Alarmet “taktike” të Kurtit për rrezikun e konflikteve nga Serbia, çfarë thotë KFOR’i

Alarmet “taktike” të Kurtit për rrezikun e konflikteve nga Serbia, çfarë thotë KFOR’i

Përkundër bisedimeve me vite, Kosova dhe Serbia duket se nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ato jo vetëm që e kanë të vështirë të komunikojnë, por akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën se nuk duan paqe.

Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, autoritetet e Kosovës ushtrojnë “dhunë” ndaj komunitetit serb në veri.

Me “lëvizjet arrogante dhe ilegale, Prishtina rrezikon sigurinë e popullatës serbe”, ka thënë ai, kur Kosova ka mbyllur disa institucione paralele të Serbisë në veri të vendit.

Brenda një jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka tërhequr vërejtjen së paku dy herë për rrezikun e konflikteve të reja nga Serbia.

I pyetur nga gazetarët më 17 shtator se si i komenton disa kërkesa të Vuçiqit për serbët e veriut që të riintegrohen në institucionet e Kosovës, Kurti ka thënë se ato “nuk janë racionale”.

“[Kërkesat e Vuçiqit] nuk janë aspak paqësore, por, përkundrazi, janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja, të cilat padyshim se nuk kanë vend as në Kosovë, as askund”, ka thënë Kurti.

Katër ditë përpara kësaj deklarate, Kurti ka bërë një paralajmërim të ngjashëm edhe përmes llogarisë së tij në Facebook, ku ka siguruar, po ashtu, se Kosova është e gatshme për mbrojtjen e qytetarëve të saj.

“Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës… Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

Në frymë të ngjashme është shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, sipas saj, “assesi” nuk duhet pasur frikë nga Vuçiqi.

Me armatimin që ka blerë Kosova dhe me forcimin e përditshëm të institucioneve të sigurisë, “ne jemi shumë më të fortë seç kemi qenë më parë”, ka thënë Osmani më 17 shtator në një adresim para gazetarëve.

Më 24 të këtij muaji bëhet saktësisht një vit që kur një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë afër Zveçanit dhe ka vrarë një polic. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Në aktakuzën që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin, thuhet se “grupi, përmes përdorimit të armëve të rënda, ka tentuar ta ndante pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe t’ia bashkonte atë territorit të Republikës së Serbisë”.

Kurti dhe Osmani, në disa deklarime, e kanë fajësuar direkt udhëheqjen shtetërore të Serbisë për sulmin, edhe pse ajo e ka mohuar.

Serbia karakterizohet si “kërcënim kryesor” për sigurinë e Kosovës edhe në Strategjinë e vendit për Sigurinë, për vitet 2022-2027.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra. Përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, KFOR-i thotë se situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë.

“Misioni ynë ka një prani të dukshme dhe fleksibile, si dhe është i dislokuar mirë për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij nga OKB-ja. Është e rëndësishme të shmangen veprimet që mund të krijojnë tensione të panevojshme”, thotë një zëdhënës i misionit.

Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, kujton se KFOR-i, pas sulmit në Banjskë, e ka rritur praninë në Kosovë dhe kjo, sipas tij, ka dhënë “shumë mësime për sigurinë”.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Shea thotë se është e rëndësishme që palët të angazhohen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

“Mendoj se nuk është në rregull të flitet për kërcënime ushtarake. Unë nuk shoh ndonjë tension të veçantë në kufi. Serbia nuk i ka shtuar trupat e saj në kufi. KFOR-i e ka rritur po ashtu praninë në veri të Kosovës, pas sulmit të vitit të kaluar në Banjskë. Pra, marrëveshjet e sigurisë janë të qarta. Unë mendoj se duhet të ndalojmë së foluri për kërcënime dhe të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, thotë Shea.

Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, vlerëson po ashtu se situata e sigurisë në Kosovë është stabile. Sipas tij, sulmi në Banjskë ka qenë “zile zgjimi” për rrezikun që mund t’i kanoset veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Për rrjedhojë, thotë Prelec, është rritur edhe bashkëpunimi mes KFOR-it, por edhe SHBA-së dhe Britanisë me Kosovën, për të gjurmuar dhe parandaluar aktivitetet ushtarake.

“Ky lloj i deklaratave [të Kurtit] duhet të merret si përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe për të fituar simpatinë ndërkombëtare. Shumica e aleatëve perëndimorë janë të shqetësuar me Rusinë. Dhe për Kurtin, çfarëdo që mund të bëjë për t’u rreshtuar me Perëndimin dhe për ta nxjerrë Serbinë si proruse, duket se ka kuptim”, thotë Prelec.

Rusia e mbështet fuqishëm Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, ndërsa edhe vetë e konsideron si “gabim”. Ajo shpesh akuzohet për aktivitete që ndikojnë gjeopolitikën në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor.

Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se Kosova nuk është imune ndaj ndikimit rus.

Sipas saj, Rusia, përmes propagandës, lajmeve të rreme, mbështetjes për figura të caktuara qoftë në Serbi, apo në Republikën Sërpska, arrin të depërtojë në Kosovë, në një mënyrë ose tjetër.

“Frika për eskalimin e situatës është rritur në tre vjetët e fundit, për dy arsye. E para është lufta e plotë që ka nisur Rusia në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 dhe e dyta ka të bëjë me aktin terrorist në Banjskë, vitin e kaluar”.

“Kur e dimë që zëvendëskryeministri i Serbisë [Aleksandar] Vulin takohet me [presidentin rus, Vladimir] Putin dhe me udhëheqësit e tjerë të Federatës Ruse dhe i dimë edhe aspiratat ekspancioniste dhe hegjemoniste të Serbisë në Kosovë, atëherë frika për eskalim sigurisht se ekziston”, thotë Loshaj.

Ish-zyrtari i NATO-s, Shea, pranon se Rusia luan rol negativ në rajon, sidomos përmes dezinformimit. Sipas tij, Rusia i shfrytëzon tensionet, andaj mënyra më e mirë për të reduktuar ndikimin e saj, është ulja e tensioneve, duke i zbatuar marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë arritur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Planin e Serbisë për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, e që ka shkaktuar habinë e disave, Shea nuk e sheh si diçka që do t’i rriste kërcënimet në rajonin e Ballkanit, ku tensionet mbeten të larta që nga shpërbërja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë në vitet 1990.

“Rekrutët do të shërbejnë vetëm për 75 ditë. Kjo nuk është kohë e mjaftueshme për t’u dhënë atyre ndonjë trajnim serioz ushtarak. Duket se ky rekrutim është më shumë pasojë e pamundësisë për të rekrutuar ushtarë profesionistë në Serbi”.

“Rreth 12.000 ushtarë profesionistë serbë janë larguar nga forcat e armatosura gjatë dekadave të fundit, për shkak të pagave të dobëta, kushteve të këqija, pajisjeve të dobëta e të tjera. Pra, duket më shumë si përpjekje për të kompensuar rënien e numrit të profesionistëve”, thotë Shea.

Serbia e ka hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, por Vuçiq ka miratuar rikthimin e tij më 14 shtator. Kroacia fqinje ka njoftuar, po ashtu, se nisur nga 1 janari i vitit 2025 do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me një kohëzgjatje prej dy muajsh.

Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se qëllim i tyre, mesa duket, është të paraqesin imazhin e një mbrojtjeje të fortë kombëtare.

Por, përderisa NATO-ja është aq e pranishme në rajon, është vështirë të imagjinohet ndonjë konflikt i drejtpërdrejtë, sipas tij. Megjithatë, shton se gjërat mund të bëhen më të komplikuara në një afat më të gjatë.

“Nëse gjërat qetësohen në Evropë, nëse ka një stabilizim relativisht të shpejtë të situatës në Ukrainë – ndoshta armëpushim, nëse jo marrëveshje paqeje – atëherë mendoj se gjërat do të qetësohen edhe në Ballkanin Perëndimor. Nëse gjërat përshkallëzohen në Ukrainë, ose nëse ato zhvillohen në favor të Rusisë, atëherë ato mund të kenë efekt shumë destabilizues dhe dëmtues në Ballkanin Perëndimor”, thotë Prelec.

Për të shmangur rrezikun e tillë, Loshaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se përpjekjet e Kosovës dhe të aleatëve të saj perëndimorë duhet të bashkërendohen.

“Mendoj që përtej deklaratave dhe vizitave që bëjnë udhëheqësit ndërkombëtarë, duhet të ketë edhe hapa konkretë. Për shembull, nëse Kosova merr Partneritetin për Paqe – që vjen në prag të anëtarësimit në NATO – ky do të ishte një hap pozitiv. Por, mendoj që edhe politikanët tanë duhet të kenë më shumë koordinim, më shumë komunikim, në çfarëdo aspekti, me aleatët e NATO-s dhe të BE-së”, thotë Loshaj.

Së paku, BE-ja ia ka bërë të qartë edhe Kosovës, edhe Serbisë se integrimi që synojnë në këtë organizatë, varet nga normalizimi i marrëdhënieve. Por, derisa tensionet mes tyre ziejnë, përparimi duket si një ëndërr e largët.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 30 gusht se shoqëritë në këto dy vende nuk janë ende gati për normalizimin.

E, me fjalët e Jamie Sheas, “gjërat mund të lëvizin vetëm me mega-presion ndërkombëtar. Ballkani Perëndimor nuk ka dinamikë autonome”. /REL

Shpërndaje në: