Aktakuzë në mungesë ndaj tre serbëve për krime lufte në Kosovë
Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër tre serbëve me inicialet L.Č., P.B dhe M.I nën dyshimet për krime lufte në Burgun e Prishtinës dhe në Lipjan.
Prokuroria Speciale njofton se “i pandehuri L.Č., në cilësi të personit zyrtar-Drejtor i burgut të Qarkut në Prishtinë, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘’Krime Lufte Kundër Popullatës Civile”.
Ndërkaq të pandehurit P.B dhe M.I., në cilësinë e personave zyrtar-gardian të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Krime Lufte Kundër Popullatës Civile’’.