Alarmi për Kosovën: T’i shpërfillim shqiptarët, të respektojmë Serbinë
Ky artikull është botuar më 31 janar 2008 dhe Periskopi iu sjell të përkthyer me rastin e shkarkimit të John Bolton. Autorët e tij janë Lawrence Eagleburger, Peter W. Rodman dhe vetë John Bolton.
Administrata e Bushit ka dhënë të kuptohet se është e gatshme për të njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga shqiptarët në Kosovë, që është provincë e Serbisë e cila prej 1999-s e këndej ishte nën administrimin e OKB-së dhe kontrollin ushtarak të NATO-s.
Një shpallje e tillë [e pavarësisë] mund të ndodh që në shkurt. Njohja e Amerikës do të bëhej me kundërshtimin e Serbisë, pa një zgjidhje të negociuar mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës, dhe pa modifikimin nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që riafirmon sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën duke i garantuar provincës “autonominë substanciale.” Njohja e Amerikës mund të pasojë me atë të disa anëtarëve tjerë të Bashkimit Evropian, të cilat kanë qenë nën presion presion të madh diplomatik nga Uashingtoni, megjithëse disa shtete të BE-së dhe vende jashtë Evropës kanë thënë se nuk do ta mbështesnin një veprim të tillë.
Përpjekja për ta imponuar një marrëveshje mbi Serbinë do të përbënte një sfidë direkte ndaj Federatës Ruse, që kundërshton çdo marrëveshje për Kosovën që nuk do të pranohej nga Beogradi.
Ne besojmë që një marrëveshje e imponuar për çështjen e Kosovës dhe mësymja për ndarjen e territorit sovran të Serbisë pa pajtimin e saj nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara. Supozimi i politikës amerikane – që thjesht koha e qetë prej nëntë vitesh në Kosovë do të mjaftonte për t’i dremitur Serbinë e Rusinë dhe për t’i bërë që të braktisin pozicionet e tyre në një konflikt shekullor – ka dalë të jetë ekstremisht naive.
Ne besojmë që politika amerikane për Kosovën duhet të riekzaminohet menjëherë, dhe i kërkojmë administratës Bush që ta bëj të qartë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës gjë që do t’i dekurajonte shqiptarët e Kosovës nga ndërmarrja e këtij hapi.
Politika aktuale amerikane qëndron në bindjen jobindëse se Kosova është “unike” dhe se nuk do të vendoste precedent për vendet e tjera të dala nga konfliktet. Natyrisht që çdo konflikt ka karakteristikat e veta unike. Megjithatë, pakicat etnike dhe religjioze në vende të tjera tashmë po japin shenja se do të ndjekin shembullin e Kosovës. Kjo përfshin komunitete shqiptare në zonat fqinj të Serbisë jugore, Malit të Zi dhe veçanërisht Maqedonisë, e po ashtu edhe pjesën Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Njohja e pavarësisë së Kosovës pa miratimin e Serbisë do të vendoste një precedent shumë të madh dhe me pasoja të paparashikueshme për shumë rajone tjera të botës. Modeli i Kosovës tashmë është përmendur nga mbështetësit e lëvizjes separatiste baske dhe nga turqit në Qipron Veriore. As Këshilli i Sigurimit ashtu si asnjë trup tjetër ndërkombëtar nuk ka fuqi apo autoritet të imponojë ndryshime të kufijtë e asnjë shteti.
Ndoshta aspekti më shqetësues i një politike të tillë është qëndrimi shpërfillës i shfaqur ndaj kundërshtimeve të Rusisë. Çfarëdo mosmarrëveshje që ShBA-ja mund të ketë me Moskën në çështje të tjera, e ka aq shumë, megjithatë nuk duhet të nxis një krizë të panevojshme në marrëdhëniet ShBA-Rusi. Ka çështje urgjente për të cilat Amerika duhet të punojë me Rusinë, përfshirë qëllimet nukleare të Iranit dhe kapacitetet nukleare të Koresë së Veriut. Ky bashkëpunim do të ndërpritej nga veprimi amerikan për të neutralizuar shqetësimet legjitime të Moskës sa i përket Kosovës.
Nëse ShBA-ja e njeh Kosovën, pasiviteti i Moskës nuk mund të merret si i garantuar. Në vitin 1999 Rusia ishte e dobët, dhe të këtilla kundërshtimet e saj.
Sot, do të ishte e pamençur të shpërfillet gatishmëria dhe aftësia e Rusisë për ta ndihmuar Serbinë. Për një çështje me kaq pak rëndësi për Shtetet e Bashkuara, a është ky një harxhim i dobishëm i kapitalit politik domethënës me Rusinë?
Politika jonë për Kosovën nuk është më problematike edhe për miqtë dhe aleatët tanë në Evropë. Ndërsa disa vende evropiane, veçanërisht anëtarët e BE-së, mund të ndihen të obliguar të bashkohen në njohjen e pavarësisë së Kosovës, një numër i këtyre shteteve do ta bënte atë gjë pa pikë dëshire, vetëm për shkak të infleksibilitetit dhe ngulmit të Washingtonit. Ashtu si ShBA-ja, as Evropa nuk do të përfitonte asgjë nga konfrontimi i shmangshëm me Rusinë.
Edhe nëse Kosova e shpall veten si shtet të pavarur, ai do të mbetej shtet jofunksional dhe një zonë e izoluar e komunitetit ndërkombëtar për një të ardhme të pacaktuar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të shfrenuar. Ekonomia, nëse lëmë anash ndihmat nga ndërkombëtarët dhe aktivitetet kriminale, është e paqëndrueshme. Sundimi i ligjit, integriteti i gjykatave, mbrojtja e personave dhe pasurive, dhe prerekuizitat e tjera të shtetësisë janë praktikisht joekzistuese. Ndërsa këto dështime shpesh i faturohen statusit të padefinuar të Kosovës, deklarata e njëanshme e pavarësisë e njohur nga disa shtete dhe e mohuar nga shumë të tjera zor se do ta ndërronte atë fakt.
Rezultati do të ishte një “konflikt i ri i ngrirë”, me statusin e Kosovës të pazgjidhur. Risku i një dhune të përtërirë do ta pengonte zhvillimin e Kosovës. Për më shumë, tensionet e shtuara d otë kërkojnë rritje të prezencës amerikane në Kosovë, e të cilën nuk mund ta përballojmë për shkak të angazhimeve tjera.
Serbia ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin demokratik dhe rivitalizimin ekonomik që nga rënia e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Politika aktuale në aspekt me Kosovën rrezikon një kthim të krejtësishëm të këtyre hapave gjigantë. Të detyruar të zgjedhin mes partneritetit ndërkombëtar me Perëndimin dhe mbrojtjes së sovranitetit territorial dhe kushtetutës, nuk ka mëdyshje se çka do të zgjedh Serbia.
Trendi pozitiv aktual mund të çapitet nga radikalizmi politik dhe destabilizimi i brendshëm. Raportet e Serbisë me vendet që njohin Kosovën mund të prishen. Serbia paevitueshëm do të afrohet më shumë me Rusinë si mbrojtësja e saj e vetme.
Ne nuk e nënvleftësojmë vështirësinë dhe kompleksitetin e çështjes së Kosovës e as nuk sugjerojmë që status quo-ja të zgjas pafundësisht. Ashtu si me çështje tjera delikate, marrëveshjet e qëndrueshme duhet të rezultojnë nga negociatat dhe kompromisi. Një rezultat i tillë është minuar nga premtimi që i ka bërë ShBA-ja shqiptarëve të Kosovës se kërkesat e tyre do të realizohen nëse mbesin të paepur edhe pse asnjë marrëveshje nuk u arrit me Beogradin. Premtimi i tillë nuk mund të justifikohet nga qëllimi, shpesh i dëgjuar nga proponentët e pavarësisë, se “durimi” shqiptar po mbaron, dhe se pavarësia duhet të shpallet menjëherë. Kjo nuk është asgjë veçse të qetësosh një kërcënim për dhunë.
Rivlerësimi i politikës amerikane për Kosovën është vonuar shumë. Ne shpresojmë se politika e rrezikshme që mund të vendos precedent të rrezikshëm ndërkombëtar mund të shmanget nëse ai rivlerësim nis menjëherë. Në ndërkohë, është imperative që asnjë veprim i ngutur të mos merret dhe që do ta kthente këtë problem të vogël në problem të madh. /Periskopi