Abdixhiku për Alban Bujarin: Dëshmitari i kohërave më të vështira të rrugëtimit tonë drejt lirisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dërguar telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së fotoreporterit, Alban Bujari.
Abdixhiku e quajti Bujarin si dëshmitar të kohërave më të vështira i rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë.
Ai shtoi se humbja e tij është boshllëk për gjithë komunitetin mediatik, dhe ata që e njohën e e çmuan punën e tij.
Telegrami i plotë i ngushëllimit:
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dërgon këtë telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të fotoreporterit, Alban Bujari:
“I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Alban Bujarit, fotoreporterit të jashtëzakonshëm, i cili me artin dhe përkushtimin e tij i dha zë historisë sonë, duke e rrëfyer përmes imazheve dhimbjen, sakrificën, të vërtetën dhe aspiratat e popullit tonë.
Alban Bujari nuk ishte vetëm një fotoreporter, por një dëshmitar i kohërave më të vështira i rrugëtimit tonë drejt lirisë. Përmes objektivit të tij, ai e bëri të pavdekshme dhimbjen e popullit tonë gjatë luftës dhe më pas shpresën e një Kosove të lirë.
Ndërsa, takimet e shpeshta me Alban Bujarin nëpër aktivitetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës na dhanë mundësinë ta njihnim jo vetëm si një fotoreporter të jashtëzakonshëm, por edhe si një njeri me virtyte të larta. Me një qasje të qetë dhe plot respekt, ai arrinte të ishte i pranishëm kudo, pa u vënë re, por gjithmonë duke kapur çastin – të vërtetën.
Humbja e tij lë pas një boshllëk të madh, jo vetëm për familjen e tij të dashur, por edhe për komunitetin mediatik, për të gjithë ata që e njohën dhe e çmonin punën e tij.
Në këto moment të rënda, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe timin personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit të mediave.
Vepra e Alban Bujarit do të jetojë gjithmonë në historinë e Republikës së Kosovës.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”