Albin Kurti ikën prapë, nuk përmban nervozën dhe as s’deklarohet për “rebelimin” e Vjosa Osmanit
Kryeministri Albin Kurti nuk i është përgjigjur interesimit të medieve, në lidhje me deklaratat e ashpra të presidentes Vjosa Osmani, e cila gjatë ditës akuzoi qeverinë për moskoordinim rreth dërgimit të letrës në KiE.
Kreu i ekzekutivit nuk e tha asnjë fjalë rreth kësaj çështje, pas një takimi që pati me dy kandidatë për kryetarë të Preshevës dhe Bujanocit.
“Më 2 qershor janë zgjedhjet për kryetarë komune në Preshevë dhe Bujanoc”, tha Kurti, derisa largohej nga tubimi mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës, megjithëse u pyet për një “temë” tjetër.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila foli për Ekonomia e ka quajtur qesharake deklarimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili më herët gjatë ditës tha se mosinformimi i Presidencës për letrën që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e kishte dërguar në Këshillin e Evropës, kishte ndodhur paqëllimshëm, për shkak të largësisë, pasi Osmani ndodhej në një vizitë në SHBA.
Osmani u shpreh se në kohën moderne ekzistojnë mundësitë e shumta të komunikimit siç është telefoni.
Me letrën e Gërvallës, presidentja u shpreh se ka rënë në ujë zotimi i tre liderëve institucionalë “që nuk duhet të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova”. Sipas saj, me këtë letër merret zotim të zbatohet Asociacioni, duke e nxjerrë nga Marrëveshja e Ohrit.