AGK, Shoqëria civile dhe analistë – Krejt reagimet që ndodhen ndaj sulmeve të pushtetit dhe RTK-së kundër Periskopit dhe Nacionales
Shkrimi i publikuar në një media boshnjake, në të cilën akuzohen mediat në Kosovë për lidhje me Vuciqin, përfshirë këtu edhe Periskopin, në mbrëmjen e të hënës ka zënë vend edhe në Edicionin Qendror të Lajmeve në Transmetuesin Publik (RTK). Një gjë të tillë e kanë përkrahur edhe nga deputetët të partisë në pushtet duke e shpërndarë në rrjetin e tyre social, si Dimal Basha e Salih Zyba.
Për një linçim të tillë, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e kanë konsideruar fushatë të rrezikshme.
“Fushata si kjo, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre.
I bëjmë thirrje të përsëritur kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, që të mos angazhohen në fushata të tilla të papranueshme, që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë për të bërë punën e tyre.
AGK-ja, gjithashtu shpreh keqardhje që një “lajm”, si ky që sulmon kolegët, ka gjetur hapësirë edhe në Lajmet Qendrore të Televizionit Publik të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagim pati edhe nga bashkëpuntori i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj i cili ka thënë se televizoni i cili kontrollohet nga pushteti po mundohet të sulmoj pronarin e kësaj medie, Ilir Mirenën, i cili në kohën e luftës u kthye nga Zvicra për t’iu bashkuar UÇK-së.
“Radio Televizioni i Kosovës, i cili sot kontrollohet totalisht nga pushteti i VV dhe paguhet nga taksat e popullit, ka arritur në pikën të sulmoj Ilir Mirenën i cili kishte ardhur nga Zvicrra për t’u bashkuar me radhët e Ushtrisë Çlirimtare për të luftuar kundër zemljakeve të menaxhmentit të sotëm të RTK-së dhe të regjimit të Kurtit.
Mbi të gjitha RTK ka cituar një person nga Serbia që është pjesë e luftës hibride të Serbisë në Kosovës dhe shfrytëzon naivitetin e jugonostalgjikëve, por zemljaket e RTK-së nuk e bëjnë dallimin; ata e bëjnë dallimin ashtu siç bënin gjatë kohës së Jugosllavisë, midis shqiptarit jugosllav dhe shqiptarit anti-jugosllav që urrehet prej tyre”, ka shkruaru ai në Facebook.
Edhe Drejtori ekzekutiv i Instituti Demokratik i Kosovës, Ismet Kryeziu ka reaguar pas skandalit të RTK-së ku sulmohen Periskopi dhe Nacionale.
Ai ka thënë se RTK-ja prej sonte paraqet rrezik jo vetëm për gazetarinë e lirë, por edhe për shoqërinë.
“Kur shteti përdor mediat publike si RTK-ja, për të promovuar agjendat e tij dhe për të diskredituar mediat e pavarura, krijon një mjedis të mbushur me dezinformim dhe manipulim të opinionit publik.
RTK-ja nga sonte paraqet rrezik jo vetëm për gazetarinë e lirë dhe gazetarët, por edhe për demokracinë dhe shoqërinë në përgjithësi”, u shpreh ai në Facebook.
Ai ka thënë se RTK-ja e Kurtit e ka kompleksuar edhe RTS, e që sipas tij kjo është e gërditshme dhe e turpshme.
“Vite me pare ka pas gazetere e analiste serbe dhe ish zyrtare te sherbimit sekret serb qe kane tregu se qysh e ka rekrutu UDB-a Albin Kurtin ne burg ose qysh Albini ka qene ne lidhje me vajzen e Sokolloviqit, ministrit te Brendshem te Milosheviqit.
Por, asnjehere RTK-ja nuk eshte leshu ne aventura servilizmi me i plasu keto deklarata ne edicionet e lajmeve qendrore dhe asku tjeter. Bile edhe atehere kur Albin Kurti e ka kalle Kosoven per me ardhe ne pushtet, pushtetet e kaluara nuk e kane perdor RTK-ne per te tilla sulme te ulta.
Ky lajmi i sotem i RTK-se tregon per nivelin me te ulet njerezor, moral, etik, profesional e kombetar te Bordit dhe menaxhmentit te sotem te RTK-se, a.k.a Radio-Televizioni i Kurtit. E gerditshme, e turpshme, e neveritshme. Sonte e keni kompleksu edhe RTS-in.
PS: Mos harroni – RTK-ja eshte televizion publik qe funksionon me taksat e qytetareve, te cilat i paguan edhe 50%-shi qe nuk e ka votu Albin Kurtin!!! Nese ju, Bordi e menaxhmenti i RTK-se, keni vendos me jetu krejt jeten si pampersa te Albinit, mos e beni kete kaq ashiqare e paftyrsisht. Servila, zvarranika, puthadore!!!”, ka shkruar Salihu në Facebook.
Pas skandalit të RTK-së ku sulmon Periskopin dhe Nacionalen, Teutë Rrusta ka rikthyer aksionin e PSD-së me pankartën “Radio Televizioni i Kurtit.
Ajo ka thënë se mediat po janë pengesa kryesore në konstruktimin e të vërtetës së pushtetit.
“Mediat po dalin me qenë pengesa kryesore në rrugë e sipër në konstruktimin e të vërtetës së pushtetit. Por e vërteta e tyre rren. E rrena nuk zgjatet pafund”, ka shkruar ajo krahas videos nga aksioni i tyre që kishin para disa muajve në RTK.
E, Zafir Berisha nga Nisma ka thënë se VV-ja propagandën linçuese dhe shpifëse në adresë të atyre që nuk mendojnë si ata, e marrin në Beograd e përkthejnë dhe e lansojnë për analfabetët e tyre në Kosovë.
“Ka vite që unë shkruaj se sekti i VV propagandën linçuese dhe shpifse ne adresë të atyre që nuk mendajn si ata, e marrin në kuzhinat e Beogradit e përkëthejn dhe e lansojn për analfabetët e tyre funksional në Kosovë. Sulmi kundër “Nacioneles” dhe “Periskopit” në rrietet sociale nga zyrtar të VV do të konsiderohej i zakonshëm po mos tu vente në shërbim të kësaj propagande të poshtër edhe telivizioni publik RTK, i cili tashmë është kapur 100% nga komisar politik të regjimit që dirigjohen nga Dojena Mihajllova”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Kush është Boban Bogdanoviq, që VV-ja e përdori shpifjen e tij për sulm ndaj Periskopit dhe Nacionales?
Në fund të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte takuar Boban Bogdanoviqin, udhëheqës të Lëvizjes ‘Odgovor’. Për këtë takim, zyra e Kurtit nuk kishte treguar, por ishin mediat ato që publikuan fotografi nga takimi.
Në kuadër të takimeve me serbët e Kosovës, kryeministri Albin Kurti pati takuar fundvitin e kaluar, edhe Boban Bogdanoviqin, një figurë kontraverse nga Serbia.
Në fotografinë e publikuar nga media kosovare, përveç Bogdanoviqin, në foto me Kurtin shihej edhe ministri për Kthim dhe Komunitete, z. Nenad Rashiq.
Bogdanoviq në të kaluarën ishte anëtar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë që nga themelimi i saj dhe bashkëpunoi ngushtë me Sasha Jankoviqin.
Ai e përshkruan veten si biznesmen që zhvillon dhe shet kompani, duke mos e mohuar asnjëherë që është edhe person me ndikim në politikë.
Boban Bogdanoviq u bë i njohur për publikun kosovar në marsin e vitit të kaluar, pas një interviste të dhënë për portalin KRIK, ku kishte pretenduar se është në dijeni se kush e kishte kryer vrasjen e politikanit serbët e Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Në atë intervistë, Bogdanoviq kishte thënë se informatat për personat e përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit, i kanë ardhur nga miku i tij i ngushtë, Aleksandar Gligorijeviq, i njohur me nofkën “Puke”, i dyshuar për aktivitete kriminale me ndikim nga grupi “Principi” i Veljko Belivukit, i cili pretendohet më pas se e ka paguar vrasësin e Ivanoviqit.
Bogdanoviq kishte thënë se ‘një shok, me të cilin ka qenë miq që nga fëmijëria, i ka shpjeguar se në vrasjen e Ivanoviqit kanë marrë pjesë dy grupe kriminale’. Këtu ka përmendur edhe të dyshuarin tjetër për aktivitete kriminale nga veriu i vendit, Zvonko Veselinoviq, i cili sipas pretendimeve të Bogdanoviq, ka urdhëruar vrasjen, ndërsa “Belivuk” ka siguruar vrasësin.
Boban Bogdanoviq ishte ndaluar më 14 dhjetor të vitit të kaluar nga autoritetet serbe në Merdare. Ndalimin e tij, e kishte përshkruar si ‘revanzhisëm politik’ pas takimit me Kurtin.
Bogdanoviq – siç citohet nga mediat kosovare, e ka pranuar edhe publikisht që në të kaluarën ka qenë i afërt me organizatën e dyshuar kriminale “Principi” të udhëhequr nga Veljko Belivuk.
Kush është grupi “Principi” i Veljko Belivuk?
Në Serbi ky grup është i njohur për aktivitete të shumta kriminale. Në shkurtin e vitit 2021, kreu i këtij grupi Veljkjo Belivuk ishte arrestuar nga policia gjatë një aksioni të madh policor, që përfshinte shumë qytete e lokacione, mes tyre edhe stadiumin e klubit “Partizani”, ku kishin të ndërtuar një bunker. Gjatë asaj kohe policia dhe BIA serbe siguruan prova të shumta, ndër të cilat janë ekzekutimi dhe planifikimi i vrasjeve, torturimi i viktimave.
Kryeministri Albin Kurti, në fushatën zgjedhore u shqua për frazën se me mandatin e si kryeministër ‘do të zhvillonte bisedime me serbët lokalë të Kosovës’.