Abdullahu akuzon Qeverinë: Rrena në politikë është e keqe
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka komentuar pretendimet e pushtetarëve se në veri është shtrirë sovranitetin dhe tani në atë pjesë është çdo gjë në rregull.
Ai ka thënë se aktivizimi i eksponentëve të pushtetit për këtë çështje e ka një arsyeje.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abdullahu ka shkruar se kjo po bëhet për shkak të pranimit të Asociacionit.
Sipas tij, ata do të thonë se Asociacioni tash është “made in Kosova”.
“Sipas pushtetarëve çdo gjë në veri po shkon si sahat. Çdo gjë dje ka qenë shumë keq dhe çdo gjë sot atje është shumë mirë. Këta pushtetarë janë në garë mes veti se kush po e paraqet më mirë këtë ‘gjendje ideale’ atje. Prej targave e deri te ajo se, atje s’ka më asnjë kriminel, duhet faleminderu kësaj Qeverie, trumbetojnë ata. A thu pse kaq shumë janë aktivizuar vuvuzela të VV-së për këtë temë? Qe pse. Sepse kur këta të njëjtit do ta pranojnë edhe me nënshkrim asociacionin do të thonë se, atje tash është çdo gjë në rregull, çdo gjë e Kosovës pra e institucioneve tona, s’ka asgjë të Serbisë, prandaj asociacioni do të jetë “made in Kosova”. Kështu sa më e mirë të paraqitet gjendja në veri tani aq më shumë amortizohet e keqja që shkaktohet nga pranimi i asociacionit. Rrena në politikë është e keqe, sidomos kur hahet për të vërtetë”, ka shkruar ai.