Alarmante: Në Kosovë arrin në afro 13 mijë numri i personave të prekur me grip
Për më pak se tre muaj, rreth 13 mijë qytetarë janë prekur me gripin sezonal.
Numri i të prekurve me grip në Kosovë është duke u rritur. Institucionet e shëndetësisë po apelojnë te qytetarët që t’i marrin masat e duhura për t’u mbrojtur nga gripi sezonal, duke përfshirë këtu edhe vaksinimin.
Rreth 13 mijë qytetarë janë prekur me gripin sezonal për më pak se tre muaj. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend kanë thënë për “Zërin” se nga 1 tetori i këtij viti deri më 15 dhjetor në këtë Institut janë raportuar 12 mijë e 331 raste të dyshimta me grip, si dhe mbi 2 mijë raste me infeksion respirator akut.
Po ashtu, sipas këtij Instituti, janë raportuar edhe raste me infeksione të rënda respiratore.
“Nga 1 tetori 2019 deri më 15 dhjetor 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 12 mijë e 331 raste të dyshimta në grip (ILI), 2,040 raste me ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 11 raste me SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut).
Gjatë javës së 50-të (09.12.2019 – 15.12.2019) janë raportuar 1 mijë e 427 raste ILI, 254 raste ARI dhe 2 raste SARI”, ka thënë zyra për informim në këtë Institut