Aksioni në Veri, Sveçla: Strukturat paralele “Civilna Zastita” ende aktive në Kosovë

Aksioni në Veri, Sveçla: Strukturat paralele “Civilna Zastita” ende aktive në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se në një aksion në një fshat të Leposaviqit ka gjetur dhe konfiskuar armë, municion, një sasi eksplozivi dhe uniforma ushtarake, raporton Periskopi.

Përmes një konference për media në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut detajet rreth këtij aksioni i kanë bërë të ditura, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

“Falë informacioneve Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion, ku janë zbuluar uniforma të ndryshme, pajisje ushtarake, armë dhe municion të ndryshëm por edhe dokumentacione indroktinuese që dëshmojnë se strukturat paralele “Civilna Zastita” vazhdon të jetë aktive në territorin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Sveçla.

Ai ka thënë se institucionet e sigurisë së Kosovës në vazhdimësi po zhvillojmë aksione, e të cilat, sipas tij kanë qëllim të sigurojnë rend e ligj në çdo pjesë të vendit, duke synuar që Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera t’i shërbejnë rendit dhe ligjit dhe qytetarëve të saj pa asnjë dallim.

“Në anën tjetër, Serbia vazhdon ta strehojë terroristin Milan Radojçiq, i cili është kupola e gjithë këtij organizimi, i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste t’i mbajë të gjallë, qoftë në territorin e Serbisë, po ashtu edhe brenda territorit të Kosovës. Ne u bëjmë ftesë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtyre grupeve terroriste të dorëzohen dhe që t’i dorëzojnë pajisjet, armët dhe të gjitha mjetet tjera luftarake dhe të bëhen pjesë integrale e shoqërisë, gjithmonë duke pasur parasysh se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin dhe cenuar kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës duhet të përgjigjen para saj”, ka shtuar Sveçla.

Ai ka thënë se mbesin të vendosur dhe të përkushtuar që siguria të mbretërojë në çdo cep të Republikës së Kosovës dhe që çdo kush që cenon atë të vihet para organeve të drejtësisë.

Shpërndaje në: