Agjencia e Kosovës për Akreditim kërkon 1,000 bileta aeroplani në vlerë prej 400 mijë eurosh

Agjencia e Kosovës për Akreditim kërkon 1,000 bileta aeroplani në vlerë prej 400 mijë eurosh

Agjencia e Kosovës për Akreditim, institucioni që kujdeset për cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë, prioritetet në vitin 2025 i kanë ndërruar paksa, duke i vendosur fluturimet ajrore. Ky institucion  ka shpallur tender për 1,000 bileta aeroplani për një periudhë 36-mujore, me një vlerë të parashikuar 400 mijë euro.

Me këtë përllogaritje të 1,000 biletave, një zyrtar i Agjencisë së Akreditimit do të duhej të ishte çdo ditë të vitit në aeroplan, për tre vite rresht. Me kaq udhëtime nga stafi i agjencisë, vështirë se mbetet kohë për vlerësimin e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë, por të paktën mund t’i vlerësojnë linjat ajrore për shërbimet e tyre.

Në dosjen e tenderit thuhet se çmimi i një bilete parashikohet të jetë 400 euro, por çmimi përfundimtar do të përcaktohet nga sistemi kompjuterik i rezervimeve.

Për t’i dhënë më shumë gravitet këtij tenderi ajror, kujtojmë se vetëm një vit më parë, në 2024, e njëjta agjenci kërkoi 300 bileta për 120 mijë euro. Por tani, në vitin 2025, kërkesa është rritur më shumë se trefish, ndoshta sepse arsimi i lartë në Kosovë ka nevojë për më shumë “monitorim ndërkombëtar”.

Arsimi i lartë mund të mos jetë në nivelet më të mira, por zyrtarët e Agjencisë së Akreditimit do të jenë nivele të larta të vlerësimit të fluturimeve duke marrë përvoja nëpër udhëtimet jashtë vendit./Periskopi/

Shpërndaje në: