Albin Kurti, nga politikani në komedian: Pse?
Shkruan: Dafina Demaku
Më 24 shkurt 2022, Vladimir Putin do të fillonte luftën e paprovokuar në Ukrainë. Të gjitha mediat botërore, përfshirë edhe këto vendore, për javë e muaj do të mbulonin ballinat e tyre me zhvillimet nga Ukraina. Edhe sot e asaj dite, Ukraina zë një vend të rëndësishëm në hapësirën tonë të informacionit. Volodymyr Zelenksy, personi i vitit sipas revistës Time, do të bëhej një nga emrat më të njohur në botë. Një komedian i njohur vetëm në vendin e tij, do ta linte gojëhapur botën me taktikën e rezistencës që po përhapte pareshtur në popullin e tij. Dhe kështu, njeriu i njohur për rolin e Presidentit në komedinë ukrainase ‘Shërbëtori i popullit’, papritmas, iu bë i njohur botës si shërbëtor i vërtet i popullit ukrainas dhe botës demokratike bashkë me të. Një komedian, i shndërruar në një politikan të vërtet, të fuqishëm.
Lufta në Ukrainë, do ta zinte – natyrshëm – Kosovën, me dronë e një shpërthimi të mundshëm të ndonjë konflikti, sidomos në veriun e Kosovës. Siç bëri Putin në Ukrainë, mund të bënte Vuçiqi ndërkohë në Kosovë.
Dhe këtij diskursi të luftës, më së shumti do t’i printe kryeministri Albin Kurti. Kur kurrkush nuk e përmendte luftën, e përmendte Kurti, dhe fill pas tij, siç ndodh zakonisht, Presidentja Osmani.
Por këtu, nuk po ndalem ta analizoj këtë pjesë dhe po e përdori klishenë e njohur: pjesa tjetër është histori (që vazhdon, megjithatë).
Por, pse Kurti, sipas gjykimit tim, u shndërrua nga një politikan i fuqishëm, në një komedian? Pra, e kundërta e Volodymyr Zelenskyt?
Më poshtë, po i përmendi disa raste (5 episode) që e shndërruan kryeministrin Kurti, në komedianin më të famshëm në Kosovë:
Episodi i parë: ‘Luftë & investime”
Në vlugun e diskursit se në Kosovë nuk përjashtohej një konflikt (luftë – m’e thënë fjalën adekuate, dorën në zemër), kah fillimi ose gati mesi i vitit që po shkon, kryeministri Kurti ishte kthyer nga Symi i Greqisë. Aty ku tashmë jemi mësuar ta shohim në muajt e nxehtë të verës, ku merr pjesë zakonisht në një Simpozium. Me t’u kthyer në vend, Kurti do të deklaronte se atje ‘kishte takuar dhjetëra biznesmenë të njohur botërorë’ e që sipas tij ‘mund të ishin investitorë potencial në Kosovë’. Emrat? ‘Nuk mund t’i tregoj’ – do të deklaronte kryeministri, sepse ‘i druhej armiqve’.
Kryeministri fliste për luftë, por ndërkohë edhe për investime të reja në vend. Po kalon një vit nga kjo ngjarje, dhe ne, nuk e dimë një investim të ndonjërit prej 30 biznesmenëve që Kurti ka takuar në Symi, ose po shpresojmë se s’na ka ikur diçka.
Episodi i dytë: Greva në arsim
Përgjatë një muaji të grevës në arsim, kryeministri Kurti u shndërrua në armikun kryesor të sindikalistëve, të paktën me diskursin që po zhvillonte ndaj tyre. E habitshme se si një kryeministër që erdhi në pushtet duke premtuar përkrahjen dhe fuqizimin e Sindikatave, do të bëhej njeriu që do ta udhëheqte ‘luftën ndaj sindikalistëve’. Filloi si dramë dhe u përmbyll si komedi. Me video propaganduese që dilnin nga zyret e partisë që udhëheq (Vetëvendosje), Rrahman Jasharajn e portretizoi si ‘mjet të opozitës’ (edhe pse askush nuk e dinim për çka).
Episodi i tretë: Ekonomia
Fati (i keq) e deshi që Kurti të ishte kryeministër, në kohën kur bota po përballej me inflacionin më të madh ekonomik prej kohësh. Vendi jonë, duket i dërrmuar nga ky inlacion. Dhe kur njerëzit rrënohen ekonomikisht, më nuk kryejnë punë fjalët e ëmbla. Ata ta kujtojnë se qysh ke premtuar me centë zbritje në artikujt bazë ushqimorë. “Me Vetëvendosjen në pushtet, qumështin do ta lirojmë kaq centë, bukën kaq centë”, ishin videot që i kujtoheshin kryeministrit nga populli. Pavarësisht kësaj, Qeveria Kurti, prirej t’i kundërpërgjigjej kësaj thirrje të popullit për ndërhyrje sado të vogla ose sa kishte mundësi shteti në ekonomi, t’i kundëpërgjigjej me pastime në Facebook se sa miliona ka inkasuar Dogana, se sa është rritje ekonomike (anipse shifra joreale, sipas statistikave zyrtare).
Epidosi i katërt: Shëndetësia
Viti përmbyllet me episodin më të famshëm komik të kësaj Qeverie. Fatkeqësisht, tema ka qëlluar të jetë shëndetësia.
Kur Albin Kurti kishte prezantuar kabinetin qeveritar me të marrë mandatin, pati deklaruar diçka si ‘Me Arben Vitinë, do ta shërojmë shëndetësinë’.
Shëndetësia nuk u shërua me Vitinë pasi ky do t’i futej aventurave që Kurti dikur i ndalonte në moralin e tij politik – ministra për kryetarë komunash – dhe meqë nuk u shërua shëndetësia e as nuk filloi të shërohej, Kurti do ta kthente një ‘tru nga Amerika’. Rifat Latifi. Njeriu që do të njihej për një punë kontraverse e aktivitete që s’kishin lidhje me shëndetësi shpesh, do të dorëhiqej. Kurti rikthen Arben Vitinë për herën e tretë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë. Tragji – komedia: Ministrat ndërrohen, por shëndetësia nuk ka nisur të shërohet kurrkund, deri sot.
Përveç këtyre, ka edhe shumë e shumë episode të tjera përgjatë vitit, ku politika e shndërroi Kurtin në komedian.
I njohur për stër-përdorjen e shprehjes se ‘ne duhet të jemi shërbëtorë të popullit’ derisa ishte në opozitë, Kurti e pa se politika reale (real politika), shpeshherë të detyron të shkosh në orbita të tjera prej gjërave që ke premtuar. Njerëzit fillojnë që të kanë besuar, nisin të të quajnë gënjeshtarë, ose mashtrues.
Episodi më i famshëm dhe i fundit për këtë tekst: Dialogu me Serbinë
Ajo që e ka shpërfaqur më së shumtin anën komike të premtimeve të Kurtit, është kjo temë: dialogu me Serbinë. Është e lehtë sa nuk je në pushtet ose pak para se të hysh në të, të deklarosh se dialogu është prioriteti numër 6 a 7, por pastaj, nuk është e lehtë të përballesh me realitetin: si u bë pra tash, prioriteti numër një?
‘Jo unë punoj shumë gjatë ditës edhe në çështje të tjera, por vëmendjen e merr më së shumti dialogu’, do të deklaronte Kurti para pak ditësh, për të arsyetuar veten, se si u gjend në prioritetin numër një: dialogun.
Por para se të tallesh kështu, me këdo që ka dy fije mend në organin e famshëm kokë, është mirë të mendosh edhe për tingëllimën komike që jep një fjali e tillë.
‘Po punoj edhe tjetër çka, po ju s’po më shihni”.