Albanian Post: Liburn Aliu e Naser Hafizi ia mbyllin kompanisë “Arbëria – Uji Alpet” borxhin prej 2.2 milionë eurove për vetëm 23 mijë euro
Në mesin e dhjetëra kompanive të ambalazhimit të ujit që ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ua kishte falur milionat përmes procedurave jo ligjore bashkë me vartësin e tij, Naser Hafizi, zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, është edhe kompania “Arbëria sh.p.k – Uji Alpet”.
Kjo kompani, sipas përllogaritjeve të Grupit Punues brenda ministrisë, kishte grumbulluar borxh prej 2 milionë e 11 mijë e 716 euro, vetëm nga viti 2010, kur ishte pajisur me leje e deri në vitin 2016, sa pagesa për litër ishte 0.009 centë.
Derisa nga viti 2016 e tutje kompania kishte grumbulluar borxh prej 226 mijë e 800 eurove.
Gjithë këtë borxh, prej gjithsejtë 2 milionë e 238 mijë e 516 eurove, Aliu e Hafizi e kishin mbyllur me vetëm 23 mijë e 237 euro e 12 centë.
Siç tregon tabela me kartelën e pagesave të klientit, të cilën e ka siguruar Albanian Post, kompania kishte bërë tri pagesa. Një në vitin 2018 prej 7 mijë e 874 eurove, tjetrën në vitin 2021 prej 8 mijë e 182 eurove dhe një të fundit në vitin 2023 ku shihet pagesë prej 7 mijë e 180 euro.
Në të njëjtën kartelë, tek rubrika “pjesa e mbetur” e borxhit, vendosen shifra zero, duke aluduar se kompania ka shlyer gjithë borxhin.
Kështu, kjo kompani, me ndihëm kundërligjore të Aliut dhe Hafizit arrijnë t’i ikën borxhit milionësh dhe të vazhdojë të mbajë lejen e fituar në vitin 2010 që ia siguron marrjen e 3.5 litrave për sekondë nga burimet ujore të Kosovës.
Çfarë kishte ndodhur?
Si në të gjitha rastet tjera, Grupi Punues i formuar nga ministria me datën 29 shtator 2021 kishte kalkuluar borxhin edhe për kompaninë Arbëria – Uji Alpet”, sipas formulës që e përcakton udhëzimi administrativ për strukturën e pagesës së ujit.
Siç tregon tabela e borxhlinjve të përbërë nga kompanitë që merren me ambalazhimin e ujit dhe prodhimin e pijeve, kompania në fjalë kishte grumbulluar borxh vetëm nga viti 2010 e deri në vitin 2016 mbi 2 milionë e 11 mijë euro.
Në rubrikën tjetër, atë ku grumbullohet borxhi nga viti 2016 e deri në vitin 2021, nuk ka shifra fare. Për shkak se Hafizi nuk e kishte dërguar te grupi punues këtë kompani për këtë prejurdh fare.
Gjithsesi, nga përllogaritja e kësaj pjese, sipas udhëzimit administrativ, kur bëhet përllogaritja e vlerës për pagesë bazuar në dokumentacionin tekoniko-investiv (lejen ujore) dilte borxh shtesë prej 226 mijë e 800 eurove.
Aliu e Hafizi, përmes metodës tashmë të njohur, në vend se t’i dërgojnë kompanisë vendim financiar, ashtu siç e thotë ligji dhe siç rekomandon grupi punës, ata i dërgojnë kompanisë një vendim preliminar ku e njoftojnë për borxhin mbi 2 milionë euro.
Njoftimi preliminar bëhet me datën 28 mars 2022.
Por, siç kuptohet nga dokumentet e siguruara nga Albanian Post, një dokument financiar dhe kartela financiare e kompanisë, Hafizi lëshon një vendim financiar me vetëm 8 mijë e 182 euro e 44 centë ku përfshinë vetëm vitin 2018/19, duke anashkaluar milionat e grumbulluara nga vitet paraprake.
Më pas, siç shpjegon edhe lista nga kartela financiare, të njëjtës kompani i mundësohet të paguajë edhe një shumë prej 7 mijë e 180 euro e 22 centë dhe marrë edhe një pagesë të bërë në vitin 2018, gjithsejtë borxh i paguar del 23 mijë e 237 euro e 12 centë.
Vetëm në këtë rast, me shkeljet kundërligjore me këtë kompani, Aliu e Hafizi dëmtojnë buxhetin e shtetit me 2 milionë e 215 mijë e 278 euro e 88 centë.
Ky është vetëm një nga rastet e operimit të kundërligjshëm.
Janë gjithsejte 27 kompani të tilla që kanë borxhe milionëshe, por Aliu e Hafizi vendosën të futen në kalkulime personale për të shkaktuar humbje që sipas të dhënave fillestare janë mbi 90 milionë euro.
Për gjithë këtë parregullsi ishte njoftuar me 12 dhjetor të vitit 2022 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Zotëri Kryeministër, duke ju kërkuar shumë falje në një situatë ku Kosova po ballafaqohet me agresorin serb, detyrohem të ju shkruaj për një çështje e cila vërtet kërkon Vëmendjen Tuaj” i ishte thënë Kurtit në e-mailin që e ka siguruar Albanian Post, nga një sinjalizues që e kishte kuptuar çfarë po bënin Aliu dhe Hafizi.
Më pas i ishte shpjeguar çështja në detaje dhe vjedhjet që po ndodhnin në ministri.
Kurti nuk ishte përgjigjur fare dhe s’kishte vendosur të merrej me këtë punë, përkundër njoftimit.
Madje, sinjalizuesit që e kishte njoftuar Kurtin i kishte dalë problem në vendin e punës dhe vetëm dy ditë pasi kishte dërguar mesazhin te kryeministri, ishte dërguar në një komision disiplinor për t’ia ndërruar pozitën.
Albanian Post ka kontaktuar me Hafizin, por ai tash e më shumë se një javë po refuzuon të përgjigjet, përkundër premtimit fillestar se do të jap një përgjigjet të zgjeruar.
https://www.periskopi.com/apost-hajnia-multi-milioneshe-e-liburn-aliut-me-naser-hafizin-dhe-me-prodhuesit-e-ujit-ne-kosove/
https://www.periskopi.com/apost-skandaloze-liburn-aliu-e-naser-hafizi-i-falin-borxhin-kompanise-fluidi-nga-3-5-milione-ne-vetem-13-mije-euro/