Albin Kurti dhe masat
Vetëvendosje ka merituar kritikë për diskursin e njëtrajtshëm e të ngushtë me të cilin shërbehet. Unë nuk kam ngurruar që ta kritikojë, me takatin tim. Ishte mosvet e trishtë kur shihja të njohur të ndryshëm, krejt budallenj, derisa uniformoheshin me diskursin dhe logjikën e Lëvizjes. Dhe derisa bëheshin më radikalët në atë mjedis jokritik.
Ky diskurs duhej të ndërtonte komunikim me masën. Me një shoqëri tmerrësisht të paformuar e të paarsimuar. Prandaj, duhej të ishte sa më i njëtrajtshëm, sa më i ngushtë e sa më i kuptueshëm. Dhe kësisoj, u përvetësua kollaj nga secili. E madje, duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje e konstruktoi një imazh të papërlyeshëm e të pakorruptuar – kjo iu shërbeu shumë njerëzve që të rindreqnin imazhin e tyre individual. Më tej, iu shërbeu edhe që të ngriteshin në karrierë. Ose, të gjenin punë. Të vetëlidheshin me vargonjtë e idealeve në mënyrë që të përfitonin për veten e tyre një punë, apo ndonjë favor tjetër. Tregues i mirë për këtë është edhe numri i madh i aktivistëve që u punësuan nga Komuna e Prishtinës gjatë kohës së Shpend Ahmetit.
Amorfiteti i një pjese të madhe aktivistësh e diktoi vetë diskursin dhe aktivitetin e Lëvizjes. E vërtetë, masa u mobilizua si asnjëherë më parë përmes një thjeshtimi të diskursit – siç thoshte Albin Kurti – por, masa është asgjente e askujt. Ajo nuk ka parime të njëmendta, por interesa të njëmendta. Ajo është e korruptueshme dhe korruptuese. Si ata që ishin cullak diskursivisht, dmth militantët e PDK-së, si ata që e kishin uniformën diskursive të Vetëvendosjes. Masa bëhet e pakontrollueshme kur merr pushtet. Si jokritike, dhe e mbështjellur sipërfaqësisht me parimet e bindjet me të cilat u lëviz nga Vetëvendosje, sapo hyn në sferat e pushtetit, ajo lëvizë çlirshëm nën diktatin e amorfitetit të saj. Skandali që plasi në Vetëvendosje e tregon mjaft mirë një dukuri të tillë, e pranishme edhe në shumë lëvizje të tjera. Masa, kur mveshet me një pushtet diskursiv, me një maskë, është edhe më e çlirshme të veprojë si vetja. Të vetëimponohet. Të vetëvendoset. Masa, e cila kur fiton një vetëdije për imazhin, estetikën – operon përmes ndjelljes së neverive. E qet jashtë vetes mutin e saj. Çdo shëmti të saj. Në mënyrë që të sofistikojë maskën që ia mbulon fytyrën pa tipare, amorfe. Muti, i përdorur pezhorativisht pa fije sarkazme, është simptoma e një pamundësie të madhe, e një sëmundjeje. Sepse, masa, askush tjetër veç saj, e mbivendos veten estetikisht mbi tjetrin, dhe i përdorë neveritë si armë politike. Dhe e kërkon një lëvizje që nuk lëvizë. Ose që lëvizë, por vetëm andej kah ata e kuptojnë lëvizjen: pozitat dhe struktura; pushteti dhe njerëzit.
Nuk po e sulmoj Dardan Molliqajn. As Aida Dërgutin. Nuk e njoh asnjërin prej tyre. Sepse të dy, ashtu si shumica, ishin pjesë e atij kori të trishtë ku është e parashikueshme çdo fjalë që do të thonë. Sidoqoftë, e njoh mirë dukurinë ku amorfiteti i masave rravgon gjithçka në një parti politike. Madje, nga ky rravgim, jo vetëm në imazh, humben të gjitha trajtat përveçuese të subjektit – duke e lënë të shkrihet në tërësinë e rrëmujshme politike, e në fund, në qiellin e pamatë. Kjo ka ndodhur me Partinë Laboriste në Britani, e cila nuk ia dilte mbanë të rezononte për kollapsin financiar të vitit 2008. Të tregonte arsyet se pse ndodhi. Kujt po i ngarkohej mbi kurriz e gjithë shuma e pësimeve. Dhe të ndërtonte alternativën e saj bazuar në këto diagnoza që i takonte t’i bënte.
Në pluralizmin politik nuk ndihmon një qarkullueshmëri e përditshme diskursive e partive politike. Një luftë e pakompromis për pushtet. Në pluralizmin politik e në demokraci, partitë kanë rëndësi, për aq sa, ruajnë bërthamën e tyre identitare. E cila nuk është e thënë të jetë e ngurtë, e palëvizshme, eleatike – por e cila duhet të jetë reflektive në lëvizjet e saj, të ndërtojë njëfarë dialektike ku është e pranishme edhe inkonsistenca, si rezultat i paevitueshëm i papërkryerjes. Por, nëse lufta për pushtet e shkërmoq çdo lloj skeme, dhe nëse në fund, alternativat që zgjedhim nuk kanë dallime të mëdha, ose nëse na duhet të zgjedhim vetëm mes njerëzish – jemi përbrenda asaj që e njohim si totalitarizëm. E ndoshta, kjo ishte arsyeja pse Michel Foucault, nuk u mor aspak me dallimet mes demokracisë dhe totalitarizmit, duke u parakuptuar si të njëjta në epokën tonë. Na pëlqen të krijojmë idenë se po zgjedhim, por në fakt jemi përbrenda një deluzioni ku, dallimet janë estetike e të parëndësishme.
Padyshim, Vetëvendosjes më shumë se kurrë i duhet të çlirohet nga ngushtësia ligjërimore. Nga dogmatizmi ku është mbërthyer. Duhet t’i pranojë jopublikisht disa gabime të mëdha, disa rreshtime ose pozicione jostrategjike e inkoherente. Kjo do ta bënte më të pafuqishme masën e uniformuar rreth saj, do ta linte pa gjuhë e pa logjikë, duke i hapur rrugë kësisoj një ecjeje tepërpara. Vetëvendosje duhet të pranojë se ekziston një koncept inkoherent në themelet e saj: parimi i Vetëvendosjes. Ajo duhet të pranojë poashtu se ka përqafuar dy tipe të kundërta të luftës ndaj korrupsionit: atë të komunitetit ndërkombëtar, që në mbrojtje të sistemit që e kanë vendosur vetë, sulmojnë korrupsionin e shoqërisë dhe atë atë klasës politike; dhe njëkohshëm atë të së majtës radikale që e sulmon sistemin politiko-ekonomik. Poashtu, Vetëvendosje duhet të përcaktohet edhe për tipin e nacionalizmit që kërkon ta ndjekë: atë etatist, apo atë romantiko-organik.
Sepse, e shihni mirë sesi diskursi i Vetëvendosjes në thjeshtësinë dhe ngushtësinë e tij ka mbetur edhe i papërcaktuar në shumë pika. Ja një simptomë e pushtetit të masave brenda saj. Shohim një terren artificial, jopolitik shpurdhës të masës. Një terren që shërben për të rritur forcën e asaj që është e paformë. Dhe një ditë, kjo parti mund të përfundojë si të tjerat: duke qenë e tëra, një lëndinë e hapur gjerë e gjatë për masën dhe vetëm për masën. Për uniformen si maskë për të paformen e të paformueshmen. Kjo e ka ekspozuar partinë ndaj një rreziku të madh: pamundësisë që të fliste për zhvillim ekonomik, për funksionalitetin e mekanizmave shtetërorë dhe për lëngimin që të merret me çështje krejt triviale e shformuese. Vetëvendosje iu bashkua qorrazi kauzës së AAK-së për demarkacionin [delimitacionin] e kufirit. Por ajo në përgjithësi e shpërfilli problemin e madh të Kosovës me papunësinë dhe varfërinë. Megjithëse, në zgjedhjet e fundit, me Albin Kurtin si kandidat për kryeministër, ata bënë hapa domethënës përpara. E ndërruan qasjen, imazhin, folën edhe për zhvillimin ekonomik dhe arritën që të shtrinin mbështetjen në një masë të konsiderueshme.
Kemi parë një ndryshim të mosvetshëm për të mirë të Albin Kurtit. Ai ka folur edhe për të drejtat e njeriut. Edhe për nivelet e ndryshme diskursive që përdorë. Edhe për Pakon e Ahtisaarit dhe kontributin anësor të Vetëvendosjes, njësoj siç e kishte pasur edhe opozita sërbe në atë kohë. Edhe për zhvillimin ekonomik. Edhe për drejtësinë. Edhe për negociatat. Dhe, ndodhi ajo që pritej: përnjëherë Kurti – që e bëri Vetëvendosjen parti të qendrës [të majtë, por të qendrës], që nuk fliste më për Bashkimin Kombëtar, dhe që po e lëvizte Vetëvendosjen përpara – u bë pengesë. Unë jam i bindur se një mori njerëzish tjerë, e shohin themeluesin dhe liderin e Vetëvendosjes, pikërisht për shkak të hapave të tillë, si një armik të madh. Sepse, po, Kurti është elitist. Kurti është në thelbin e tij, armik i masave. Sepse masat, janë armiqësore ndaj ndryshuesve. Ai bën sarkazmë, poezi, thjeshtime për të.
Partitë politike në Kosovë, dhe në vende tjera me demokraci të brishtë [dhe jo vetëm] problem kryesor e kanë të ruajnë veten si të tilla, si palë politike jashtë së tërës, duke iu shmangur populizmit dhe masave. Një kolumnist i njohur, Dani Rodrik, i përkthyer nga Periskopi, thoshte që e vetmja formë për të luftuar kundër populizmit është që politikanët centristë [të qendrës] të përdorin ngapak retorikë populiste. DOMETHËNËSE! Kjo tregon se pushteti i masave është bërë i jashtëzakonshëm, dhe i pakontrollueshëm gjithandej. E vetmja formë për t’i mposhtur, është të përdoret gjuha e tyre. Por, përdorimi i gjuhës populiste të futë në populizëm – nga i cili është e zorshme të dalësh, siç tërheq vërejtjen edhe Rodrik.