Aktakuzë ndaj dy personave në Prizren për lëndim të rëndë trupor me pasojë vdekjen

Aktakuzë ndaj dy personave në Prizren për lëndim të rëndë trupor me pasojë vdekjen

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.A., (shtetas turk), dhe H.B., (shtetas kosovar), të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor”, “Mosdhënia e ndihmës” dhe veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Në njoftim është përshkruar aktakuza, ku është përshkuar mënyra se si sipas Prokurorisë ka ndodhur rasti.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.A., me datë 06.07.2024, rreth orës 23:50 min, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni në lagjen ‘’Kurillë’’, me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin tjetër H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast  i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës, duke i shkaktuar plagë therëse, të konstatuara si në Raportin e Autopsisë – të datës 31.10.2024, dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e pësuara, pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku si pasojë e shokut hemorragjik edhe ndërron jetë”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, thuhet se i pandehuri E.A., thuhet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”.

“Ndërsa, i pandehuri H.B., me datë 06.07.2024, rreth orës 23:55 min, në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit, jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten, në atë mënyrë që pasi ishte duke e bartur viktimën A.Th., në veturën e tij, duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë me mjet të rrezikshëm nga i pandehuri E.A., nuk e dërgon të njejtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, e lejon të dalë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethit të lagjes “Bazhdërhane” në Prizren dhe vazhdon rrugën me veturën e tij në drejtim të lagjes “Ortakoll”, ku si pasojë e plagëve të pësuara, përkatësisht  si pasojë e shokut hemorragjik viktima edhe ndërron jetë pranë QKUK-së në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Pa ashtu thuhet se ai duke qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale të lëndimit të rëndë trupor, nuk e ka njoftuar organin kompetent për një fakt të tillë, në atë mënyrë që pasi ka qenë në dijeni si dëshmitar okular në kryerjen e veprës penale nga E.A., megjithatë ka refuzuar që ta njoftojë policinë apo organin tjetër kompetent lidhur kryerjen e veprës penale dhe identitetin e kryesit të saj.

“Në këtë mënyrë, i pandehuri H.B., ka kryer veprat penale ‘Mosdhënia e ndihmës’ dhe ‘Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’ sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në: