Albert Bunjaki, ky trajner i deklaratave të pështira
Në prag të ndeshjes së dytë të Përfaqësueses së Kosovës kundër Kroacisë, në kuadër të kualifikimeve për botërorin e ardhshëm “Rusia 2018”, më rastisi të lexoja deklarata të dy trajnerëve.
Për ndeshjen me Kosovën, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, trajneri kroat, Ante Çaçiç, deklaron se e pret një sfidë e vështirë. Me maturi prej një trajneri profesionist, trajneri i Kombëtares së Kroacisë flet me respekt për kundërshtarin, shpreh brengën për mungesën e yllit kroat Modriç në këtë ndeshje dhe vlerëson futbollistët kosovarë, e në veçanti Bernard Berishën.
Por ajo çfarë më la më së shumti përshtypje nga deklarata e trajnerit të Kroacisë ishte pjesa kur ai konstaton se një arsye pse Kroacia nuk do ta ketë të lehtë ndeshjen kundër Kosovës është edhe përkrahja që do ta ketë Kosova në stadium nga tifozët e shumtë, të cilët në gjuhën e sportit quhen “lojtari i dymbëdhjetë”.
“Edhe pse nuk luajnë në Kosovë, ata luajnë në Shqipërinë e tyre, dhe populli shqiptar besoj do t’u japë shumë përkrahje”, deklaron Çaçiç, një deklaratë kjo që po të thuhej nga Visar Ymeri, do të rrezikonte të quhej ultranacionaliste nga “qarqet kozmpolitane” të Kosovës.
Në anën tjetër, homologu i tij nga Kosova, Albert Bunjaki, me deklaratat e tij gjatë një konference për shtyp u tregua krejtësisht e kundërta e trajnerit kroat.
Idhnak e i papjekur u tregua Bunjaki me deklaratat e tij, duke të lënë më së paku përshtypjen e një trajneri që udhëheq një përfaqësuese. Deklaratat e tij të bënin të mendoje se ky njeri nuk e meriton të jetë as trajner i ekipit “Tefik Çanga”, që garon në “Grupin B” të Ligës së Dytë të Kosovës.
Në vend që të merrej me kundërshtarin (Kroacinë) – ta vlerësonte apo nënvlerësonte – të cilës ia kanë frikën edhe skuadrat më të mëdha evropiane e botërore, Bunjaki shfrytëzoi këtë konferencë që të thumbojë Kombëtaren e Shqipërisë, veçanërisht futbollistët që kanë zgjedhur të mbrojnë ngjyrat kuq e zi edhe pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Për Grezdën, Latifin dhe Llullakun që kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë, Bunjaki tha se këtë ata e kanë bërë ngase qenkan frikësuar nga konkurenca, meqë Kosova paska shumë sulmues.
Bunjaki nuk beson se këta tre futbollistë të talentuar zgjedhjen e tyre mund ta kenë bërë për shkak të idealizmit të tyre, për shkak se këta tre djem njëmend besojnë se shqiptarët duhet të kënë një komb, rrjedhimisht një Kombëtare. Duket që aq shpejtë e aq fort u mishërua Bunjaki me flamurin mavi-sari e me yjet e tij, saqë kuqezinjtë i janë shndërruar në ankth dhe po i duken kundërshtari kryesor.
Me një krenari prej gjeli të detit, Bunjaki deklaron se Kosova po furnizon edhe shtetet e tjera me futbollistë, thua ti se Shqipëria për Kosovën qenka njëri ndër shtetet e Ballkanit. Nga mllefi e inati, Bunjaki harron se ishte pikërisht Kombëtarja e Shqipërisë, ajo që iu hapi dyert që ta përfaqësonin dhjetëra futbollistë nga Kosova, një pjesë e të cilëve mbrojtën ngjyrat kuq e zi edhe në debutimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian “Euro 2016”, që u mbajt në Francë.
Dhe pikërisht ky bashkim forcash bëri që të gjithë (besoj të paktën sa për sy e faqe edhe Bunjaki), t’i gëzohen suksesit të Shqipërisë, fillimisht në kualifikimet për “Euro 2016”, por më pas edhe paraqitjes së dinjitetshme të saj në tre ndeshjet sa zhvilloi në Francë. Pikërisht nga ky bashkim, Kombëtarja e Shqipërisë në futboll u shndërrua në pikën ku ishim më së shumti bashkë dhe ku u treguam më fuqishëm se kudo tjetër si shqiptarë.
Por Bunjaki do që ta ndajë Kosovën dhe Shqipërinë edhe aty ku ishin bashkë. Me gjuhën e tij përçarëse, ai dëshiron të shkombëtarizojë çdo tifoz të Përfaqësues së Kosovës.
Në një deklaratë tjetër skandaloze, me stil prej një të pagdhenduri, Bunjaki deklaron se në ndeshjen Kosovë-Kroaci, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës (ku luhet ndeshja), mund të mos lejohet flamuri i Shqipërisë. Teksa, flamuri i Shqipërisë ka valuar edhe në ndeshjet e Zvicrës, e madje edhe kur luante Gjermania me Brazilin. E në anën tjetër, eliminatoret e Botërorit Kosova i zhvillon pikërisht në Shqipëri, dhe me sa di, Federata Shqiptare e Futbollit nuk e ka ngarkuar fare me obligime financiare Kosovën për këtë.
Si mund të japë deklarata aq të pështira trajneri i Kosovës, gjersa trajneri kroat thotë se “Kosova po luan në Shqipërinë e saj”?! A thua është shkombëtarizuar aq shumë Bunjaki, apo është aq shumë provincial, i cili medomos “do që të jetë i pari në katund e asesi i barabartë në qytet”?!
Me sa duket, nuk mund të pritet më shumë nga një trajner i cili mendon se çdokush që paguhet nga taksat e një shteti, duhet patjetër ta përkrahë Përfaqësuesen e atij shteti se ndryshe je bukëpërmbys i taksapaguesve të atij shteti. Nga dikush, me logjikën e të cilit, edhe preshevasit, bujanovcasit dhe medvegjasit që paguhen nga tatimpaguesit e Serbisë, duhet ta përkrahin Kombëtaren e Serbisë në tribuna së bashku me tifozin ultras-serb, Ivan Bogdanovin. Madje, mbase edhe t’i duartrokasin këtij të fundit kur djeg flamurin kuq e zi.