Aksioni i Policisë në veri, ku u konfiskuan rreth 75 milionë dinarë, BQK: Operimi i institucioneve financiare pa licencë është veprim i paligjshëm dhe i palejueshëm
Policia e Kosovës të hënën ka zhvilluar një aksion në veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi ilegale të “Bankës Postare Kursimore”, si dhe u konfiskuan edhe prova të ndryshme materiale përfshirë 75 milionë dinarë (rreth 640 mijë euro).
E lidhur me këtë nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës theksuan se sipas legjislacionit në fuqi aktiviteti ose operimi i institucioneve financiare pa licencë është veprim i paligjshëm dhe i palejueshëm.
“Ju njoftojmë se sipas legjislacionit në fuqi aktiviteti ose operimi i institucioneve financiare pa licencë është veprim i paligjshëm dhe i palejueshëm. Më saktësisht, ai bie ndesh me Ligjin Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, Ligji Nr. 04/L- 155 për Sistemin e Pagesave si dhe instrumentet rregullatore përkatëse.