Aktakuza e Banjskës: Kritikat e Qeverisë për Prokurorinë dhe reagimet ndërkombëtare, çka u tha gjatë javës? (Aktakuza e plotë)

Aktakuza e Banjskës: Kritikat e Qeverisë për Prokurorinë dhe reagimet ndërkombëtare, çka u tha gjatë javës? (Aktakuza e plotë)

Me 11 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për 45 persona të cilët ishin të përfshirë në sulmin e Banjskës në veri të vendit. Ani pse në vazhdimësi Prokuroria u sulmua nga akterë të Qeverisë Kurti për zvarritjen e këtij procesi, këtë javë kryeprokurori Blerim Isufaj vendosi që aktakuzën ta ngris në ditën e përvjetorit të sulmit terroristë që ndodhi në ShBA. Ngritja e kësaj akrakuze u vlerësua e vonshme nga Qeveria e Kosovës, por jo edhe nga aleatët ndërkombëtarë e njohës të drejtësisë. Në vazhdim Periskopi ju sjell një përmbledhje të asaj që ndodhi gjatë kësaj jave…. 

Të mërkurën, kryeprokurori, Blerim Isufaj doli në një konferencë për medie nga ku njoftoi se është ngritur aktakuzë për 45  persona të cilët ishin të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë, i udhëhequr nga kryekrimineli Millan Radojçiq.

Në konferencën për media, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se është punuar intensivisht për të arritur deri te ngritja e kësaj aktakuze.

“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, kishte thënë ai në një konferencë për media.

Mes shumë veprave penale, në aktakuzë përmendet se “ ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale, “Kryerja e veprës terroriste” .

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”

“Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”, thuhet mes shume veprave penale në aktakuzë.

Aktakuzën e plotë e gjeni tek ky link: SULMI TERRORIST NË BANJSKË

Qeveria e Kosovës për aktakuzën e Banjskës: Më mirë vonë se kurrë

Megjithëse njohës të drejtësisë ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë e vlerësuan se është bërë në afat rekord, nga Qeveria e Kosovës po e shohin si të vonshme.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeparlamentari Galuk Konjufca deklaruan se kjo aktakuzë ka mundur të ngritët më herët, duke përdorur frazën  “më mirë është vonë sesa kurrë”.

“Nuk e kam parë aktakuzën jam i bindur që ka mund të ngrihet shumë më herët dhe sot të ndodhemi në një situatë të re. Natyrisht siç thotë populli ynë ‘’më mirë vonë se kurrë”, por megjithatë duhet ta shohim përmbajtjen e saj në mënyrë që të mund të flasim për të”, kishte thënë Kurti.

BE dhe DASh mirëpresin ngritjen e aktakuzës

Bashkimi Evropian ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave të grupit terrorist që organizoi sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka theksuar edhe një herë pritshmërinë që fajtorët të mbahen përgjegjës.

“BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimet e sulmit të Bajnskës dhe ka ngritur aktakuzën. BE-ja në vazhdim ka theksuar pritshmërinë që të gjithë ata që janë të përfshirë dhe përgjegjës në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Parashtrimi i aktakuzës nënkupton që tani procesi gjyqësor do të fillojë dhe ne po presim për përfundimet e këtyre procedurave gjyqësore.” – kishte thënë Stano.

Ndërsa Depertamenti Amerikan i Shtetit tha se inkurajojnë respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit, pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e 24 shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

“Sa i përket aktakuzës së Kosovës, ne inkurajojmë për respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit dhe për durim, teksa ky rast i ndërlikuar procedohet në gjykata. SHBA-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë”, tha një zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Çka ndodhi me 23 shtator në Banjskë?

Në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.

Në aktakuzë, Millan Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”, i cili bashkë me pjesëmarrësit e tjerë, më 24 shtator, 2023, në orën 01:00, pasi që kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë dhe pastaj janë fshehur, kanë sulmuar zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët kanë shkuar për t’i hequr kamionët dhe për të liruar rrugën.

Me këtë rast është vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku, është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti, dhe janë lënduar zyrtarët tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi.

Ky sulm, sipas aktakuzës, ka vazhduar deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e këtij grupi është arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë”./ PERISKOPI

Shpërndaje në: