Aktori Van Damme mesazh Putinit: Dua të vizitoj Rusinë si ‘ambasador i paqes’

Aktori Van Damme mesazh Putinit: Dua të vizitoj Rusinë si ‘ambasador i paqes’

Aktori i njohur belg, legjenda e filmave aksion, Jean-Claude Van Damme, ka shprehur dëshirën për të vizituar Rusinë si “ambasador i paqes”. Në një video të postuar në Telegram nga një gazetar ukrainas, pro-rus, 64-vjeçari i drejtohet drejtpërdrejt presidentit Vladimir Putin, duke thënë se do të ishte “i nderuar” të merrte një rol të tillë.

“Ne duam të vijmë në Rusi. Do përpiqemi ta bëjmë këtë ashtu siç ju dëshironi, si ambasador i paqes,” deklaroi aktori i njohur, përcjell Periskopi.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që Van Damme viziton Rusinë. Në vitin 2010, ai ishte në Soçi për një event të arteve marciale, ku u fotografua në ulëset VIP pranë presidentit Putin. Të dy ndajnë një pasion të përbashkët për sportet luftarake, presidenti rus është një mjeshtër i xhudos, ndërsa Van Damme ka ndërtuar një karrierë të tërë mbi aftësitë e tij në karate dhe kickboxing.

Në videon e tij, Van Damme shmang çdo koment politik mbi luftën në Ukrainë apo tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit, duke premtuar se do të flasë “vetëm për paqe, sport dhe lumturi”, përpara se ta mbyllte mesazhin me një “puthje të madhe për Putinin”.

Ndryshe nga shumica e figurave publike në Perëndim, të cilët janë distancuar nga Vladimir Putin pas nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt 2022, disa të famshëm ende shfaqin mbështetje për liderin e Kremlinit. Më i njohuri prej tyre është aktori amerikan Steven Seagal, mik i afërt i Putinit. Seagal shërben si përfaqësues i posaçëm i Rusisë për lidhjet humanitare me SHBA-në dhe është një figurë e rregullt në eventet zyrtare të Moskës.

Shpërndaje në: