Agim Ademi premton stadiume në çdo cep të Kosovës: Aty ku ka një klub
Kandidati i vetëm për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në ekspozenë e tij për qeverisjen e ardhshme 4-vjeçare tha se programin e tij po e fillon me ‘qeverisjen e mirë’.
Ai tha se raportet e mira që i ka FFK me UEFA-n e FIFA-n, kanë bërë që prej pranimit të Kosovës në këto dy organizata më të mëdha të futbollit, asnjë projekt të mos refuzohet prej tyre.
Ademi tha se ndihmë përveç UEFA-s e FIFA-s, gjithnjë kanë marrë edhe nga Ministria e Sportit, ku kanë pasur shumë projekte të përbashkëta, e si top prioritet e kanë infrastrukturën.
“Top prioritet do ta kemi infrastrukturën derisa në çdo cep të Kosovës ku mund të jetë një klub, do të ketë stadiume e terrene sportive ku mund ta zhvillojnë aktivitetin e tyre, kjo falë ndihmës nga FIFA, UEFA, ministria dhe organet tjera e sponsorët tanë”, është shprehur Ademi, njofton Klankosova.tv.
Ai, tutje tha se tjetër projekt prioritar e ka edhe masivizimin e futbollit.
“Si projekt prioritar dhe më i madhi në këto katër vite është masivizimi. Në marrjen tonë, kemi pasur diku 8 mijë e 411 futbollistë, ndërsa sot i kemi 12 mijë e 663 futbollistë të regjistruar, që do të thotë e kemi ngritë për 67 për qind masivizimin e futbollit”, ka thënë Ademi.