Akuzat e Osmanit për 150 mijë eurot, Mensuri reagon: Po stigmatizohen njerëzit por gjithçka do merret vesh
Ndarja e grupit më të njohur të humorit “Stupcat” bëri bujë të madhe. Një shumë e madhe e parave po raportohet të jetë një ndër arsyet kryesore që solli ‘thyerjen’ e tri ikonave të humorit.
Të mërkurën avokati i Osman Azemit, Kushtrim Palushi ka hedhur dyshime serioze për keqpërdorime të mëdha financiare në kompaninë “Stupcat Group”. Përmes avokatit, Osmani i ka akuzuar Vedat Bajramin dhe Mensur Safçiun për keqpërdorimin e 150 mijë eurove.
Për këto akuza sot pritet të prononcohet zyrja ligjore e Vedatit dhe e Mensurit. Kështu ka deklaruar ky i fundit për Gazetën Insajderi.
“Sot prononcohet zyra jonë ligjore dhe merret vesh gjithçka, unë s’kam kurrfarë komenti”, ka thënë Safçiu.
Tutje, ai ka thënë se po stigmatizohen njerëzit mirëpo sot gjithçka do të qartësohet.
“Po stigmatizohen njerëzit por gjithçka do merret vesh kaq. E merrni sot informatën”.
Lidhur me këto akuza avokati i Osman Azemit ka thënë se do t’i drejtohet organeve kompetente, Prokurorisë së Shtetit dhe ATK-së, për të hetuar dhe zbuluar veprat e mundshme penale që janë kryer.