Abdixhiku në Kaçanik: Nga këtu do të nis ringritja e madhe e LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot komunën e Kaçanikut.
Abdixhiku vlerësoi lartë rëndësinë historike të Kaçanikut në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ai u shpreh se Kaçaniku mbetet një simbol i vendimeve të mëdha që kanë përcaktuar të ardhmen e vendit.
“Jemi mbledhur sot në këtë qytet historik, në Kaçanik, në vendin ku burrat e mëdhenj shqiptarë, në kohë të vështira i dhanë këtij populli e këtij vendi një kthesë të madhe historike.
Pra, ky vend ku është shkruar historia më rëndësishme e Kosovës, ku janë marrë vendime të rëndësishme për vetë ekzistencën e shtetit tonë, po, mbetet frymëzim dhe na jep forcë të gjithëve.
Pasuria e kësaj toke, e kësaj historie, është pasuri e popullit tonë, dhe sot, ne, vazhdojmë të ndjekim rrugën e ndritur që ata e hapën për ne.
Dhe ashtu siç u shënua hapi i parë institucional i procesit të gjatë për liri e pavarësi të Kosovës, këtu në Kaçanik, ashtu siç nisi kthesa për historinë e re të Kosovës këtu, ashtu do të nisë dhe ringritja e madhe e LDK-së.” – tha Abdixhiku.