe i reflektimit që i liroi ata nga barra me të cilin Napoleoni i kishte ngarkuar. Më tutje çdo gjë është histori.
Napoleoni ka zënë vend në këtë ese për shkak të disa rrethanave krahasuese me ish kryeministrin tonë dhe tashmë pretendentin e serishëm apo kryeministrin në ardhje, Albin Kurtin. Ngjashëm si Napoleoni, Albin Kurti nuk është truallist me origjinë kosovare. Por përderisa Napoleoni si korsikas nuk fliste mirë frëngjisht, Albin Kurti si një malësor i trojeve që sot janë jashtë kufirit tonë, me bashkimin e të cilave shpesh herë ka flirtuar si diskurs, është njohës i mirë jo vetëm i gjuhës por edhe i mendësisë kosovare.
Në rrugëtimin e tij politik, ngjashëm si Napoleoni, Albin Kurti është gjendur në mes të tri rrymave. Së pari, në mes të nacionalistëve shqiptar që e donin bashkimin kombëtar të Kosovës me Shqipërinë. Së dyti, në mes të një grupimi që proklamonte një filozofi paqësore si alternativë dhe instrument për të arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Së treti, në mes të kastës politike të luftës çlirimtare që në aleancë me NATO-n, përmbysi regjimin pushtues të Millosheviqit, epilogu i të cilës ishte shpallja e Republikës sovrane të Kosovës. Gradualisht, Albin Kurti do të flirtonte me të tria, për tu bërë një hinkë në cilën do të hidheshin mbështetësit e këtyre rrymave, në një përzierje të pazakontë. Ai pra, ngjashëm si Napoleoni, nuk ndoqi asnjërën plotësisht por i përvetësoi të tria nga pak.
Një element tjetër i rëndësishëm që e ofron ngjashmërinë politike në mes këtyre dy personazheve, është protagonizmi i qasjes ndaj historisë, pas ngjarjeve historike. Napoleoni nuk ishte figura qendrore dhe as e përafërt e Revolucionit Francez. Atë e kishin drejtuar armiqtë e përbetuar të absolutizmit dhe Ancien Regime (Regjimi i vjetër monarkist). Ndonëse Napoleoni kishte luftuar në luftërat revolucionare franceze, gjatë ngritjes së tij politike ai thjeshtë do t’i përdorte rrethanat që Revolucioni ia shtroi përpara. Po ashtu, Albin Kurti nuk i takon plejadës së revolucionarëve kosovarë që përmes luftës e në aleancë me NATO-n, e larguan pushtetin serb nga Kosova. I gjendur një hap mbrapa historisë së luftës për liri të cilën e kishin drejtuar armiqtë e përbetuar të Jugosllavisë, Albini, u bë një interpretues mbledhjesh e zbritjesh i të mirave e të këqijave që revolucioni kosovar i çliroi si potencial pas lufte.
Ngjashëm si Napoleoni, edhe Albin Kurti është ngritur politikisht nga turma dhe vokacioni. Këtë turmë e kemi parë në protesta. E kemi parë edhe në gjykimin irracional duke i marrë si të vërteta të patjetërsueshme qëndrimet e Albinit, nga të gjithë ndjekësit e tij. Madje mund ta them pa dilemë se ndjekësit e Albinit, nuk ua lëshojnë rrugën për brohoritje, ushtarëve të regjimentit para të cilit qëndroi dikur Napoleoni.
Ngjashëm si Napoleoni, të cilin e ngriti republika e që ky e shndërroi sërish në monarki, duke i kthyer privilegjet aristokratike e konformiste, edhe Albinin e kemi parë tek heqë dorë nga parimet në të cilat është thirrur gjatë, përfshirë edhe privilegjimin e politikanëve që dikur i quante mbetje të Jugosllavisë me të cilët më pas bëri edhe koalicion.
Shkallës së ngjashmërive mes këtyre dyve, po ua shtojmë edhe faktin se Napoleoni erdhi në pushtet e qeverisi për një dekadë, ndërsa pas rënies u rikthye dhe qeverisi për afër katër muaj. Në rastin e Albinit, shtrirja kohore sipas tij, ka tendenca të shkojë në anë të kundërt. Ai u bë kryeministër dhe qeverisi për afër katër muaj, ndërsa tashmë ka shfaqur hapur pretendimin për të qeverisur për një dekadë. Pra, ngjashëm siç edhe Napoleoni dikur, Albin Kurti sot është në anije duke rrugëtuar drejt restaurimit për një mandat të dytë.
Ajo çfarë na intrigon në këtë drejtim, ku edhe duhet të shkëputemi nga historia e t’i kthehemi aktualitetit, është nëse Albin Kurti ka mësuar nga gabimet e Napoleonit.
Për afër dy dekada angazhim publik e politik, Albini është etabluar në shoqërinë kosovare të pas luftës si një pol i veçantë. Nga një person i pa zhvilluar politikisht siç duhet në fillet e tij, ai ka nxitur një lëvizje politike të paprecedent në Ballkanin paskomunist. Ai sot, ka fituar në masë të madhe edhe turmën dhe pothuajse është bërë një me të.
Nuk është aspak fshehtësi se tek Albini e gjejmë simpatinë për Revolucionin Francez dhe Republikën Franceze. Jo këtë Francën aktuale si përshtatje me rendin botëror liberal e demokratik, por atë Republikën Franceze të ideve që nisin me Rusoin e zhvillohen më tutje në praktikë nga Jakobinët.
Në mes temash specifike të kësaj mendësie që Albini i ka transplantuar nga Franca e Revolucionit për t’ua diktuar si alternativë popullit kosovar dhe mbështetësve të tij, janë lufta kundër privilegjit, korrupsionit, pabarazisë dhe padrejtësisë. Të lënduar nga këto fenomene, shoqëria kosovare pa përjashtim, ka pasur shumë nevojë që këto tema të zinin vend me këmbëngulje në diskursin politik e shtet ndërtues dhe është shumë e qartë se të tjerët kanë dështuar t’i zotërojnë mjaftueshëm. Por Albini ka shkuar një hap më tutje. Ndonëse ai nuk ka ofruar zgjidhje konkrete për to, megjithatë i ka etabluar deri në shkallën e një ftese morale që është vështirë t’i rezistosh. Pra, ai sot është bërë një pretendent puritan përmes së cilit, shoqëria kosovare do ta shpërlajë vetveten nga veset e këqija që janë instaluar e kanë dalë në shesh pas çlirimit.
Mësymja e tij për ta “çkapur shtetin” e përmes këtij akti, për ta “kapur shoqërinë” në një mënyrë të paprecedent deri më tani, në fakt nuk është veprim ad hoc, por një mësymje e menduar mirë. Ajo ka zënë rrënje qysh në Manifestin e Vetëvendosjes, në Deklaratën për Komunën, në 100 Pikat Programore ku kërkohet të ri definohet Republika dhe është zhvilluar më tutje me Alternativën Qeverisëse.
Këtë “mësymje” Albini u provua të na e dëshmojë në qeverisjen e tij të shkurtë. Shkarkoi borde e zyrtarë institucionesh. Shembi raportin diplomatik konvencional të shtetit të Kosovës me partnerët e saj, përfshirë SHBA-në që pa asnjë dyshim e themeluan këtë shtet. Në vend të fokusit në qeverisje, u fokusua të diskreditojë akterët e tjerë politik në vend dhe përtej vendit. U përpoq të ndryshojë edhe aleancën tradicionale diplomatike duke u konfrontuar me SHBA-të dhe duke flirtuar me Bashkimin Evropian. Dhe për epilog, forcat konservatore u bënë bashkë për ta rrëzuar nga pushteti, sepse askush nuk kishte siguri mbi mënyrat e Albinit dhe vizionin e tij radikal për një shoqëri të vogël, përvoja e të cilës me pushtetin dhe shtetin si raport legjitim në mes tyre është ende e re. Pra ai u rrezua, ngjashëm siç Napoleonin e rrëzuan dikur kushërinjtë e mbetur të regjimit të vjetër francez.
Në anën tjetër, ngjashëm siç Napoleoni që ndryshoi Francën, nuk ka asnjë dyshim se përmes Albinit, një ndryshim po premtohet të ndodhë në Kosovë, që s’mund të pritet se do të nxitej të ndodhte nga forcat tjera politike tradicionale. Por ndryshimi për të qenë i drejtë, i suksesshëm dhe i mundur, ai duhet të jetë në radhë të parë i sigurte. Rikthimin e tij siç duket, mbështetësit e tij po e presin sërish me vokacion. Jo vetëm mbështetësit e dikurshëm, por edhe një masë e re kritike që duan dhe presin me padurim një shkundje ndaj abuzimit dhe një “moral të ri publik” në qeverisje, që nuk korruptohet dhe nuk abuzon. I mbetet atij t’ia dëshmojë qytetarëve se ka reflektuar thellë dhe se tashmë nuk e ka në mendje mësymjen për ndryshim, por qeverisjen që ndryshon. Pra tani, para se Albin Kurti të mësyjë restaurimin në qeverisje që e pretendon me ngulm, të cilën e siguroi përmes zgjedhjeve e duhet ta çelikosë përmes koalicioneve, ai duhet ta kuptojë fillimisht se Kosova nuk është Franca e Revolucionit, dhe as ai vetë, nuk është Napoleoni.
Duhet ta kuptojë po ashtu se “e vërteta”, nuk është themeluar prej tij e më të, sepse një rend politik liberal e demokratik ekziston tashmë në Kosovë dhe do të ekzistojë edhe pas tij. Duhet po ashtu ta kuptojë se Kosova nuk është fuqi politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike që të bëjë një prerje radikale nga ambienti gjeopolitik ku bën pjesë. Duhet mbi të gjitha ta kuptojë se qytetarët e Kosovës përmes tij, duan ndryshimin që çliron potencialin për ndryshim të vazhdueshëm demokratik, e jo modelin e tij qeverisës e ideologjik si stampë që vulosë historinë e Kosovës në mileniumet e ardhshme të saj.
Pra, ai thjeshtë duhet të reflektojë, për ta kuptuar se shoqëria në emër të së cilës thirret, është duke e përdorur Albinin për ndryshimin që i duhet kësaj të fundit.
Fundja, 100 ditët e qeverisjes së Napoleonit që i dhanë fundin, nuk ishin ditët më të mira të tij. Napoleoni ndryshimin e vërtetë në Francë, e bëri në mënyrë graduale e të sigurt në dekadën e parë të qeverisjes. Pse 100 ditët e Albinit i kemi parë që s’qenë gjë tjetër veçse një tendencë për ndryshim përmbysës e të pasigurt, kjo s’ka dilemë. Në restaurimin e tij, do të ishte dashur ta prisnim ndryshimin e vërtetë në mënyrë graduale e të sigurt. Jo si një shpëtim arbitrar por si një kooperim shoqëror. Jo kundër të gjithëve por së bashku me të gjithë. Edhe ashtu, Kosova nuk është aktualisht në ditët e saj më të mira dhe vetëm një kooperim normal i pangarkuar ideologjikisht, do të mund ta risjellë Kosovën në ritmin e duhur të ngritjes dhe zhvillimit. Në të kundërtën, një devijim milimetrik nga kjo perspektivë, veçse do ta shpejtonte rikthimin e “regjimit të vjetër”, logjikës që Albini e ka huazuar nga Jakobinët e me të cilën përshkruante pushtetet e deritanishme, fuqia e të cilave duket sikur është zbehur por s’ka rënë dhe mund të ngritët në çdo çast.
Për ta bërë këtë transformim normal, Albini duhet të tërhiqet nga liturgjia e puritanizmit dhe të fillojë të operojë politikisht me njerëzit e zakonshëm të Kosovës e me problemet e tyre të përditshme. Shoqëria kosovare nuk ka nevojë për një Albin si shëmbëlltyrë e ideve revolucionare. Ato ide për aq sa ka qenë e mundur, janë zbatuar me 1999 dhe kanë të tjerë protagonistë. Prandaj sot, shoqëria kosovare ka nevojë për një kryeministër si shëmbëlltyrë e qeverisjes së ligjshme e demokratike, në të cilën progresi arrihet duke zbatuar ligjin, e jo duke shkelur kushtetutën.
Ndonëse anija s’ka zbarkuar ende por valët po e sjellin tashmë në breg, tehu i ecjes së Albin Kurtit drejt restaurimit është mikroskopik. Një rrëshqitje jashtë normalitetit që na duhet, do të mund ta shndërronte Albinin që i ngjason Napoleonit të Francës, në Albinin që i ngjason Napoleonit të Orvellit. Të parin, shoqëria ka gjasë ta tolerojë deri në disa kufij të caktuar. Të dytin, shoqërisë nuk i leverdisë ta tolerojë asnjë çast. Zgjedhja është e shoqërisë, ndërsa zgjidhja është e Albinit.
Shkruar nga një republikan i devotshëm