Abdixhiku viziton “Lagjen e Artistëve”: Kur ky art shpërthen kufijtë, ai bëhet mjet i fortë i diplomacisë

Abdixhiku viziton “Lagjen e Artistëve”: Kur ky art shpërthen kufijtë, ai bëhet mjet i fortë i diplomacisë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, këtë fundjavë tha se e kaloi mes shumë artistëve vendorë në “Lagjen e Artistëve” në Ulpianë të kryeqytetit.

Ai tha se ka vizituar 14 atelie dhe ftoi edhe të tjerët që ta bëjnë këtë.

“Një mesditë e këndshme në Prishtinë në “Lagjen e Artistëve” në Ulpianë, mes krijuesve vendorë. Bisedat me ta janë gjithmonë plot jetë e kureshtje; veprat e tyre natyrisht përplot mjeshtri; gjersa koha e kaluar vazhdimisht një mësim.  Vizitova të 14 atelietë e tyre në këtë rrugë të gjallëruar së fundmi të lagjes Ulpiana. Ju ftoj t’i vizitoni vet secilën ditë; dhe nga aty të kuptoni veçantinë e secilit prej tyre”.

Abdixhiku shkroi se arti flet për identitetin e kombit dhe shtoi se ai bëhet edhe mjet i fortë i diplomacisë.

“Fuqia e artit të krijuesve tanë shkon përtej atelieve përplot ëndrra që kanë. Sepse arti flet për identitetin tonë, historinë tonë e të ardhmen që provojmë ta bëjmë! Kur ky art shpërthen kufijtë, ai bëhet mjet i fortë i diplomacisë. Me Sibelin, mbështetja e së cilës për komunitetin artistik vazhdon të jetë vërtetë inspiruese, qëndruam mes artistëve si Saba Berisha Ismajli, Arianit Lakna, Agron Mulliqi, Merita Myderrizi Maloku, Vjosa, Bujari Maliqi, Suara Ismajli, Anton Krasniqi, Luljeta Rama Muçaj, Besiana Kastrati – Cebi, Fehmi Hoxha, Refki Gollopeni e Dioneta Kabashi”.

Kryetari i LDK-së tha se ai dhe ekipi i tij “qëndrojnë” për këtë.

“Projektet si ‘Rezidenca Artistike Ndërkombëtare Ulpiana Art’; si dhe çdo projekt tjetër si ky, i shtojnë ngjyrim vendit tonë dhe e mirëmbajnë entuziazmin dhe pozitivitetin për të cilin njihemi si shoqëri. Për këtë qëndroj unë, për këtë qëndron ekipi im!’.

Shpërndaje në: