Ahmeti: S’më vjen mirë që Kosova ka marrëdhënie të ftohta me SHBA-në e BE-në
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka shprehur shqetësimin për marrëdhëniet jo të mira të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar se pa ndihmën e tyre, liria e vendit mund të ishte shumë më e vështirë për t’u arritur.
Në organizimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për pritjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me rastin e Ditës së Veteranit, Ahmeti ka theksuar rëndësinë e sakrificave të veteranëve për lirinë e Kosovës dhe ka apeluar për unitet të mëtejshëm, raporton EO.
Ai ka theksuar se ata janë fitimtarët që dhanë gjithçka për atdheun dhe se obligimi i të gjallëve është të nderojnë dhe kujtojnë ata që ranë në luftë.
Ai ka apeluar për më shumë angazhim dhe veprim të përbashkët, duke shtuar se duhet të vazhdohet me proceset që çojnë në anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE, për të siguruar paqen dhe sovranitetin në vend.
“Nuk më vjen mirë që marrëdhëniet janë aq të ftohta me Amerikën dhe Evropën sepse pa ndihmën e tyre ne shumë vështirë do e kishim, ne lirinë e fituam dhe lamë me gjak por bashkë me aleatët e çliruam Kosovën. Nuk më vjen mirë që gjuha shqipe nuk është gjuha zyrtare në Maqedoni, që për atë gjuhë ata kanë derdhur gjakun. Na duhet akoma vendim e veprim i përbashkët, i kemi ngritur bashkë të gjitha ushtritë e proceset. Ti shpiem bashkë deri ën anëtarësimin e Kosovës në NATO, e në Bashkimin Evropian dhe të jetojmë të lirë në paqe dhe në sovranitet”, ka theksuar ai.