Agim Ademit i caktohet arrest shtëpiak prej 30 ditësh
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë arrest shtëpiak kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Adem Ademit, i dyshuar për “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Lajmin e ka konfirmuar për Reporteri.net, zëdhënësja e kësaj gjykate Mirlinda Gashi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj Ademit nën dyshimin se ka keqpërdorur buxhetin e FFK-së.
Në raportin 24 orësh të Policisë, të enjten, thuhet se Ademi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”, duke keqpërdorur buxhetin e FFK-së.
Pasi ishte intervistuar gjatë ditës së djeshme dhe i ishte caktuar masa e ndalimit, Kreu i FFK-së kishte pretenduar se ka probleme shëndetësore, ku më pas është dërguar me autoambulancë në QKUK.
Ditë më parë Ademi është shpallur i pafajshëm për një aktakuzë të ngritur ndaj tij në vitin 2012, për të cilën fillimisht ishte dënuar në dy shkallë të gjyqësorit me 9 muaj burgim efektiv, por që pastaj Supremja e kishte quar në rigjykim rastin e tij dhe në fund u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Pikërisht tash e një vit më parë Ademi ishte arrestuar edhe njëherë nga Policia nën dyshimin për kryerje të sulmit fizik ndaj një punëtori të FFK-së.