Aknet hormonale: Çfarë janë, nga shkaktohen dhe si parandalohen
Sipas Sapna Palep, dermatologe e certifikuar, 50% e grave nga mosha 20-29 vjeç kanë puçrra, të cilat zakonisht shkaktohen nga hormonet tona. Në kontrast me këtë, një studim i vitit 2018 tregon se vetëm 3% e burrave kanë akne kronike hormonale.
Çfarë janë aknet hormonale?
Siç sugjeron emri, aknet hormonale janë puçrra që vijnë nga luhatja e hormoneve.
“Kjo mund të ndodhë gjatë pubertetit, por mund të prekë edhe të rriturit e çdo moshe dhe është veçanërisht e zakonshme te gratë”, thotë Palep.
Ajo shton se një numër faktorësh mund të kontribuojnë në këto luhatje, por dy më kryesoret janë menstruacionet dhe menopauza. Kjo është arsyeja pse ju me siguri vëreni shpërthime hormonale menjëherë para periodave, kur nivelet e estrogjenit, progesteronit dhe testosteronit janë në ndryshim.
Çfarë i shkakton aknet hormonale?
Përgjigja e thjeshtë këtu është një ndryshim ose luhatje e hormoneve, por historia nuk është gjithnjë kështu.
“Faktorë si prodhimi i vajit dhe bakteret formojnë një seri ngjarjesh në lëkurë, që shkaktojnë shpërthime”, thotë Sofie Pavitt, estetiste dhe specialiste aknesh.
Pra, aknet hormonale janë një term që ne e përdorim kur hormonet tuaja rrisin prodhimin e vajit në lëkurë. Me fjalë të tjera: Jo domosdoshmërisht vetë hormonet shkaktojnë akne, por ato shkaktojnë prodhimin e tepërt të vajit, i cili nga ana tjetër mund të bllokojë poret, duke acaruar lëkurën.
Mbani mend se një tjetër faktor ndikues është sigurisht edhe ai gjenetik.
Ndërkohë, përveç periodave, ka disa faktorë të tjerë që mund të rrisin luhatjet hormonale përfshirë kontraceptivët oralë, stresin apo dietën ushqimore, si për shembull hormonet natyrale të rritjes në prodhimet e bulmetit.
“Ndërkohë që ju nuk e mendoni stresin si një hormon, kortizoli, hormoni që stresi prodhon, mund të rrisë gjithashtu prodhimin e vajit, e cili shkakton ato gungat e dhimbshme.”
Si duken puçrrat hormonale?
Për fat të mirë, në përgjithësi është shumë e lehtë të kuptohet nëse puçrrat me të cilat keni të bëni janë hormonale.
Modeli klasik përfshin: gunga të thella, të kuqe, që ndodhin zakonisht një javë para ciklit menstrual.
Tek të rriturit, puçrrat hormonale zakonisht përqendrohen në gjysmën e poshtme të fytyrës tuaj, duke u shfaqur në mjekër, nofull dhe zonën e poshtme të faqeve. Në adoleshencë, zakonisht shfaqen në zonën T.
Si t’i trajtojmë aknet hormonale?
Ashtu si shumica e llojeve të tjera të puçrrave, ka mënyra të shumta për të trajtuar aknet hormonale. Pjesa më e madhe e trajtimeve konsistojnë në uljen e prodhimit të tepërt të vajit. Dr. Palep sugjeron të kërkoni produkte me retinoide, peroksid benzoil dhe acide hidroksi-alfa.
Është e rëndësishme të jeni të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj një rutine të kujdesit çdo ditë. Mos harroni të përdorni një larës të butë, produkte me përbërës aktivë për aknet, krem dielli dhe krem hidratues.
Përmbajuni rutinës suaj edhe nëse nuk shihni rezultate të menjëhershme, pasi qëndrueshmëria është thelbësore për krijimin e një ndryshimi afatgjatë.
Sidoqoftë, nëse po shihni se lëkura sa vjen e acarohet dhe nuk bëhet më fjalë për dy apo tre akne, do të ishte mirë të konsideronit një dermatolog.
Për shkak të pandemisë, mund të zhvilloni dhe një konsultë online me mjekun.
Si t’i parandaloni aknet hormonale
“Nuk ka asnjë mënyrë të garantuar për të parandaluar aknet hormonale pa përdorimin e ilaçeve të caktuara”, thotë dr. Nazarian.
“Luhatjet hormonale janë normale. Sinjalet në lëkurën tuaj dhe puçrrat që rezultojnë mund të mos ju bëjnë të lumtur, por ata po reagojnë siç duhet në atë që trupi juaj po dërgon.”
Nëse nuk doni të provoni ende ilaçe, ka disa gjëra që mund të bëni në shtëpi për të përkeqësuar shpërthimet hormonale:
“Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni është të përpiqeni të mbani hormonet tuaja të ekuilibruara duke zvogëluar stresin”, thotë Palep. Ajo gjithashtu sugjeron mos ta teproni me konsumin e mishit të kuq, sheqernave dhe produktet e bulmetit.”