Agim Ademi ndalohet nga Policia për 48 orë – Për çfarë vepra dyshohet se kreu ai?
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ditën e mërkurë është ndaluar për 48 orë mbi dyshimet se ka kryer veprën penale shmangie në tatimi.
Këtë e bëri me dije Prokuroria Themelore në Prishtinë me anë të një komunikate zyrtare, duke njoftuar se dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së“.
“I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale.”, shkruhet në komunikatë.
Nëse kryetari Ademi shpallet fajtor, atëherë mund të dënohet me disa vite burg si dhe një gjobë të majme.
Sa i përket shmangies nga tatimi, ai mund të dënohet me gjobë dhe burgim deri në katër vjet.
“Kushdo që me qëllim që ai apo personi tjetër të fsheh apo t’i shmanget, pjesërisht apo tërësisht pagesës së takimit apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, apo i shmanget tatimit duke përfituar rimbursimet tatimore apo kreditë tatimore të pajustifikuara, jep të dhëna të pavërteta për të ardhurat apo nuk i përfshin të dhënat lidhur me të ardhurat e tij, gjendjen ekonomike apo fakte të tjera ose përndryshe ofron informata false relevante për vlerësimin e detyrimeve të tilla, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në katër vjet“, thotë neni 307.
Ndërsa, ky nen shton gjithashtu se “nëse shuma e ka tejkaluar vlerën e 15 mijë eurove, atëherë dënohet me gjobë dhe burgim prej gjashtë muaj deri në 5 vjet”.
Kurse, nëse “tejkalon shumën për 50 mijë euro atëherë gjobë plus burg prej 1 deri në 8 vjet”.
Ndërsa, nëse akuzat për “Keqpërdorimin e besimit” dalin të vërteta, atëherë mund të gjobitet sërish, plus burgim prej 3 muaj në 3 vjet.
“Kushdo që gjatë përfaqësimit apo kujdesit për interesat pasurore të personit tjetër nuk i përmbush detyrimet e tij ose i keqpërdor autorizimet e tij me qëllim që vetës apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme apo t’i shkaktojë dëm personit interesat pasurore të cilit ai i përfaqëson ose pasuria e të cilit është nën kujdesin e tij, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 3 muaj në 3 vjet“, thotë neni 330.