Abdixhiku: Republika e Kosovës sot gjendet në udhëkryq historik
Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e Këshilit të Përgjithshëm ku edhe aprovoi listën e kandidatëve për deputetë sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Këtë listë kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku e ka quajtur si më përmbajtësorja e profesionalen që ka sot Kosova.
“Dhe ky votim i sotëm i juaji, do t’i sjellë qytetarëve tanë, votuesve e jetuesve të Republikës, listën më përmbajtësore, më profesionale e më unitare, që Kosova ka sot. Ajo në vete përmban jo vetëm propozimet që burojnë nga vet baza jonë, por mbanë dhe vendimmarrësit e ardhshëm, të katër viteve të ardhshme, të gjithë jetës institucionale e politike në vend”, ka shkruar Adixhiku në Facebook, të mërkurën.
Ai më pas ka thënë se Kosovës i duhet ndryshim, teksa shtoi se pushteti aktual vetëm propagandon.
“Në këtë Republikë të projeksioneve të tyre, porpaganda është qëllim në vete, gjersa përçarja, ndarja e polarizimi jonë i madh, janë përfundim krejt i zakonshëm, të cilin përfundim – nxitësit e urrejtjes – e shijojnë me plot zell”, ka thënë ndër tjerash Abdixhiku.
Tutje, ai ka shkruar për parimet e qeverisjes brenda frymës së kushtetuesmërisë, duke përfshirë mos përzierjen e politikës në drejtësi.
“Në Republikën tonë, nuk ka vend për sulme ndaj drejtësisë, e kategorizim të saj varësisht se kë ka subjekt; përkrahës pushteti ose jo. Në Republikën tonë, pushteti s’bën drejtësinë, pushteti, sikurse secili tjetër është subjekt i drejtësisë”, ka thënë Abdixhiku.
Po ashtu, ai tha se Kosova nuk ka vend korrupsioni, vjedhja e hajnia, duke thënë se janë moralisht të gabuara e jo të arsyetueshme, teksa opozita akuzon Qeverinë e Albin Kurtit për korrupsion.
“Në Republikën tonë, korrupsioni, vjedhja e hajnia, duhet të jenë moralisht të gabuara sepse janë veprime të liga, e jo të arsyetueshme sepse krahasohen me të shkuarën. Një akt amoral, vjedhës ndaj shtetit, është i papranueshëm, i dënueshëm, i gjykueshëm jo sepse është më i madh apo më i vogël se ai paraprak – por se thjeshtë është jomoral! Korrupsioni është i tillë. Korrupsioni do të gjykohet si i tillë. I tashmi, i kaluari dhe i ardhmi pa dallim”, ka thënë Abdixhiku.
Të dashur anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së,
E nderuara Kryesi e Punës,
Të nderuar media, dhe nëpërmjet juve, të nderuar qytetarë të Kosovës,
Zonja e zotërinj,
Më lejoni që fillimisht të uroj punimet e këtij Këshilli, punime që vijnë në një moment sa të rëndësishëm për fatin tonë partiak, aq dhe të domosdoshme për fatin e vet Republikës.
Ky Këshill, mblidhet sot, për të votuar e aprovuar nominimet e degëve, përkatësisht të 33 degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kandidatët e listës së ndryshimit; listës fituese të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 9 shkurtit.
Dhe ky votim i sotëm i juaji, do t’i sjellë qytetarëve tanë, votuesve e jetuesve të Republikës, listën më përmbajtësore, më profesionale e më unitare, që Kosova ka sot. Ajo në vete përmban jo vetëm propozimet që burojnë nga vet baza jonë, por mbanë dhe vendimmarrësit e ardhshëm, të katër viteve të ardhshme, të gjithë jetës institucionale e politike në vend.
Përmban individ me integritet personal, politikanë me përvojë shembullore, përmban të rinj e të reja që tek nisin rrugëtimin e vet politik, por mbi të gjitha, përmban ëndrrën e secilit prej nesh për ndryshim, për bërjen e Republikës sonë, vend të jetueshëm, në mirëqenie e në udhëtim identitar drejt komunitetit euroatlantik.
Prandaj, si i tillë, ky moment i sotëm është i veçantë. Prandaj, si i tillë, ky moment i sotëm, është jetik në përmasa që kalojnë këtë dhomë e këtë sallë.
Zonja e zotërinj,
Po takohemi në një kohë kur Republika jonë është në nevojë të domosdoshme për udhëheqje të përgjegjshme e për lidership; mbi të gjitha për unitet të gjerë mbarëkombëtar.
Republika e Kosovës sot gjendet në udhëkryq historik. Shtyllat e saja identitare, nga demokracia e shprehja e lirë, nga ëndrra euroatlantike deri tek mbajtja e njerëzve mes nesh, janë vënë bast në zaret e fateve politike të papërgjeshme.
Në këtë Republikë të projeksioneve të tyre, porpaganda është qëllim në vete, gjersa përçarja, ndarja e polarizimi jonë i madh, janë përfundim krejt i zakonshëm, të cilin përfundim – nxitësit e urrejtjes – e shijojnë me plot zell.
S’do t’i kuptojë asnjëherë se çfarë dëliri kjo gjendje ju sjellë, por e kam të qartë qëllimin e tyre krejt të thjeshtë. Sa më shumë propagandë, sa më shumë shpifje, sa më shumë ndarje, sa më shumë urrejtje, aq më të dobishme drejt prodhimit të polarizimit shoqëror, që nuk sjellë rezultate por as nuk sjellë shpresë. Prandaj sot, vendi ynë, është bërë vend i zymtë. Prandaj sot ndarja jonë kombëtare, ka arritur nivele të paimagjinueshme historike. E sepse jemi të ndarë kaq shumë, kemi ngecur në vendnumërim, ku hijet e së shkuarës na errësojnë të ardhmen që nuk po e bëjmë dot. Një shoqëri kaq e copëtuar e në kaq urrejtje duhet fillimisht të shërojë veten.
Sepse në Republikën tonë, nuk ka vend për një aparat shtetëror, që përdorë inteligjencën për të përcjellë gazetarët. Në Republikën tonë, nuk ka vend për atak institucional e parapolitik ndaj medias, nuk ka vend për mbyllje të mediave, nuk ka vend për sulme jetëkërcënuese ndaj gazetarëve e raportuesve të lirë të një shoqërie të lirë. Nëndija politike ndonjëherë flet shumë, por tek ne flet qartë, kur një pushtet kërkon që lajmet të merren vetëm nga ta, në atë moment, mu në atë moment, ne duhet të kuptojmë se para se të kemi një problem politik, kemi problem të funksionimit shtetar demokratik.
Në Republikën tonë, nuk ka vend për sulme ndaj drejtësisë, e kategorizim të saj varësisht se kë ka subjekt; përkrahës pushteti ose jo. Në Republikën tonë, pushteti s’bën drejtësinë, pushteti, sikurse secili tjetër është subjekt i drejtësisë. Askush, asnjëherë për asnjë çmim mbi ligjin! Në Republikën tonë, një Qeveri që shkelë Kushtetutën plot 10 herë duhet të rimendojë intencat shqetësuese që i ka në vete para se të akuzojë secilin përreth. Ne betohemi në Kushtetutë. Ne veprojmë mbi Kushtetutë. Ne jetojmë mbi këtë Kushtetutë. Si e tillë, ajo për Republikën, për ëndërrimtarët e saj është e shenjtë. Nuk shkelet, nuk përdhoset. Kur shkelet, shkelësit duhet të turpërohen jo të mburren e lavdërohen!
Në Republikën tonë, korrupsioni, vjedhja e hajnia, duhet të jenë moralisht të gabuara sepse janë veprime të liga, e jo të arsyetueshme sepse krahasohen me të shkuarën. Një akt amoral, vjedhës ndaj shtetit, është i papranueshëm, i dënueshëm, i gjykueshëm jo sepse është më i madh apo më i vogël se ai paraprak – por se thjeshtë është jomoral! Korrupsioni është i tillë. Korrupsioni do të gjykohet si i tillë. I tashmi, i kaluari dhe i ardhmi pa dallim.
Këtë Republikë e dua unë!
Këtë Republikë ju zotohem se do ta bëjmë më 9 shkurt!
Në Republikën tonë, të jesh i sanksionuar, nën masa e pa perspektivë euroatlantike, në përplasje me secilin aleat, brenda në rajon e gjithëku jashtë, është thirrje për rizgjim kolektiv emergjent, jo mburrje krenarie për fortësi. Goditja e murit me kokë, për qëllime të përkohshme elektorale i ka sjellë Kosovës jo vetëm izolimin e pamenduar, jo vetëm mungesën e njohjeve që pushteti i paditur i konsideron si premtime elektorale, jo vetëm mungesën e anëtarësimeve ndërkombëtare, por edhe pozicionin e rënduar dialogues, me marrëveshje të autonomisë, me pasaporta të dyfishta mbi sovranitetin tonë, të njohura tanimë nga vet Bashkimi Evropian!
Në Republikën tonë, patriotizmi e atdhedashuria, nuk janë pjesë e betejave të ndyta politike. Sepse nuk ka Kosovë të partive. Nuk ka Kosovë të individëve. Ka një Kosovë dhe një Kosovë të vetme, ka një ëndërr dhe një ëndërr të vetme, ka një adresë dhe një adresë të vetme, ka një atdhe dhe një atdhe të vetëm.
Republika jonë është vet ëndrra jonë!
Ndryshimi i sotëm është misioni ynë!
Jemi popull i lirë, i ëndrrave të mëdha.
Dhe ëndrra jonë vazhdon të na projektohet sot si mision identiar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në fjalë të Atit Themeltar të shtetit të Kosovës, Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, “Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot, është misioni ynë nesër!
LDK e njëjtë!
Besimtarë të njëjtë! Mision i njëjtë! Rrugë e Re!
Unë besoj në shtetin e Kosovës dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ky vend i bekuar me njerëz të shkëlqyeshëm ka! Dhe vizioni im nuk ka të bëjë vetëm me një Kosovë të suksesshme, por me qytetarë të suksesshëm në një Kosovë që ecë mbarë!
Njerëz që mund t’i ndjekin ëndrrat e tyre, të jetojnë me dinjitet, të jetojnë drejtë, të ndërtojnë të ardhmen e tyre mu këtu, në shtëpitë e tyre, tek familjet e tyre, në qytetet e fshatrat e tyre!
Dua ta shoh Kosovën jo si të fundit në rajon, por si një vend krenar prijetar mes të tjerëve përreth, si një shtet ku mirëqenia, mundësia e uniteti nacional janë pjesë e përditshmërisë sonë!
Zonja e zotërinj,
Përgjatë gjithë nëntorit, kam nisur e zhvilluar ciklin e tubimeve të mëdha me qytetarë, të titulluar “Turneu i Ndryshimit Lumir2025”, si pjesë e parafushatës zgjedhore. Kam zhvilluar tubime të mëdha në Prishtinë, në Viti, Pejë, Prizren, Lipjan, Podujevë, Istog, Suharekë, Gjilan, Ferizaj, Malishevë, Shtime, Fushë Kosovë e Obiliq. Kam zhvilluar këtë turne dhe në mërgatë, mes bashkëatdhetarëve tanë.
Entuziazmi, mbështetja e thirrja për shpresë e ndryshim, mes qytetarëve tanë ishte pasuria jonë e vërtetë partiake.
Qytetarët janë të lodhur nga retorika boshe, nga premtimet e paplotësuara e mbi të gjitha janë të lodhur e ngopur nga një Qeveri që nuk arrin të realizojë asnjërin nga premtimet e saja; që ndanë, përçanë, akuzon, shpreh plot mllef e urrejtje, por mbi të gjitha mbanë kosovarët në të shkuarën e pandryshueshme, duke mos bërë të ardhmen e domosdoshme!
Qytetarët tanë, në këto tubime të mëdha, në takime tematike, e në qindra takimet tjera që i kam pasur nëpër shtëpi e familje, i presin veprimet tona. E presin sjelljen tonë të përgjegjshme në këtë moment kritik për ta dhe vendin.
Këtë momentum të mirë të LDK-së, të së djathtës në përgjithësi, duhet ta marrim si përgjegjësi. Kemi bërë shumë përpjekje, që pas një kohe të gjatë, LDK-në ta kthejmë në burim të saj. Tek populli i vet, mes njerëzve të vet. LDK-ja kishte nisur si e tillë, duhet të qëndrojë si e tillë – dhe rikthimi i saj në origjinë, është mburrja ime sot! Të tjerat janë procese që përcaktohen në përditshmëri.
Dhe tani që jemi në origjinë, që kemi reflektuar mbi veten, që kemi kuptuar momentumin e nevojshëm, mbi të gjitha, që kemi ndërtuar vizionin e së ardhmes nëpërmjet Programit tonë politik ‘Rruga e Re’, ne duhet të veprojmë bashkërisht. Unik. Të pandashëm, të pandalshëm.
Dhe sot, unë dhe ju, të dashur bashkëpunëtorë të mi, duhet të dalim para qytetarëve tanë për të përqafuar të ardhmen që ne dhe ata e ëndërrojmë!
Si lëvizja më e madhe historike shqiptare, e kemi për detyrë, e kemi për obligim, e kemi për mision indentitar, të shtrojmë jo vetëm dorën e përbashkimit me njerëzit e Kosovës, me ata të harruarit e të lënë në mëshirën e fateve ditore, por të shtrojmë Rrugën e Re përpara, për vet Republikën e Kosovës, shtetin që e bëmë ne!
Sepse, kjo rrugë s’bëhet pa ne! Këtë rrugë na takon ta bëjmë ne!
Si bartës të së djathtës, si bartës politik të lëvizjes për liri, për demokraci e për pavarësi, neve, Lidhjes Demokratike të Kosovës, na takon ta bëjmë rrugën e zhvillimit, rrugën e konsolidimit shtetar e rrugën e integrimit euroatlantik.
Rruga jonë dallon prej tyre!
Sepse, aty ku ata kanë ofruar radhë të gjata për blerjen e librave, ne kemi mësim gjithë ditor për fëmijët kosovarë, shpresën e ardhme të këtij vendi. Shujta të ngrohta, 8 orë në shkollë, fëmijë të dijshëm e të shëndoshë! Sikurse në Prishtinë, ashtu dhe në Kosovë!
Aty ku ata kanë ofruar meremetime klinikash e lyerje sallash, ne kemi ndërtimin e Spitalit të Ri në Kosovë. Kushte moderne nga shekulli i ri, përkujdesje me sigurime shëndetësore e me digjitalizim!
Aty ku ata kanë vështruar rritjen e çmimeve e sfidën e përballueshmërisë, ne kemi ofruar paga të larta e të ardhura me dinjitet. Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re, për shërbyesit civil, është zotimi ynë i parë – është vendimi ynë i parë! Një javë, 150!
Aty ku s’kanë bërë punë në rrugë për katër vjet, ne kemi projekt infrastrukturore që transformojnë këtë shtet. Magjistralet e Autostradat e nisura në dekada, duhet të përfundojnë për tri vjet – asnjë ditë më shumë!
Aty ku kanë meremetuar parket e mbjellë bari sintetik – dy punë për katër vjet – ne kemi ndërtimin e Stadiumit të Ri Kombëtar, 6 stadiumeve të tjera rajonale, Pallatit Kombëtar, Pishinave Olimpike e Palestrave të reja sportive. Tjetër nivel, tjetër ambicie!
Aty ku kanë mbyllur Teatrin Kombëtar në katër vjet e kanë lënë artistët në grevë, ne kemi ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”; ndërtimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, Ndërtimin e Muzeut të Paqes e Rezistencës, e ndërtimin e kompleksit më të madh kulturor në historinë e Kosovës!
Aty ku shtrenjtimi i energjisë elektrike s’ka fund, ne kemi plan për Central me Gaz, për stabilitet furnizimi, për një ekonomi të sigurt me partnerë! Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5% rritje ekonomike.
Aty ku na ndjellin frikën prej Serbisë, ne, të djathtit e Kosovës, qytetarët e lirë të Republikës së Kosovës, pasardhësit politik të Ibrahim Rugovës, kemi krenarinë. E kemi mundur Serbinë një herë – do ta mundim përherë!
Aty ku na kanë dhënë masa, sanksione e izolim, ne kemi rrugën për integrim. Republika e Kosovës, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian – me miqësi të përhershme me SHBA-të! Asnjë pikë e presje më shumë, asnjë pikë e presje më pak!
Për t’i bërë gjithë këto, kemi nevojë për ju. Kemi nevojë për përbashkimin tonë të brendshëm, si domosdoshmëri e një shpërthimi të madh nacional.
Prandaj kemi nevojë për më të mirët tanë. Dhe këta më të mirët tanë, janë nominuar në listën prej 110 kandidatëve për deputetë. Dhe kjo listë pret miratimin tuaj sot.
Në këtë listë, kam kërkuar të përfshihen dhe disa nga Kryetarët e Komunave tona. Duke i njohur nga afër, duke i parë nga afër, duke qëndruar me ta afër në këtë rrugëtim katër vjeçar timin si Kryetar i katërt i Lidhjes Demokratike, kamë parë jo vetëm më të mirën e tyre, por më njerëzorën, më të përkushtueshmën për vet LDK-në dhe vet Republikën e Kosovës.
Që ta them qartë, ata nuk janë në garë sepse duan t’i lënë mandatet e tyre të zgjedhura. Ata do të vazhdojnë të shërbejnë me po aq përkushtim e nder. Janë në garë sepse kam kërkuar ndihmën e tyre. Kam kërkuar këtë ndihmë, për shtëpinë tonë politike, për atdheun tonë të vetëm, për ndryshimin e madh që i duhet vendit. Si të tillë, prezenca e tyre mes nesh është shtytje për mobilizim, e gara e tyre nuk është në gjithë Kosovën. U kam kërkuar të garojnë, e qëndrojnë në Komunat e tyre. Ata kanë një zonë, një qytet, një qëllim. Të sjellin mbështetjen e tyre tek ne sepse na duhet aq shumë tani.
Prandaj, dua të falënderojë nga zemra, të katër Kryetarët tanë, për këtë vendim gjeneroz të tyre. Do të mbaheni në mend, se në momentet më të rëndësishme të Lidhjes, ju dhatë më të mirën tuaj. Faleminderit Gazmend Muhaxherit, Imri Ahmetit, Sokol Halitit e Xhafer Gashit!
Dua të falënderojë dhe të gjitha degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në konsultime të brendshme, nëpërmjet mbajtjes së 33 mbledhjeve përkatëse të Kryesive, kanë nominuar me unanimitet kandidatët e tyre. Kjo është demokracia e vërtetë e Lidhjes Demokratike. Ajo buron nga baza, anëtarësia nga vendimmarrja e lirë e demokratike!
Në veçanti, dua të shpreh falënderim, që këtë herë, LDK shënon një histori të re, dhe atë me vet iniciativë. Këtë herë, për herë të parë, LDK ka 36% të kandidatëve gra. Do të punojmë që kjo përqindje në të ardhmen të jetë dhe më e lartë; do të angazhohemi që në LDK dhe në skenën politike të ketë më shumë gra! Gra të fuqishme, shtet i fuqishëm!
Në këto zgjedhje, do t’i kemi dhe 5 kandidatë nga mërgata. Dy nga Zvicra, dy nga Gjermania dhe një nga Austria.
Të dashur anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,
Sot, do të votojmë listën përfundimtare të 110 kandidatëve, në renditje alfabetike. Si në listë e në çdo proces, renditja e kandidatëve na bëhet ndonjëherë dhe temë.
Dua që sot, para jush e para gjithë qytetarëve të Kosovës, të shpreh konsideratën e madhe për secilin prej jush.
Jam i bindur se secili prej jush meritoni të jeni në renditjet e para. Por renditja eventuale, nuk përcakton as peshën tuaj, as rëndësinë që keni, e edhe më pak forcën partiake. Ka një faktor dhe një faktor i vetëm që bën një gjë të tillë, i thonë votë qytetare. Ajo na jep fatin politik të gjithëve.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, teksa isha i renditur në numrin 11, isha përgjigjur me thënien “numri nuk më bën mua, numrin e bëj vet”.
Ky është mesazhi im për ju sot.
Numri nuk ju bën juve, numrin e bëni vet.
Në fakt, dua ta merrni një shembull konkret. Ta merrni shembull Parisin, që ka kërkuar të renditet i fundit. Sepse ai beson në veten, beson se numrit 110 i jep vlerë ai vet. Prandaj bëhuni si Parisi.
Nga Lumiri tek Parisi, jemi të gjithë njëjtë.
Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ky është rrugëtimi ynë historik!
Nga sonte qëndrojmë të bashkuar!
Nga sonte qëndrojmë të fortë!
Nga sonte dalim me bindje të plotë se ‘Ne jemi ndryshimi’ për Kosovë!
Kokën para, mendjen e hapur, krah për krah me njëri-tjetrin! Dhe kështu, kaq fort, kaq bashkë, kaq të vendosur, ne jemi të pandalshëm!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!