AGK-ja i kërkon Vjosa Osmanit qëndrim publik për Ligjin e KPM-së: Fol Presidente
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të dalë me qëndrim për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, pas miratimit në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar.
AGK-ja, organizata të huaja, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Misioni i OSBE-së e ambasada të huaja kanë thënë se ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës.
“AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve. Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht”, thuhet në reagimin e AGK-së të martën.
AGK-ja ka thënë se pret që presidentja të ndërveprojë me institucionet tjera në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit.