Aktakuzë ndaj disa personave për tentim vrasje në Prizren
Prizren- Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se të mërkurën ka ngritur aktakuzë ndaj disa personave për vrasje e rëndë në tentativë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, tentim vrasja kishte ndodhur më 22 maj 2024 në fshatin Krajk të Prizrenit.
“Sipas aktakuzës, me datë 22.05.2024 rreth orës 19:15 minuta në fshatin Krajk- Komuna e Prizrenit, në afërsi të tyrbes së fshatit, të pandehurit H.L., Sh.L., dhe A.L., me dashje tentojnë ta privojnë nga jeta të dëmtuarin M.Q., po ashtu me dashje vënë rrezik jetën e dëmtuarave, Gj.B., dhe S.Q., si pasagjere në automjet, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari M.Q., ishte duke e drejtuar automjetin e tij, e që ishte duke udhëtuar në drejtim të Prizrenit, i pandehuri A.L., me automjetin e tij, iu del përpara duke ia prerë rrugën, dhe nga automjeti i tij, dalin të pandehurit H.L., A.L., Sh.L., dhe Z.L., i pandehuri A.L., me një shufër metalike në dorë niset në drejtim të automjetit të të dëmtuarit, me ç’ rast e godet me shufër metalike xhamin e përparmë të automjetit duke e thyer, në momentin kur i dëmtuari M.Q., e hap derën për të dalë jashtë, i pandehuri Sh.L. i pajisur me një pistoletë të tipit “Crvena Zastava 99, dhe i pandehuri H.L,. i pajisur me një pistoletë të tipit “Zastava M83/98”, shtënë nga një largësi prej 4-5 metra në drejtimin e të dëmtuarit M.Q., duke e goditur të njëjtin në të dy këmbët, me ç’rast i kanë shkaktuar dy plagë hyrëse – tej shkuese, ndërsa të dëmtuarave Gj.B., dhe S.Q., seriozisht me dashje u vënë në rrezik jetën, i dëmtuari M.Q., me shpejtësi largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Tutje në aktakuzë thuhet se në ndërkohë, afërsi të tyrbes së fshatit të pandehurit I.L., e A.L., të pajisur me një pistoletë në dorë i afrohen të dëmtuarit B.Q., i cili ishte duke qëndruar në afërsi të automjetit të tij, me ç’ rast përdorin forcë ndaj tij duke e goditur të njëjtin me pjesën e topitur të pistoletës.
“Pastaj, të pandehurit, H.L., I.L., H.L., Sh.L., dhe Z.L., pas konfliktit në fshatin Krajk, nga aty i ndjekin me automjete të dëmtuarit M.Q., dhe B.Q., të cilët në automjete ishin me anëtarët e familjeve të tyre, e që ishin duke udhëtuar në drejtim të Prizrenit, në momentin kur vërejnë se të dëmtuarit janë ndalur tek pompa e benzinës “O…… OIL” zbresin nga automjetet e tyre, dhe i sulmojnë me mjete të forta dhe me armë zjarri, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit, lëndime këto të konstatuara në akt ekspertimin mjekoligjor në bazë të dokumenteve të çështjes të datës 06.09.2024 dhe plotësimi i mendimit të ekspertimit mjekoligjor datë 19.11.2024 punuar nga eksperti i mjekësisë ligjore”, thuhet në përshkrimin e aktakuzës./betimipërdrejtësi