Aktorja Evan Rachel Wood akuzon këngëtarin e famshëm për përdhunim dhe dhunë

Aktorja Evan Rachel Wood akuzon këngëtarin e famshëm për përdhunim dhe dhunë

Aktorja amerikane Evan Rachel Wood ka pretenduar se këngëtari Marilyn Manson ka abuzuar me të gjatë marrëdhënies së tyre 3-vjeçare. Manson dhe Wood filluan lidhjen në vitin 2007 dhe u fejuan në 2010-ën, por u ndanë po atë vit.

Manson ka mohuar akuzat, duke thënë se bëhej fjalë për “shtrembërime të tmerrshme të realitetit”. Wood më parë ka thënë se ajo është një e mbijetuar e përdhunimit dhe abuzimit në familje, pa përmendur emrin e Manson.

Pas akuzave të Wood, Loma Vista Recordings – që publikoi albumet e fundit të Manson – tha në një deklaratë në Twitter se nuk do të punonte më me artistin dhe do të ndalonte së promovuari albumin e tij të fundit menjëherë.

Rrjeti televiziv amerikan Starz tha se paraqitja Manson në dramën fantastike American Gods do të hiqet nga një episod i ardhshëm. Të hënën, Wood pretendoi se Manson ishte abuzuesi i saj për herë të parë përmes një deklarate të postuar në llogarinë e saj në Instagram.

“Emri i abuzuesit tim është Brian Warner, i njohur gjithashtu në botë si Marilyn Manson,” pohoi aktorja e Westworld. “Ai filloi të më joshte kur isha adoleshente dhe më abuzoi në mënyrë të tmerrshme për vite me radhë. Më bëri lavazh truri dhe u manipulova për nënshtrim.”

“Unë i kam dhënë fund frikës së hakmarrjes, shpifjes ose shantazhit. Unë jam këtu për të zbuluar këtë njeri të rrezikshëm dhe për t’u bërë thirrje industrive të shumta që i kanë dhënë mundësi atij, para se ai të shkatërrojë më shumë jetë. Unë mbështes shumë viktima të cilat nuk do të heshtin më”, -shtoi ajo.

Manson iu përgjigj akuzave në Instagram të hënën në mbrëmje, duke thënë:

“Natyrisht, arti im dhe jeta ime kanë qenë prej kohësh magnet për polemikë, por këto pretendime të fundit rreth meje janë shtrembërime të tmerrshme të realitetit. Marrëdhëniet e mia intime kanë qenë gjithnjë konsensuale me partnerët. Pavarësisht se si, dhe pse, të tjerët tani po zgjedhin të keqinterpretojnë të kaluarën, kjo është e vërteta.”

Gra të tjera dolën përmes platformave të mediave sociale të hënën për të bërë deklarata të ngjashme duke akuzuar Manson për abuzim.

Shpërndaje në: