Adhuruesit kërkojnë Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiqin

Adhuruesit kërkojnë Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiqin

Kantautorët e mirënjohur kosovarë Aida Baraku dhe Armend Rexhepagiqi tash e një kohë të gjatë i mungojnë skenës muzikore të vendit.

Artistët, që ishin aktiv në muzikë intezivisht në vitet 1990 por edhe pas luftës, në vitet e hershme 2000, ka kohë që nuk kanë shkelur skenën dhe kanë refuzuar paraqitjet mediatike.

Ata mbahen mend për shumë këngë, që për stilin e tyre unik mbeten në mendjen e dëgjuesve. “Titanik”, “Nasht”, “Dudie”, “Shkel”, “Kojshikja”, “Dugi”, “Dashurinë o ku e kam”, “Shoqet” e “Shega”, janë vetëm disa nga titujt që bëjnë pjesë në repertorët e këngëtareve që i takojnë një brezi, që si duket po i kujton me nostalgji, e po kërkon kthimin e tyre në skenë.

Një iniciativë e titulluar “Kërkojmë koncert live nga Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku” është nisur përmes rrjetit social Facebook dhe ka mbledhur rreth 500 persona që duan të kenë rastin t’i dëgjojnë edhe njëherë muzikantët duke kënduar live.

Ideatorja e kësaj iniciative, Arbnora Gosalci, që bashkë me një grup shokësh kanë marrë këtë nismë, thotë për Gazetën Zëri se ata po punojnë që ky grup te rritet dhe këngëtarët të rikthehen me një koncert.

“Ne jemi një grup shokësh që na kanë pëlqyer gjithmonë Armendi dhe Aida dhe duke pas parasysh kualitetin e tregut aktual muzikor, që mund të themi se është i dobët, duam një koncert me muzikën e tyre kualitative të asaj kohe”, thotë Gosalci, duke treguar tutje se ndonëse nuk kanë arritur të kenë ende kontakt me Rexhepagiqin, kanë marrë përkrahje edhe nga komunitetit artistik për këtë koncert.

“Unë po shpresoj që kjo iniciativë do të përkrahet edhe nga mediat dhe të mbërrijë t’i bind ata. Nëse Armendi do ta lexonte shkrimin e gazetës tuaj do të doja që në emër të grupit t’i them se publiku nuk i ka harruar dhe ka shumë njerëz rreth e rreth Kosovës, më shume se që ata mund të besojnë, që duan t’i dëgjojnë sërish”, përfundon Gosalci.

Megjithatë, edhe gjatë kësaj periudhe kur kanë qenë larg syrit të medieve, Baraku dhe Rexhepagiqi kanë mbetur afër dashamirëve të muzikës me krijimet muzikore që kanë punuar për kolegët e tyre. Plotë këngë të suksesshme ndër vite kanë mbajtur vulën e tyre.

Aida Baraku për një kohë ka qenë edhe pjesë e shtypit ditor, me shume shkrime të botuara edhe në Gazetën Zëri.

Një nga adhuruesit e muzikantëve, që po e përkrah fuqishëm këtë iniciativë, Avdyl Gashi, thotë për Zërin se këta këngëtarë dhe brezi i tyre përfaqësojnë një periudhë të veçantë për Kosovën dhe është normale që publiku t’i kujtojë me nostalgji dhe t’i kërkojë.

“Unë i mbaj në mend këngët e Aidës edhe Armendit qysh në fëmijëri. Më kujtohet kur e dëgjonim ‘Dugin’ dhe na u duke interesant krejt ai kompozim. Shumica e personave që kanë lindur ndoshta deri vitin 1.995 e mbajnë mend këngën ‘A je me mua a me arushën’. Të dy këta këngëtarë me muzikën e tyre sipas meje provokojnë kujtime të mira tek njerëzit, sidomos me një kohë kur Kosova ka qenë shumë e ndjeshme ndaj shumë faktorëve. Andaj mendoj që është e rëndësishëm që Aida dhe Armendi të na japin edhe një koncert, të na lejojnë ta përjetojmë atë dashuri, atë emocion me këngët e tyre, qoftë edhe për një herë të fundit”, thotë Gashi, duke theksuar se thirrja që po iu bën publiku këngëtarëve përtej nostalgjikes, është një thirrje për vlera, që sipas tij skenës muzikore vendore po i mungojnë, duke pas parasysh se çfarë muzike po prezantohet vitet e fundit. “Kthehuni Armend dhe Aida. ‘Shkel’ Armend edhe një herë”, përfundon ai.

Koncertet që rikthejnë në skenë grupet dhe solistët pas një kohë të gjatë janë fenomen i skenës muzikore botërore, që i ka prekur edhe artistët tanë.

Vitin e kaluar ishte rok-grupi i mirënjohur kosovar “Gjurmët” që me një koncert në Tiranë, të titulluar “Gjurmët and friends”, u kthyen në skenë pas plotë 30 vitesh.

Ngjashëm vepruan edhe grupi “Marigona” që sivjet me një mini-turne në disa nga qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë këtu Mitrovicën, Ferizajn e Prizrenin, u ngjitën prapë në skenë para publikut kosovarë duke rikthyer hitet e vjetra emblematike të kohës kur i krijuan.

Një premtim të ngjashëm për një koncert kanë dhënë së fundi edhe rok-grupi 403, që thuhet të jenë duke punuar për një album të ri.

/kolona.info

Shpërndaje në: