“Afera Pronto” si parathënie metodologjike për Qeverinë Haradinaj
Bisedat e përgjuara në të ashtuquajturën “Afera Pronto” ishin si një pasthënie për metodologjinë e dy Qeverive Thaçi, sepse u publikuan në fund të mandatit të saj. Por, ato janë poashtu si parathënie për metodologjinë e Qeverisjes së tanishme Haradinaj. Kurti e kritikonte planin qeverisës të tij kur u paraqit para Kuvendit, për faktin që i mungonte metoda. Tregonte çka të bënte por jo qysh do t’i bënte ato punë. Kam frikë se, metoda tashmë është zbuluar. Haradinaj mund të mos thotë “Pronto” kur e çelë telefonin, por… ky është vetëm një simbol. Dhe jo, zëri i Haradinajt nuk u dëgjua në ato biseda, por vendimet që i mori për këto 100 ditë, e zbulojnë të njëjtën metodë pune. 70 e kusur zëvendësministra, takimet me familjarë, falja e borxheve të ujit, vendosja e dhëndrit në krye të një institucioni me fonde të mëdha, rritja e rrogave për të gjithë punonjësit – janë shenja të qarta të së njëjtës metodë. Klientelizmi, nepotizmi, fukarallëku i ideve e planeve, përdhosja e paqëllimshme e imazhit – këto ishin karakteristika edhe të Qeverive Thaçi.
A nuk mund të imagjinohet fare lehtë një bisedë telefonike për rritjet e rrogave? Dhe këtu, mos merrni parasysh interesin personal të Haradinajt për ato 1400 euro më shumë. Jo, kjo është një lëvizje e mençur taktike për të zhvendosur vëmendjen e publikut, sepse Haradinaj ka para me bollëk. Qëllimi është te rritja e rrogave për këshilltarët, ministrat e zëvendësministrat – të cilëve do t’iu ngopen apetitet, në të mirë të forcimit të rrjetës klienteliste. Qeverisja Thaçi u përball me probleme të ndryshme pikërisht sepse i kushtoi një vëmendje të posaçme imazhit, debateve, ose mënyrës sesi perceptohej në publik. Kjo evidentohet pikërisht në ato biseda të “Pronto”-s ku shahet Flora Brovina, ose edhe më vonë kur vazhdimisht ia bëjnë “rrafsh” njëri-tjetrit për paraqitjet e tyre në emisione televizive.
Në këtë drejtim, pra sa i përket metodologjisë, kemi një modifikim domethënës. Qeverisja Haradinaj, mbase e mësuar nga përvoja e trishtë e PDK-së në këtë aspekt, nuk i jep ‘pesë pare’ për imazhin. Sa më egërsisht, sa më fuqishëm, sa më vrazhdë – në mënyrë që të shtrihet sa më gjerë pushteti i tyre. Në mënyrë që t’i lidhin sa më shtrëngueshëm përmes vargojve të interesave, rrogave e favoreve tjera, njerëzit e tyre. Haradinaj po e bën një gjë të tillë. Ashiqare. Dhe, Vetëvendosje po tregohet mjaft hipokrite në relacion me të. Ata guxuan ta gjuanin me vezë Isa Mustafën në Kuvend, por nuk po guxojnë të gjuajnë edhe Haradinajn për vendimet e tmerrshme që po ndërmerr.
Gjithnjë ka qenë e çuditshme sesi pavarësisht një imazhi mosvet të përdhosur, dhe ndarjes së një pjese jo-aq-të-vogël [Nisma], PDK-ja kishte arritur të fitonte mjaft bindshëm në vitin 2014. Por, sidoqoftë ata dolën partia e tretë në vitin 2017. Dhe e dini pse? Mendoj që arsyeja është mjaft e qartë. Ata pësuan çarje në rrjetën e tyre klienteliste duke qenë shumë të brengosur për imazhet që prodhonin në publik, dhe njëkohshëm duke qenë plotësisht në shërbim të agjendave ndërkombëtare. Ironikisht mund të thuhet që PDK-ja pësoi rënie sepse ishte më pak e korruptuar se herëve tjera. Mësynte një zhvendosje në politikbërje, duke flirtuar hapur me oponentët politikë, duke e toleruar një gjuhë mosvet të ashpër drejt tyre, dhe njëkohshëm duke e përvetësuar retorikën e opozitës në periudhën e fundit të Qeverisjes Mustafa [deputetë të saj, përfshirë edhe kryetarin Veseli dhe ish-kryetarin Thaçi, u bënë zëdhënës të asaj që e kishte artikuluar Vetëvendosje]. Por, mund të thuhet që flirtimi nuk u ndal në këtë pikë. PDK-ja nisi të flirtonte edhe me njerëz të shoqërisë civile, e me gazetarë – do prej të cilëve edhe iu bashkuan duke u fëlliqur me imazhin e partisë.
Në Qeverisjen Haradinaj, PDK-ja po e dikton te Haradinaj dhe po e performon vetë atë modifikim të metodës. Shumë prej ardhjeve të reja, u heshtën dhe u margjinalizuan. Nuk morën asnjë post në Qeveri. Ato iu dhanë njerëzve të fortë, pavarësisht që ishin të diskredituar në publik. Sipas instruksioneve për të anashkaluar perceptimin publik veproi pra edhe AAK-ja. Edhe kjo parti kishte interes të ndërronte perceptimin e qytetarëve duke peshkuar plot njerëz nga shoqëria civile, por njësoj si PDK-ja i bëri të parëndsishëm dhe i heshti që të gjithë. Dhe, po e përforcon pushtetin e saj duke e zgjeruar rrjetën e klientelizmit – pavarësisht asaj se çka mendon publiku.
Haradinaj, një lider tribal, arriti ta bënte partinë e tij të dytën [ndër shqiptarë] sa i përket komunave. Ndërkohë që Halil Matoshi bën thirrje që thjesht dhe vetëm “t’i besojmë heroit të tij”. Matoshi është një ndër intelektualët më të respektuar dhe ndër gazetarët më të vjetër e më të çmuar në vend. Dhe natyrisht, Haradinaj do ta përdorë për njëfarë kohe derisa të mos i duhet më. Derisa të përhumbet krejtësisht në sferën private të klientelës së tij. Në ndejat nëpër oda e restorante që do t’ia bëjnë për nderim njerëzit e klientelës. Njerëzit që ia shohin ‘hairin’. Matoshi do ta gjejë veten të humbur. Njësoj si çdo tjetër, që është i interesuar të bëjë punën mirë në atë qeverisje, dhe që është i interesuar për imazhin e saj, e për kultivimin e marrëdhënieve me publikun.
Kjo qeverisje do të prodhojë shumë pakënaqësi në publik, dhe shumë kënaqësi në ato mjedise private të klientelës. Klientelizmi, nëse deri tash ishte i shtrirë në formë tribale, këtej e tutje do të jetë krejtësisht mendje-hapur, gjithpërfshirës, dhe do të korruptojë një masë gjithnjë e më të madhe njerëzish. Televizioni, gazetat, interneti – do të rrisin në vijimësi pakënaqësinë, e cila do të jetë si çdoherë, e trishtë dhe jofunksionale. Pakënaqësi që nuk do të çojë në protestë, por në një zemërim të paudhë, në një racizëm internal, që i bën njerëzit të ëndrrojnë ikjen nga Kosova.
Shtypja dhe privilegjet do të shpërndahen tashmë në një formë më të organizuar. Megjithëse mund t’iu duket më primitive se Qeveritë Thaçi, në fakt Qeverisja Haradinaj është më sistematike dhe më e aftë në zbatimin e metodologjisë klienteliste. Do të bëj, pavarësisht asaj se çka mendojnë njerëzit dhe në relacion me racionin që ka në koalicion, kapjen e institucioneve, kapjen e vendeve të prodhimit dhe do të shpërndajë zemërim në mënyrë të shfrenuar te qytetarët e papërfshirë në klientelë.
Është e mundshme që të gjitha këto parti të shënojnë një rritje të madhe në zgjedhjet që vijnë. Mos harroni, PDK-ja nuk i kishte më shumë se 50 kandidatë për deputetë, gjë që përbën një përgjysmim angazhimi dhe ndoshta më shumë se një qerek votash më pak për ta. Por sidoqoftë, paniku është shumë i madh, dhe apetitet e klientelës janë rruga e vetme që dinë për mbajtjen e pushtetit.
Tërbimi do të rritet e do të rritet, por çështja është: jo sesi ta zvogëlojmë e ta zbusim, por sesi të prodhojmë më pak ikës ose tentim-ikës nga vendi, dhe sesi ta funksionalizojmë në të mirë të diskreditimit të plotë të kësaj metodologjie pune që kanë partitë në pushtet. Tërbimi ka potencial të madh shkatërrues e ndërtues. Dhe pikërisht kjo duhet bërë: të shkatërrojmë këta ‘heronj’ që e mirëmbajnë korrupsionin endemik dhe të ndërtojmë një pushtet që krijon hapësirë për një korrupsion spontan e funksional, në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe të prosperitetit.