Abdixhiku në Shtime: Qytetarët po e thonë qartë, duan ndryshim
Në sallën e mbushur plot dhe me entuziazëm të madh, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “në çdo qytet, çdo fshat dhe kudo në Kosovë, qytetarët po e duan ndryshim”, pas tubimit të mbajtur në komunën e Shtimes.
Abdixhiku u zotua për një program ekonomik transformues. Ai shpalosi planin për investime prej 5 miliardë eurosh dhe një rritje ekonomike prej 5%, në kuadër të programit “më ambicioze në historinë e vendit.”
“LDK vjen në këto zgjedhje me listën më të mirë për të ardhmen e vendit – me njerëz të pastër dhe me përvojë, me gra e burra të dëshmuar dhe të përgatitur, dhe me profesionistë me integritet që e kanë dijen dhe guximin ta udhëheqin vendin drejt Europës.
5 miliardë euro investime me 5% rritje ekonomike! Ky është zotimi ynë për realizimin e programit më të kompletuar dhe më ambicioz në historinë e vendit, me projekte e iniciativa konkrete, të mirëmenduara dhe të arritshme që i adresojnë nevojat dhe pritshmëritë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.” – tha Abdixhiku.
Me ekipin e tij, të cilin ai e quajti “ekipi i ëndrrave,” dhe me platformën “Rruga e Re,” Abdixhiku u zotua për ndërtimin e një Kosove të drejtë, të zhvilluar dhe të barabartë me vendet e tjera në familjen e madhe Europiane.
“Me ekipin tonë të ëndrrave dhe me programin ‘Rruga e Re’, ne do ta ndërtojmë Kosovën e zhvilluar, të drejtë dhe të barabartë me vendet e tjera në familjen e madhe Europiane. Falemnderit kryetarit të degës sonë këtu dhe kandidatit në listën tonë Kastriot Shabani për këtë organizim të jashtëzakonshëm! Bashkë do ta ndërtojmë të ardhmen dhe do të bëhemi ndryshimi i madh për Kosovën!” – tha kreu i LDK-së.