Abdixhiku: Qeveritë duhet t’i shohin bizneset si partnere dhe nëpërmjet tyre ta zhvillojnë ekonominë
Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar fabrikën për përpunimin e bojrave e stiroporit “Gemix” në Pejë.
Kreu i LDK-së, Abdixhiku tha se biznesmenët e tillë janë patriotët më të mëdhenj të shtetit, ndërsa premtoi ndihmesë të madhe nëse bëhet shef i ekzekutivit.
“Prapë jemi në një shembull patriotik për vendin, një shembull që krijon vende të punës e megjithatë eksporton produkte. Jam këtu së bashku me kryetarin Gazmend Muhaxherin për të parë nga afër punimet e mrekullueshme të kompanisë ‘Gemix’ në përpunimin bojërave e fasadave. Pamë nga afër edhe problemet bazike që i kanë sidomos mungesa e energjisë elektrike. Për një biznes kosovar në vitin 2025 të ketë reduktime e mungesë të energjisë, është paradoks i kohës dhe si Qeveri e ardhshme kemi paraparë jo vetëm ndihmesë për regjionet e caktuara brenda komunave ku ka zhvillim, por edhe ndihmesë në nivel nacional të energjisë me centralin me gazin amerikan”, tha ai.
Abdixhiku tha se qeveritë duhet t’i shohin bizneset si partnere dhe nëpërmjet tyre ta zhvillojnë ekonominë e Kosovës.
“Bizneset si këto janë patriotët më të mëdhenj, krijojnë vende të punës, eksportojnë, e ulin deficitin e lartë tregtar dhe si të tilla janë partner të shtetit. Qeveritë duhet t’i shohin bizneset si partnere dhe nëpërmjet tyre ta zhvillojnë ekonominë e Kosovës. Ne besojmë në ndërmarrës, do të krijojmë politika për ndërmarrësit”, deklaroi Abdixhiku.
Avni Podrimaj pronar i kompanisë “Gemix”, “Shpresojmë që cilado qeveri që vjen e shpresojmë e juaja me na plotësua premtimet që i keni dhënë. E para bazike është energjia dhe e dyta mundësia që lëndët e para të importohen pa taksë”, u shpreh ai.