Abdixhiku fton mërgatën për tu regjistruar për zgjedhje: Ndryshimi do të ndodhë edhe në mërgatë
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka ftuar mërgatën që të regjistrohet për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka treguar se kanë mbetur edhe 5 ditë kohë për këtë proces, duke kërkuar nga bashkatdhetarët që të regjistrohet.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar se ndryshimi, sikurse në Kosovë do të ndodhë edhe në mërgatë.
“Fillimisht dua të shpreh gjithë falënderimin tim e tonin për regjistrimet e bëra deri më sot. Aktivizimi senzibilizues për t’u regjistruar, i plot 80 nëndegëve tona në mërgatë, nga gushti deri më sot, ishte jo vetëm për çdo lavdatë por dhe shtytës motivues për secilin prej nesh. Keni bërë punë të madhe! Keni bërë punë të drejtë! Prandaj ndryshimi i ardhshëm do të mbajë vulën e angazhimit si ky. Ndryshimi, sikurse në Kosovë do të ndodhë dhe në Mërgatë! Tani që kanë mbetur edhe 5 ditë deri në përmbylljen e afatit ligjor, ju bëj thirrje që të vazhdoni me regjistrim. Të shfrytëzoni këtë të drejtë demokratike e Kushtetuese tuajën. Për çdo informim, pikat tona kontaktuese i gjeni në faqet tona zyrtare; gjersa në Kosovë, zyret e degëve tona do të jenë të hapura gjatë gjithë vikendit – të fundit për regjistrim”, ka shkruar Abdixhiku.