AGK e shqetësuar me miratimin e Ligjit për KPM-në: Goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Në reagimin e AGK-së thuhet se Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.
“Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK shton se votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës.
“AGK-ja, bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit. Në këtë link mund të gjeni vërejtjet kryesore: https://tinyurl.com/5bctfvtu “, thuhet në reagim.