Abdixhiku në Gjakovë: Kosova nuk ka kohë të presë, duhet të investojmë në edukim dhe teknologji
Kandidatit i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka vizituar institucionin e edukimit BONEVET, që inkurajon fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit në Komunë e Gjakovës.
Abdixhiku theksoi rëndësinë e investimeve në aftësimin e qytetarëve, duke u fokusuar në teknologji, edukim dhe trajnime.
“Qëndrojmë sot në Gjakovë, në një organizatë që ka arritur me mjeshtri të madhe të ngërthejë në veti jo vetëm inovacione të domosdoshëm të edukimit alternativ por edhe të shpërfaqë se kontributi për komunitet nga individ të dalluar krijon hapa të mëdhenjtë për të gjithë shoqërinë. Është model i shkëlqyeshëm sepse jemi të interesuar të investojmë në aftësimin e njerëzve tanë në Kosovë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai paralajmëroi se Kosova nuk ka kohë të presë 80 vite për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian, duke theksuar nevojën për të investuar në zhvillimin e njerëzve dhe jo vetëm në projekte infrastrukturore.
“Jemi të interesuar që të investojmë në ide inovative për të bërë kapërcimin e madh si shoqëri, qytetarët tanë nuk kanë kohë të bëjnë kapërcimin e madh drejtë integrimit të Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosovës do të duhej 80 vite për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian, nuk i kemi 80 vite për të pritur por duhet të shikohet alternative të tjera.
Po ashtu jemi të interesuar në fushën e teknologjisë, edukimit dhe aftësimit të investojmë si shoqëri sepse mjaftë kemi investuar në projekte të mëdha kapitale të asfaltit koha është të investojmë në njeriun tonë fëmijët tonë”, përfundoi ai.