Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit për takim: Çështjet e ngritura i diskutojmë në Kryesi të Kuvendit
Pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ftoi krerët opozitarë në darkë pune për të diskutuar për agjendën legjislative, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar ftesën si të vonuar për të gjetur një klimë bashkëpunuese kur sipas tij, partia në pushtet “ka shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellur polarizim ofendues të skajshëm”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë përherë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut për Kurtin.
Lidhur me diskutimin për agjendën legjislatike, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit e tyre politik japin qëndrimet partiake.
“Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë ashtu siç ka vepruar deri më tani”, thuhet tutje në letër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot i ka ftuar për të hënën në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.
Kurti në letrën të cilën ua ka dërguar tri partive opozitare thekson se arsyeja pse ka ftuar në takim krerët e partive dhe shefat e grupeve parlamentare ka të bëjë me atë që të diskutohen hapat për përmbushjen e agjendës legjislative.